“Tirana për titull, Partizani s’mund të luante në ‘Selman Stërmasi’”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2016 | 19:12

“Tirana për titull, Partizani s’mund të luante në ‘Selman Stërmasi'”

Blendi Nallbani e sheh Tiranën pretendente kryesore për titullin kampion. Sipas “Tatës”, me afrimin e afrikanëve, drejtuesit kanë bërë lëvizjet e duhura në merkato.

Blendi Nallbani

Blendi Nallbani

Për ish-portierin, kryeqytetasit gabuan vetëm me Fukuin, të cilin nuk duhet ta linin kurrsesi që të shkonte te Skënderbeu.

Ai nuk e cilëson habi faktin që Partizani do luajë në Elbasan, ndërsa Korabi në “Selman Stërmasi”, pasi në çdo vend të botës në derbi nuk ka “pakte” të tilla.

Në fund, ai komenton edhe humbjen e të kuqve në Rusi, madje i del në mbrojtje portierit Alban Hoxha. Ndërsa “eksodin” nga Shqipëria drejt Kosovës nuk e cilëson tragjike.

Si e gjykon “Tata” merkaton e bërë deri më tani në Superiore, cila skuadër është një hap më para dhe cila është e vonuar?

Me sa jam informuar nga mediat, deri më tani merkato të fuqishme ka bërë klubi i Tiranës, Partizanit, Kukësit, Vllaznia deri diku, Flamurtari, madje edhe Korabi gjithashtu, teksa në krye ka një trajner mjaft të mirë si Mërgjyshi dhe një sponsor të fuqishëm. Por mua më intereson vetëm Tirana.

OK, ndalemi te Tirana. Katër afrikanët e afruar rishtas i konsideroni të duhurit për bardheblutë?

Me kontaktet që kam pasur me presidentin, por edhe me videot që kam parë në internet, them që janë të duhurit. Janë lojtarë shumë të mirë dhe janë blerje të studiuara mirë nga përgjegjësit e merkatos. Nisur nga kjo, Tiranën e shoh pretendente për të dalë kampione. Megjithatë edhe Partizani e Skënderbeu nuk mbeten pas. Ato janë një hap para, por nëse do vazhdojnë me të njëjtin ritëm, kjo mbetet për t’u parë.

Me këto goditje që janë bërë, ju mendoni se titulli do të rikthehet në shtëpinë e trofeve?

Tirana nuk ka fituar titull që në 2009-ën, kohë kur edhe unë luaja ende futboll, por megjithatë këtë e shoh si vitin e duhur për t’u shpallur kampion. Ka ardhur ora.

Mos ndoshta merkatoja është pak e vonuar, pasi blerjet e reja u bashkuan vetëm në ditët e fundit, ndërkohë që faza përgatitore është mbyllur?

Miqësorja e nesërme (sotme) me Apoloninë do na japë mundësinë që t’i shohim, por koha e interesit ka evoluar, ndaj me videot që kemi vëzhguar unë mund t’i cilësoj afrimet të duhura. Ky është mendimi im, pasi ato ndoshta edhe nuk shkëlqejnë. Por, nga të dhënat, mua më duken shumë të mirë. Ai nga Gaboni dhe nigeriani më kanë pëlqyer më shumë.

Tirana ka nënshkruar me Edeh, por a nuk është pak një qendërsulmues për të përballuar të gjithë sezonin?

Ndërhyrje do ketë besoj ende, pasi merkatoja mbyllet në fund të këtij muaji. Unë di që do të ketë të tjera afrime. Unë jam optimist për këtë Tiranë. Sido që të shkojë puna, me emrin dhe historinë, do jetë kurdoherë pretendente. Vitet e fundit nuk i ka ecur, megjithatë unë shpresoj që klubi të rikthehet aty ku e kemi lënë.

Tirana në vitet e fundit ka qenë edhe larg Kupave të Europës, këtë vit mendoni që nuk do të diskutohet?

Nuk duhet kurrsesi. U bënë shumë vite, që në kohën e Rubios. Është për të ardhur keq, por unë kam idenë që drejtuesit do të punojnë që Tirana të jetë ku e ka vendin. Në vitet e mia, të shkoje në Europë ishte një arritje e dorës së dytë, pasi ne donim vetëm kampionatin. Tashmë ka ardhur koha që të mos kënaqen më me pak, por të luftohet për titullin.

Cilin shihni si repartin që ka ende nevojë për afrime?

Sulmin nuk po e përmend, pasi do ketë ende prurje. Portën e cilësoj të blinduar, me Likën dhe Bakajn, ndërsa repartet e tjera mendoj se janë gati, paçka se stafi teknik e di më mirë se ku duhen përforcime. Por një ekip i mirë ka nevojë për një stol të mirë. Rezervat duhet të jenë me nivel që të rivalizojnë me ata që do të jenë në fushë. Trajnerin e kanë të shkëlqyer, drejtuesit po ashtu, nuk mungon gjë me pak fjalë. Katër që kanë ardhur nuk është se janë të “rënë prej qiellit”, pasi një mund të mos bëjë. Megjithatë shpresoj që të mos kenë gabuar në merkato. Tirana nuk mund të pranojë skarcitete, pasi është një klub me emër.

A e keni vënë re krizën për sulmin, si ka mundësi që nuk prodhohen më lojtarë për këtë repart?

