Tirana rikthehet mes vuajtjesh, shënon Semedo. Dede: S’e merituam, por triumfuam

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 3, 2013 | 11:36

Tirana rikthehet mes vuajtjesh, shënon Semedo. Dede: S’e merituam, por triumfuam

Tirana-Kastrioti 1-0, Cota mes dy krutaneveTIRANA-KASTRIOTI   1-0
GOLAT: Semedo 10′
TIRANA: Çaka, Sina, Muça, Vrapi, Kalari, Kurti, Karabeci, Çaushaj (Peposhi 55′), Limani, Semedo (Kastrati 79′), Çota (Kërçiku 46′); Trajner: N. Dede
KASTRIOTI: I.Lika, Caca, Hoxha, Sheta, Xhafa, Muçollari (Daja 18′), Doku, Turdiu, Sefa, Fonseka (Karapici 72′), Ferraj; Trajner: R .Ndreu
KARTONË TË VERDHË: Kurti 3′, Çaka 75′, Peposhi 81’/ Xhafa 18′, Caca 30′
KARTON I KUQ: Xhafa 88′ (2V)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
VËZHGUES: Lirim Çuka (Tiranë)
GJYQTARET: E.Sino, I.Tartari, O.Grabova (Fier)

MINUTAT
10′ Goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton Çaushaj, topi shkon në zonë, Semedo pranë portës, gjuan bukur me finte dhe 1-0.
21′ Top në zonë, Fonseka në dyluftim me Çakën, krutanët pretendojnë penallti, Tirana karton për simulim.
35′ Rast i artë për Tiranën, Çota futet bukur në zonë, kalon dhe Likën, gjuan, por topi përfundon në rrjetën e jashtme.
37′ Doku rrezikon portën e Çakës, por nuk gjen kuadratin.
50′ Daja tenton nga distanca, por Çaka pret.
55′ Fonseka futet bukur bë zonë në tentativë për të gjuajtur, Çaka neutralizon rrezikun.
56′ Kërçiku kombinohet me Kurtin, i cili gjuan, por topi shkon pak mbi tra.
57′ Abraham kroson për Sefën, i cili gjuan nga jashtë zone, por topi largohet nga mbrojtja.
75′ Goditje dënimi për krutanët, Ferraj godet fuq ishëm, megjithatë Çaka e largon rrezikun, duke pritur në kohë.
88′ Daja futet në zonë, gjuan, por Çaka grushton.
92′ Goditje dënimi për Kastriotin, Ferraj kroson topin në zonë, Çaka grushton dhe topi kthehet te Sheta, që tenton me kokë, por portieri i Tiranës largon sërish rrezikun.

