Tirana rikthehet në Superiore, Halili: Makthi mori fund, Ze Maria më i paguari. Falenderoj lojtarët që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2018 | 23:31

Tirana rikthehet në Superiore, Halili: Makthi mori fund, Ze Maria më i paguari. Falenderoj lojtarët që…

Ngjitja në elitë ka lehtësuar ndjeshëm edhe Refik Halilin. Ai e ka vuajtur shumë rënien, megjithatë tashmë që u mbyll matematikisht gjithçka, nuk ngurron që të falënderojë lojtarët që nuk e tradhtuan grupin në ditët më të vështira.

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, presidenti tregohet më i sinqertë se kurrë, kur flet edhe për rrogat. Ka një përgjigje për borxhin e Muzakës, por edhe fondin e bllokuar nga UEFA. Në fund ndalet gjerësisht te Ze Maria, i cili dje u bë çështje me tërbimin që shfaqi. Mohon që të ketë probleme, ndërsa lë të hapur shanset e rinovimit, por ka edhe një “sms” për brazilianin, ndërsa i kujton që është trajneri më i paguar edhe në Superiore.

halili

Tirana nuk feston ngjitjen, por ju duhet të ndiheni mirë që agonia në inferiore zgjati veçse një vit?

S’e kam parë veten më në vështirësi se këtë sezon. Nuk e kam bërë kurrë, por po e them sot që u mbyll ky kapitull. Falënderoj që të gjithë çunat që sakrifikuan dhe nuk e tradhtuan klubin në momentin më të vështirë. Dhanë më të mirën dhe rikthyen Tiranën aty ku e ka vendin.

E prisnit kështu Kategorinë e Parë?

Ishte e paaprovuar për të gjithë ne. Me të dëgjuar e kishim, që nuk ishte edhe aq e lehtë, por falë punës së stafit teknik dhe lojtarëve, e mbyllëm matematikisht edhe ngjitjen. Hasëm “fair play” në çdo qytetet dhe me këtë dua të them që patëm mundësi të luanim futboll. Tani jam i ftohtë kur flas, por sigurisht që çfarë nuk mund të ndodhte dhe mund ta rrezikonin. Por tashmë jemi të qetë dhe avashavash do të fillojmë të mendojmë për sezonin e ardhshëm.

Çfarë planesh keni për sezonin e ardhshëm?

Për të shkuar te sezoni i ardhshëm kemi ende kohë. Pika e parë, do të mbyllim që të gjitha detyrimet financiare që kemi, pra këtë muaj dhe muajin tjetër kemi këtë plan, që të paguajmë detyrimet ndaj ekipit, pra, nga futbollistët, stafi e deri te punëtori i fundit. Ta mbyllim në kuptimin e mirë të fjalës sezonin.

Flisni për paga të prapambetura…?

Nuk po flas për borxhe sportive, pasi ato pak a shumë janë 99.9% të likuiduara. Tani kemi vetëm ato borxhe që ju i dini fare mirë.

Tirana

Rasti “Muzaka” është një ndër to, si do procedohet?

Po i ndjek ditët hap pas hapi, e shoh edhe në gazetën që minimizojnë. Në këto 23 ditë në mos gaboj që kanë mbetur, do të shohim se si do ta mbyllë Muzaka në favorin e tij.

Që do të thotë, keni ndërmend ta apeloni?

Ka instanca të tjera. Besoj se kaq mjafton.

Tiranës i janë ngrirë 215 mijë euro nga UEFA për pjesëmarrjen në Ligën e Europës, mendoni se në KAS do të vendoset drejtësi?

Mirë do ishte që të flitej me fakte, pasi vetëm në shkresën e sjellë prej UEFA-s dëshmohet më së miri se si shkoi puna te frenimi i pagesës. Pastaj, derisa ne jemi licencuar dhe luajtëm, ai fond sigurisht që na takon.

Të kalojmë pak te trajneri, do të rinovojë Ze Maria apo jo?

Stafi dhe ekipi që në hapat e parë kanë pasur një dorë të madhe në ngjitjen e Tiranës. Ndaj, dua që t’i falënderoj edhe një herë, në veçanti Ze Marian. Ne do të takohemi edhe një herë, do mbyllim ato që të thashë (u referohet rrogave). Për vazhdimësinë kemi kohë, kemi edhe 3 ndeshje për të luajtur. Por pasi të bëjmë likuidimet, do të flasim për të ardhmen. Nuk do vonohemi, pasi janë pak muaj. Dhe ju e dini që muaji prill paguhet në maj dhe maji në qershor. Do i mbyllim që të gjitha dhe shpresoj që në fillim të majit t’i kemi paguar, më pas do ulemi të mendojmë për Superioren dhe merkaton.

Ekziston vullneti dypalësh për të zgjatur kontratën?

Flitet dhe përflitet shumë që unë jam i tmerrshëm me trajnerët. E kam pasur si nam, pra që gjoja i ndërhyj. Por po e them dhe rithem, unë kurrë nuk ka ndodhur dhe nuk besoj se mund të dalë një trajner dhe ta thotë që unë i kam ndë- rhyrë. Edhe ky ka qenë një vit shumë i qetë në këtë drejtim, kështu veprova edhe me Mirelin (Josën) vjet, nuk e bezdisa deri në fund. Ze Maria pastaj ka qenë shumë profesionist dhe shumë korrekt. Për këtë jam i lumtur, pasi nga trajneri i parë e deri te lojtari i fundit, nuk kemi pasur asnjë konflikt.

Me këtë doni të thoni që jeni gati të sakrifikoni dhe t’i plotësoni kushtet që ta mbani edhe në elitë?

Nuk kemi diskutuar në fakt. Kemi bërë një bisedë para 3-4 javësh, ku unë më shumë e kam ngacmuar për këtë temë. Ia thashë qartazi që të mbyllim këtë sezon dhe më pas do të flasim për vazhdimësinë. Në bisedë do vendoset nëse diçka mund të ndryshojë apo jo. Por Ze Maria është trajneri më i paguar edhe i Superiores.

U mërzit shumë pas ndeshjes dhe nuk foli as për mediat, dini gjë?

Unë të them të drejtën e takova shumë pak, e pashë që ishte në ikje e sipër dhe nuk e kuptova tamam. Por më thanë që ka pasur diçka gjatë lojës, në momentin që vendosi të bëjë ndryshimin. Aty mund të ketë pasur ndonjë gjë, është problem i tyre. Unë nuk e di.

Nuk ka lidhje me mungesën e grumbullimin, pasi u tha që ishte mërzitur që skuadra nuk u mblodh para ndeshjes?

Ekipet e tjera mbaj mend që as në Superiore nuk grumbulloheshin. Nuk e mendoj se ka qejfmbetje për këtë, por edhe nëse ka për këtë çështje do të ma thotë me siguri dhe ne do ia bëjmë një grumbullim me patjetër, madje për një javë të plotë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"