Në fakt, Tirana thuhet sikur ka dy vite që ka vuajtur, por unë mendoj se në dy sezone ka pasur Elis Bakajn. OK, nuk ishte “pykë” e mirëfilltë, por golat i ka bërë. Pastaj, ai po i jep tonusin edhe ekipit të vet në Kroaci. Ndaj nuk besoj se ka pasur deficite, pastaj po shtoj këtu edhe Fukuin. Një lojtar që mori Skënderbeu. Një lojtar shumë i mirë, madje mendoj se Tirana ka bërë shumë gabim që e la. Pasi kështu u forcua kundërshtari, megjithatë nuk do të ndihet, pasi janë afruar edhe këta afrikanët, konkretisht Romuald, ai nga Gaboni.

A ju duket çudi që në kryeqytet do luajë Korabi, ndërsa Partizani shkon në Elbasan?

Unë jam 1 milion për qind i sigurt se as Partizani nuk do pranonte të luante në “Selman Stërmasi”. Në fakt, drejtuesit kishin bërë një telefonatë në klubin e Tiranës për këtë çështje… Nuk do pranonte prej tifozëve, pasi ata nuk do të pranonin. Po flasim për ekipe të kryeqytetit dhe rivale të përjetshme. Madje edhe Partizani po të kishte një stadium, nuk do ta lejonte Tiranën. Mua nuk është se më pëlqen, por në fakt as në botë nuk ndodh. Torino nuk mund të luajë te stadiumi i Juventusit apo e kundërta. Më mirë bëjnë kilometra më shumë, sesa të luajnë në stadiumin e rivalit.

A mos ndoshta do të kishte më shumë fitim?

Tifozëria e Korabit është aq e madhe në kryeqytet, madje këtu ku jam unë, te Njësia 8, janë afro 1500 dibranë. Imagjino në gjithë Tiranën… Pastaj, në dijeni time, është lidhur kontrata me Korabin, ndaj për tre klube në një impiant do të ishte e pamundur.

Po shorti si ju është dukur, Tirana e nis me dy ndeshje jashtë…

Shkon në Durrës dhe Laç në mos gaboj. Sido që të jetë, jashtë e brenda, nëse duan të dalin kampion, brenda nuk duhet t’i diskutojnë, por edhe jashtë duhet fitorja. Dhe shyqyr që i nis me transferta, pasi me një start të mirë jashtë fushe, titulli do të ishte më i mundshëm.

A e dëmton klubin pasiviteti i Bashkisë Tiranë, që ende nuk ka dhënë kontributin si aksionere?

Unë di që këtë sezon ata do të kontribuojnë në çdo sport, këtë e them pas bisedës që kam pasur me vetë kryetarin e bashkisë. Di që ai do të japë garanci financiare si aksioner, jo vetëm për futbollin, por edhe për sportet e tjera. Pastaj, kam dijeni, nuk do të mungojnë as premiot për suksese.

Shumë lojtarë kanë përdorur emrin e Tiranës për të rritur “pjacën” në merkato dhe në fund kanë zgjedhur klube të tjera. Një fenomen që e ka ngritur si shqetësim edhe vetë klubi bardheblu…

Pa ofenduar klubet e tjera, një gjë dua t’u them lojtarëve, që të luash te Tirana është një privilegj i jashtëzakonshëm. Edhe pse kohët e fundit nuk ka qenë ajo Tiranë që të gjithë duam, por të gjithë duhet ta dinë për nder. Kështu e kam pasur unë, por edhe shokët e mi. Është klubi 24 herë kampion.

Ndalemi pak te Partizani. E prisnit humbjen me shifrat 4-0 në Rusi?

Partizani dha maksimumin me rusët. “Murit nuk i bihet me kokë”, mundësitë tona aq janë. Djemtë dhanë sa mundën, por më erdhi keq për atë incidentin e ndodhur në aeroport. Nuk kam shumë të dhëna, por di të them që e keqja e të kuqve nuk ka mbetur te porta. Më vjen shumë keq, pasi te Partizani gjithnjë ka qenë pikë e fortë porta. Ai portier deri dje ngriti lart emrin e klubit dhe tani nuk është normale që të pritet në këtë mënyrë. Nuk pajtohem me këto veprime.

Asnjë klub shqiptar nuk ka depozituar një garanci për buxhetin e sezonit të ri. A duhet të ndryshonte diçka në këtë drejtim?

Kjo është një sëmundje e vjetër e futbollit shqiptar. Por edhe FSHF-ja duhet të tolerojë disi, pasi kriza financiare dihet që është. Është një problem që zgjidhet, megjithatë ky problem është në çdo sport, jo vetëm në futboll. Së fundmi, ndalemi te Kombëtarja, si e gjykoni eksodin e lojtarëve drejt përfaqësueses së Kosovës? Kur ikën nga Franca, nuk i dhamë shumë rëndësi. Ndërsa tani po bëjnë zhurmë të madhe. Nuk i vë faj as De Biazit, por gjithkush ka të drejtë që të vendosë vetë për karrierën e tij. Rëndësi ka qenë ne jemi një, pastaj në fund të fundit te Kosova shkuan dhe jo te Gjermania, për vendin e tyre do të luajnë. Nuk ka asgjë të keqe në këtë drejtim.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"