Tirana rikthehet te fitorja. Bardheblutë kanë mposhtur mes vuajtjesh dje në “Selman Stërmasi” Kastriotin, me shifrat minimale 1-0. Tri pikë të arta për kryeqytetasit, që u kthejnë disi qetësinë pas tri humbjeve radhazi. Këtë triumf e vulosi portugezi Hoze Semedo, i cili në minutën e 10-të, me një finte të bukur zhbllokoi rezultatin. Por, meritat për këtë takim shkojnë edhe për portierin Çaka, i cili me pritjet e tij evitoi gola të sigurt. Takimi u kontrollua përgjithësisht prej miqve nga Kurja, të cilët krijuan, por gabuan në finalizim. Por Tirana, edhe pse nuk shkëlqeu, tashmë ndihet më e qetë dhe shmang furtunën.
Pjesa e parë Ndeshja nisi e qetë dhe pa raste. Loja ishte e përqendruar në mesin e fushës, teksa Kastrioti shfaqi hapur ambicien e vet, duke krijuar një volum të madh loje dhe mbajtur kontrollin e topit. Por, në të 10-n fati i buzëqesh Tiranës. Goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton Çaushaj, topi shkon në zonë, Semedo i ndodhur pranë portës, gjuan bukur me finte dhe 1- 0. Në minutën e 21-të top në zonën e vendëse, Fonseka në dyluftim me Çakën kishte shans për të shënuar, por gjithçka ndalet prej portierit. Krutanët pretendojnë penallti, ndërsa Tirana karton për simulim. Rasti më i mirë për bardheblutë vjen në minutën e 35-të, teksa Çota futet bukur në zonë, kalon dhe Likën, gjuan, por topi përfundon në rrjetën e jashtme. Kundërpërgjigja e miqve nuk vonon, teksa dy minuta më pas Doku rrezikon portën e Çakës, por nuk gjen kuadratin. Ky fraksion mbyllet këtu, me kryeqytetasit në avantazh.
Pjesa e dytë Në këtë pjesë, Kastrioti shfaqet këmbëngulës dhe në kërkim të golit të barazimit. Kjo i shtyn krutanët në zonën mike dhe episodet nuk mungojnë, por Çaka ishte në një ditë të mirë dhe ka qenë “heroi” i takimit. Si pasojë bardheblutë ndjejnë presion dhe detyrohen të qëndrojnë në prapavijë, pasi kërkojnë të mbrojnë rezultatin. Në minutën e 50-të Daja tenton nga distanca, por Çaka pret. Pesë minuta më tej është Fonseka, që futet bukur në zonë, në tentativë për të gjuajtur, por Çaka neutralizon rrezikun. Kundërsulm i vendësve, teksa Kërçiku kombinohet me Kurtin, i cili gjuan, por topi shkon pak mbi tra. Gjithsesi kjo nuk i demoralizon miqtë, që në të 57-n mund të baraspeshonin gjithçka. Abraham kroson për Sefën, i cili gjuan nga jashtë zone, por topi largohet nga mbrojtja. Shtohet tensioni dhe në lojë shfaqet hapur grinta, me disa ndërhyrje që ishin të ashpra. Tirana mundohej që të zinte në befasi Kastriotin, por pa forca në sulm, pas daljes së Semedos dhe Çotës nuk u krijua asnjë rast i rrezikshëm. Në të 75-n një goditje dënimi krijon rrezik për portën e Tiranës. Ekzekuton një “ish”, pikërisht Ferraj, por topi i tij ndalet vetëm prej Çakës që pret në kohë. Në të minutën e 88-të është edhe një tentativë e Dajës, i cili futet mirë në zonën mike, gjuan, por Çaka kthehet në “makth” për miqtë, pasi grushton. Minutat shtesë shtojnë tensionin te Tirana, duke qenë se krutanët mbeten në zonën e tyre. Në të 92-n, goditje dënimi për Kastriotin, Ferraj kroson topin në zonë, dhe sërish Çaka grushton. Por, topi nuk është larguar dhe kthehet te Sheta, i cili godet me kokë, por portieri i Tiranës edhe një herë largon rrezikun. Kështu, bardheblutë marrin pikët e plota, ndërsa krutanët kënaqen vetëm me lojën.

MË I MIRI
Hoze Semedo ishte protagonisti i ndeshjes së djeshme. Sulmuesi portugez ka meritat e tij pasi shënoi një me vlerën e tri pikëve për bardheblutë. Por, realisht më i miri në fushë ishte portieri Marsel Çaka, i cili me pritjet e tij evitoi gola të sigurt të Kastriotit dhe nderoi Tiranën. Pas nuk mbeti loja e Karabecit, i cili shfaqi grintë dhe rrezikshmëri në mesin e fushës.

MË PAK AKTIVI
Sulmi i Kastriotit ishte në një ditë të dobët. Edhe pse skuadra krijoi një volum të madh loje dhe disa episode të rrezikshme, finalizimi ishte tejet i dobët. Kate Fonseka, sulmuesi brazilian, ishte larg pritshmërive të stafit teknik. Lojtari, edhe në ato raste që kishte shansin të barazonte shifrat, nuk arriti që të rrezikonte në portën e Tiranës.

