Tirana “peshkon” në fundin e merkatos, bardheblutë pranë afrimit të sulmuesit që e mbylli me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2023 | 18:13

Tirana “peshkon” në fundin e merkatos, bardheblutë pranë afrimit të sulmuesit që e mbylli me Kukësin

Tirana mund përforcohet me polivalentin Rimal Haxhiu. 23-vjeçari mund t’u bashkohet bardhebluve pas eksperiencës që pati me Kukësin dhe Dinamon në Superiore. Vetëm pak muaj ai qëndroi te verilindorët, pasi kishte nënshkruar një kontratë njëvjeçare. Nga ana tjetër, kontrata u prish në janar. Lojtari është i lirë dhe drejtuesit e Tiranës janë duke negociuar me lojtarin.

haxhiu

Mbetet për t’u parë nëse do të arrihet marrëveshja mes Tiranës dhe lojtarit Haxhiu. Futbollisti 23-vjeçar, Haxhiu, e njeh mirë kampionatin shqiptar pasi sezonin e fundit ka qenë pjesë e ekipit të Kukësit, Dinamos, teksa ka luajtur edhe me Apoloninë në Superiore.

Ai mund të luajë te Tirana në të gjithë krahët, duke qenë një zëvendësues ideal në skuadër.

Haxhiu ka qenë pothuajse rregullisht në formacionin e parë duke luajtur në të gjithë krahun e djathtë të fushës, si në mbrojtje, ashtu edhe përpara në 17 ndeshje këtë sezon. Lojtari është aktivizuar edhe 1383 minuta në Superiore, pa llogaritur ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.

MERKATO – Për Tiranën Haxhiu është lojtari i tretë që mund të afrohet në skuadër. Deri tani te bardheblutë janë afruar dy lojtarë, Regi Lushkja dhe Kristal Abazaj. Dy lojtarët janë shumë të njohur në kampionatin shqiptar ashtu si edhe Abazaj.

Nga ana tjetër, Tiranës i janë larguar disa lojtarë, duke filluar nga Realf Zhivanaj, Lukman Husein, Sherif Kallaku, Arbër Bytyqi, Vesel Limaj, Redon Xhixha, Marsel Ismajlgeci.

Skuadra për momentin ka mungesa lojtarësh, pasi janë larguar shtatë lojtarë dhe janë afruar vetëm dy futbollistë. Dita e martë do të jetë vendimtare për merkaton e Tiranës dhe klubin bardheblu. Skuadra kërkon një mbrojtës të djathtë dhe një sulmues.

Tirana në këtë moment që flasim ka shitur dy lojtarë gjatë merkatos së janari. Bëhet fjalë për Redon Xhixhën dhe Marsel Ismajlgecin, të cilët u kanë sjellë bardhebluve 700 mijë euro. Këtu nuk llogariten largimet e verës ku Tirana shiti tre lojtarë, Seferin, Tolin e Totren për shumën 820 mijë euro.

Këtë sezon Tirana vetëm nga shitja e lojtarëve ka grumbulluar mbi 1.5 milionë euro, plus paratë e titullit dhe Europës.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"