Tirana ofertë ish-sulmuesit të Vardarit, gati transferimi. Kontakte edhe mesfushorin e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2018 | 20:44

Tirana ofertë ish-sulmuesit të Vardarit, gati transferimi. Kontakte edhe mesfushorin e Skënderbeut

Nis zyrtarisht mer katoja për Tiranën. Pasi dështuan tratativat me Cetkoviçin, klubi ka zhvendosur vëmendjen te të tjerë futbollistë. Rikthimi në elitë do të shoqërohet me objektiva madhorë, ndaj drejtuesit kanë nisur punën për përforcimin e grupit. Në një kohë që kanë nisur kërkimet për një tjetër fantazist, po negociohet me futbollistët Dejan Blazhevskin dhe Bruno Ditën.

dejan blazhevski

Blazhevski – Tirana i bën ofertë ish-sulmuesit të Vardarit. Bardheblutë kanë nisur prej më shumë se një muaji kontaktet me Dejan Blazhevskin, i cili është lojtar i lirë në treg. Përtej moshës së madhe (32 vjeç), ai konsiderohet si një alternativë e vyer për repartin e avancuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për bisedime, pasi drejtuesit kanë avancuar ndjeshëm, duke i dërguar edhe kontratën futbollistit, i cili gjatë karrierës së tij është aktivizuar edhe në disa ekipe greke apo azere.

Lajmi konfirmohet edhe prej mediave maqedonase, të cilat theksojnë që transferimi mund të realizohet shumë shpejt. Megjithatë, Tirana nuk është e vetmja që është vënë në “gjurmët” e tij, pasi Blazhevski kërkohet edhe në Tailandë e Qipro. Por më i joshur duket prej Tiranës, oferta e të cilëve është më seriozja. Sulmuesi është një produkt i Vardarit, megjithatë futbollin si profesionist e ka nisur me Pelisterin, ku është aktivizuar për 57 ndeshje dhe shënoi 12 gola, më pas kaloi në Greqi ku luajti për Agrotikos Asteras (64 ndeshje, 8 gola), Verian (29 ndeshje, 2 gola) dhe Pierikos (34 ndeshje, 2 gola).

Pas aventurës në tokën helene u kthye në Maqedoni në 2012-ën, ku për dy sezone u bë pjesë e Turnovos (50 ndeshje, 37 gola). Pas eksperiencës në Strumicë u zhvendos në Azerbajxhan, por atje qëndroi vetëm një vit. Që nga 2015-ta e deri më tani, mbrojti për Vardarin. Sakaq, me kombëtaren maqedonase numëron 4 takime dhe 1 gol.

Dita

Dita – Lajmi që Skënderbeu nuk do të marrë pjesë në Champions ka “zgjuar” klubet shqiptare. Veç skuadrave që duan që të rrëmbejnë ndonjë element për Europën, ka edhe nga ata si Tirana që pretendojnë të përforcojnë organikën me futbollistë të korçarëve për sezonin e ri. Bruno Dita ka qenë prej kohësh në planet e bardhebluve, e megjithatë kontrata që ai ka me kampionët në fuqi të vendit u kishte zbehur shpresat për të pasur shërbimet e tij.

Por situata ka ndryshuar të enjten, ndaj edhe Tirana ka nisur menjëherë që të hedhë “sytë” në Korçë. Burime për gazetën konfirmojnë se mesfushori 25-vjeçar, i cili është produkt i Dinamos, është telefonuar dhe i është bërë me dije se e kanë në plane. Por “ngërçi” lidhet me kontratën e tij, ndaj për çdo lëvizje të Ditës duhet të vendosë vetë Skënderbeu.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"