Tirana-Skenderbeu 0-2, Dede i merzitur nga humbjaDede: S’e merituam, por triumfuam
Nevil Dede e thotë hapur që Tirana nuk e meritoi fitoren. Por, nga ana tjetër, nuk nguron të pranojë se e kënaqin këto tri pikë. Gjatë deklaratës së dhënë për mediat, pas ndeshjes, trajneri i Tiranës analizon lojën, ekipin dhe gjykimin. Por nuk nguron të komentojë edhe deklaratat e bëra publikisht prej donatorit Refik Halili, i cili ka kërkuar largimin e tij.
Tirana gjen fitoren, ju bindi ekipi?
Nuk e meritonim fitoren. Bëmë një ndeshje jo të mirë, por me sa duket në futboll nuk është e thënë të luash mirë që të kesh rezultate. E bëmë këtë para disa ditësh kundër Teutës, por nuk ia dolëm dot. Ndërsa sot mundëm të merrnim pikërisht atë që kërkonim.
Sa vlejnë këto pikë për skuadrën, pas tri humbjeve radhazi?
Sot (dje) na duheshin tri pikët, ishte me rëndësi pra që t’i merrnim. Ky është futbolli, na interesonte kjo fitore, pasi vinim pas tri humbjeve dhe më në fund ia dolëm.
U kthye Tirana, apo ka ende punë për të qenë aty ku të gjithë presin?
Fituam sot, ndaj duhet të kënaqemi. Puna jonë nuk ndalet këtu. Ne do vazhdojmë të stërvitemi, që në të ardhmen të kthehemi aty ku të gjithë duan.
Sa i përket gjykimit, u patë kërkues gjatë lojës, çfarë nuk shkoi?
Nuk kam ndërmend të bëj asnjë koment për gjykimin. Gjatë ndeshjes kam kontestuar shumë, por pas ndeshjes nuk kam për të thënë asgjë.
Tirana kthehet edhe te goli, dhe ai që shënoi ishte Semedo…
E rëndësishme nuk është kush shënon, por të shënosh. Ndaj nuk dua të merrem me lojtarin, por me ekipin në tërësi. Shënuam dhe fituam, kjo është historia.
Çfarë mund të na thoni për deklaratat e Halilit, i cili kërkon largimin tuaj?
Ai është një person që ka investuar te Tirana, por nuk e kam kuptuar kurrë se ku ka dashur të dalë me ato që ka thënë. Gjatë verës, kur ishim në vështirësi, askush nuk pyeste për ne. Tani po shoh që të gjithë duan të jenë pjesë e saj. Kaq mund të them, asgjë më tepër.

Prapaskena, ja si Babasi refuzoi shkarkimin e Dedes
Mbrëmja e së martës nuk ka kaluar fort e qetë te Tirana. Prapaskena e asaj nate ka sjellë një diskutim të gjerë mbi shkarkimin e trajnerit Nevil Dede. Donatorët e bardhebluve, konkretisht Refik Halili dhe Lul Morina, i kanë kërkuar administratorit Krenar Alimehmeti largimin e menjëhershëm të teknikut nga drejtimi i skuadrës. Një gjë të tilla, numri një i klubit ia bëri me dije edhe vetë Dedes, duke i komunikoi se çfarë po ndodhte. Menjëherë është informuar edhe Ndriçim Babasi mbi atë që po ndodhte, si dhe kërkesën e dy sponsorëve të tjerë të 24 herë kampionëve të vendit. Burime të sigurta pranë drejtuesve zbulojnë për “Panorama Sport”, se donatori Babasi u ka kërkuar dy homologëve të tij që të presin edhe pak dhe t’i japin një tjetër shans trajnerit. Ai kërkoi që të pritej për të paktën edhe një ndeshje, pasi mund të merrej një vendim i nxituar. Dhe kështu ndodhi, pasi mes drejtuesve u vendos që teknikut t’i jepej edhe një mundësi, pra gjithçka do të varej nga 90-minutëshi me Kastriotin. Dhe duket se donatori ka pasur të drejtë, pasi bardheblutë pas tri humbjeve radhazi, dje u rikthyen te fitorja e shumëpritur. Një triumf që nuk vlen thjesht tri pikë, por që qetëson krejt ambientin kryeqytetas dhe vetë trajnerin në detyrën e tij. Sikundër dihet tashmë, polemikat kanë nisur fill pas humbjes së pësuar në Kavajë me Teutën, kur edhe pse Babasi e konfirmoi teknikun, pala tjetër, pra Halili, doli publikisht duke kërkuar shkarkimin e Dedes.

Tirana-Kastrioti 1-0, Semedo ka shenuar golin e pare bardhebluSemedo e bën sefte: I lumtur që ktheva ekipin te triumfi
Hoze Semedo ishte heroi i Tiranës. Portugezi me golin e shënuar u dha tri pikë të arta bardhebluve, të cilët kishin tri javë që e kërkonin kthesën. Sulmuesi shtatshkurtër, që u afrua në momentet e fundit të merkatos, shprehet i lumtur që i dha fitoren skuadrës së tij. Kjo ishte ndeshja e dytë për të, por vetëm dje e bëri sefte, duke ngritur peshë të gjithë stadiumin dhe krijuar qetësi në kampin kryeqytetas. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi me origjinë nga Kepi i Gjelbër rrëfen emocionet dhe jetesën e tij në Shqipëri pas një muaji. “Jam shumë i lumtur që shënova. Është goli i parë për mua, e prisja që me Teutën në fakt. Por gjithsesi mjafton që skuadra fitoi dhe mori tri pikë me vlera pas rezultateve negative që kemi marrë deri më tani. Duhet pranuar që nuk zhvilluam një lojë të mirë, sepse kundërshtari na dominoi. Megjithatë, në fund të fundit, llogaritë bëhen me pikë. Kemi kohë të rikuperohemi edhe në këtë drejtim. Ne luftuam dhe nuk u dorëzuam për asnjë moment, duke ruajtur kështu edhe avantazhin”, – thotë Semedo. Më tej sulmuesi tregon se si kanë qenë këto ditë në kryeqytet, sa është përshtatur dhe vështirësia në komunikim. “E çuditshme mund të them, pasi e kam të vështirë. Kam shumë pak këtu, më shumë se 1 muaj dhe nuk e kam të lehtë komunikimin. Përshtatja ime do vijë me kalimin e kohës. Megjithatë, më ngroh fakti që gjej mbështetje në ekip dhe te stafi. Shpresoj të mësoj diçka nga gjuha juaj dhe jetesa të më bëhet më e lehtë në kryeqytet”, – përfundon portugezi i bardhebluve. Edhe pse ai e nisi ndeshjen si titullar, doli 10 minuta para fundit, sepse pësoi një dëmtim të lehtë. Ndaj për të mos e rrezikuar, stafi teknik mendoi që ta zëvendësonte me Kastratin. Lojtari nuk rrezikon asgjë, kështu që është gati për sfidën e radhës.

NDREUUUUUUU“Gabuam në finalizim, kam pretendime për një penallti”
Ramazan Ndreu ka pretendimet e veta për një penallti, e cila sipas tij u është mohuar krutanëve. Trajneri i Kastriotit, në deklaratën dhënë për mediat në fund të takimit, u shfaq i kënaqur me lojën dhe volumin e krijuar prej të tijve, por ka rezerva për sulmin. “Bëmë një ndeshje në kompleks të mirë. E menaxhuam lojën dhe patëm kontrollin e topit thuajse gjatë gjithë 90-minutëshit. Por kjo nuk mjaftoi, sepse edhe pse bëmë volum dhe krijuam disa raste të mira, nuk arritëm të shënonim. Kam rezervat e mia për ofensivën, pasi vazhdojmë të vuajmë në finalizim. Kështu e ka futbolli, mund të luash mirë, por në fund pikët i shkojnë kundërshtarit. Gjithsesi, më duhet të pranoj se ky grup më jep shpresë për vazhdimësinë. Ne mund të ecim dhe këtë e dëshmojmë pas çdo takimi të luajtur. Tashmë ka ardhur koha që të mbledhim pikë dhe të konsolidojmë pozitat tona”, – u shpreh numri një i pankinës krutane. Sa i përket gjykimit, trajner mendon se nuk pati ndonjë gjë të madhe, sikundër pretenduan bardheblutë. Por, ai thotë se ka pretendimet e veta për një penallti. Pikërisht atë të minutës së 21-të, kur Fonseka ndërpritet nga Çaka. “Mendoj se gjykimi nuk pati kaq probleme sa po flitet. Por unë nga ana tjetër kam pretendimet e mia për një penallti, që mendoj se na u mohua. Nga këndi që e pashë unë, m’u duk sikur na u mohua 11-metërshi, megjithatë do pres moviolën që ta shoh më konkretisht dhe të jap gjykimin tim përfundimtar. Tashmë ta harrojmë këtë takim dhe të mendojmë për atë të radhës”, – shtoi trajneri i krutanëve, Ndreu.

Stadiumi i blinduar, shumë policë
Ajo çka binte në sy dje në stadiumin “Selman Stërmasi” ishte numri i madh i forcave të rendit. Madje, mund të thuhet se kishte më shumë policë, sesa tifozë. Mbi 60 të tillë ishin në gatishmëri në ndeshjen e luajtur mes Tiranës dhe Kastriotit. Fakti që ky impiant nuk plotëson kushtet e kërkuara prej federatës sonë, bëri që të dominonin “xhaketat blu”. Gjithsesi, nga ana e tifozëve bardheblu, të cilët ishin të pranishëm dje për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës, nuk pati asnjë problem. Duke përjashuar ndonjë sharje në kor, sikundër ndodh zakonisht, që sidoqoftë forcat e rendit nuk mund ta shmangin.

PIKANTE NGA NDESHJA
* Donatori i Tiranës, Ndriçim Babasi, shfaq hapur nervozizmin e tij kundrejt gjykimit dhe vendimeve të marra, sidomos gjatë pjesës së dytë.
* Elton Muçollari përfundon me ambulancë në spital, pas një ndërhyrjeje të Kurtit në fytyrë. Lojtari është mirë, por nga sa mësohet është tronditur nga ky rast.
* Ndreu krijon humor në stadium. Në të 18′, në një kohë që arbitri i katërt i rrinte ngjitur, iu drejtua duke i thënë: “Këtu me mua do rrish, nuk jam i lirshëm dhe i qetë me ty kaq afër”.
* Katër minutat shoqërohen me dy të dëmtuar. Rasti i parë ishte i Muçollarit, pas ndërhyrjes së Kurtit, ndërsa i dyti ishte Çota, pasi goditet me bërryl prej Ferrajt.
* Rigers Hoxha, mbrojtësi i Kastriotit, ishte i vetmi lojtar që në fanellën e tij nuk kishte logon e klubit të tij.
* Tribuna ishte e tejmbushur dje. Veç Babasit, Morinës, në fund iu bashkua edhe donatori tjetër Halili. Pa harruar Fatmir Mediun dhe prefektin Keltis Kruja. Nga krutanët ishte presidenti Djala.
* Peqini merr përgjigjet nga Austria. Lojtari do të operohet, duke qenë se dyshimet u vërtetuan, ka kroçat. Mbrojtësi pritet të mbetet jashtë mbi 5 muaj, maksimumi 6.
ADELA MERKO





www.minuta90.com