Tirana, “nxehmje” ndaj Elbasanit, Magani: Lojtarët larg formës, duhet qendërmbrojtës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2014 | 9:57

Tirana, “nxehmje” ndaj Elbasanit, Magani: Lojtarët larg formës, duhet qendërmbrojtës

Magani flet para Tiranes ne stervitjeTrajneri i Tiranës, Gugash Magani, ka mbetur i pakënaqur nga loja e pjesës më të madhe të lojtarëve të skuadrës, pavarësisht rezultatit. Sipas “Gashit”, ekipi është ende larg formës së kërkuar. Ndërkohë, tekniku foli edhe për lojën e të afruarve gjatë kohëve të fundit.
Magani, si ju duk miqësorja me Elbasanin?
Nuk jam shumë i kënaqur nga loja e skuadrës, por gjithsesi, nisur nga fakti se jemi në start të fazës përgatitore dhe lojtarët nuk janë ende në formën e duhur, mund t’ju them se deri diku mirë.
Kush nuk ju bindi?
Le të themi se një pjesë e lojtarëve që unë i njoh fort mirë, pasi i kam pasur edhe sezonin e shkuar në organikë, por edhe ata që kanë ardhur rishtazi nuk ishin aty ku duhej. Të jesh lojtar i Tiranës, në gjykimin tim, duhet të sakrifikosh shumë më shumë se kaq.
Për cilin e keni fjalën në rastin konkret? Malaj, Bulku, Prekazi…
Bulku është lojtar që bën gjithnjë diferencën dhe bën gjithnjë përjashtim. Pra, nuk mund të flas veçse mirë për këtë futbollist. Sa i përket Malajt, ai bëri disa veprime të bukura, por gjithsesi ishte larg formës. Nuk më pëlqeu Prekazi, që të jem i sinqertë, por megjithatë të presim sesi do të ndryshojnë gjërat në ditët në vijim.
Pas zyrtarizmit të Bushiç, mund të themi se Tirana e ka mbyllur merkaton për sulmuesit?
Nuk e di. Më së pari duhet të pres që të shikoj lojtarët afrikanë, të cilët duhet të vijnë javën tjetër. Megjithatë, teorikisht, them se në sulm jemi të kompletuar.
Po mbrojtja?
Aty duhet me patjetër të ndërhyjmë. Na duhet një qendërmbrojtës.
I huaj apo shqiptar?
Kam përshtypjen se do të jetë i huaj, ndonëse nuk kemi ndonjë gjë konkrete për momentin. Shpresoj që ta kem ekipin të plotë për fazën përgatitore.
U vendos se ku do të zhvillohet?
Qëndron ideja për të shkuar në Austri, por duhet të zgjidhim problemin e vizave për të huaj. Në të kundërt, do të shkojmë në Maqedoni.

Tirana-Elbasani miqesoreTirana, “nxehmje” ndaj Elbasanit
TIRANA-ELBASANI 3-1

GOLAT: Karabeci 23’/ Muçaj 52′, Kaculi 85’/ Lamçja 74′
TIRANA: Çaka, Kërçiku, Prekazi, G.Muça, Hoxhallari, Bulku, Karabeci, Malaj, Sorra, Morina, Peposhi. Trajner: Gugash Magani. U aktivizuan: Frashëri, L.Muçaj, Pashaj, Vrapi, Kalari, Hoxha, Koreshi.
ELBASANI: Kotorri, Mehmetaj, Jaupi, Vogli, Kaçuli, Gava, Lleshi, Merxha, Hyshmeri, Bylykbashi, Malindi: Trajner: Ilirjan File
U aktivizuan: Ruçi, Dosti, Shazivari, Musta, Vllahi, Lamçja, Imami.
GJYQTARË: K.Kola/ E.Velo dhe R.Dobruna
KARTONË TË VERDHË: Kërçiku, Pashaj/ Jaupi, Vogli, Lleshi, Vllah
i KARTON I KUQ: Vllahi

Tirana fiton miqësoren e parë për edicionin e ri futbollistik, duke mundur 3-1 Elbasanin. Golat e Erando Karabecit, Ledion Muçajt dhe Kevin Kaculit zhvlerësuan rrjetën e Eri Lamçes, gjatë një 90-minutëshi ku nuk mungoi edhe një karton i kuq, dhënë të riut Vllahi. Takimi u luajt paraditen e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi”. Mirëpo, edhe pse në temperatura realisht të pranueshme, kjo edhe për shkak të shiut të rënë në ditët e fundit, sërish u vërejt një lojë e dobët nga të dyja skuadrat, me lojtarë që shiheshin farë qartë se ishin larg formës sportive të dëshiruar dhe kërkuar nga trajnerët respektivë.
Formacioni – Nisur nga fakti se të huajt te Tirana nuk kanë ardhur ende, trajneri Magani u dha shansin lojtarëve të tjerë të ardhur pak kohë më parë te klubi bardheblu. Të njëjtën gjë bëri pak a shumë edhe homologu i tij, Ilirjan File, i cili u mundua të merrte përgjigjet e duhura, më së shumti nga të afruarit e ditëve të fundit. Kështu, te Tirana luajtën nga minuta e parë Arbër Prekazi, Ervin Bulku, Argjend Malaj, teksa në pjesën e dytë u hodhën në fushë edhe Stivi Frashëri, Ledion Muaçaj dhe Kevin Kaculi. Ndërsa tek Elbasani u aktivizuan titullarë: Vogli, Hyshmeri dhe Malindi.
Ndeshja – Pjesa e parë ishte më e vakët si në raste dhe në gola, kjo pasi që të dyja skuadrat u mbrojtën mirë, duke mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit. Tirana, nën regjinë e Bulkut dhe Malajt, krijoi dy raste të pastra goli, teksa i pari u shfrytëzua më së miri nga Karabeci, i cili me një gjuajtje përfitoi edhe nga hutimi i mbrojtësve kundërshtarë për ta dërguar topin në rrjetë, ndërsa rasti i dytë nuk u shfrytëzua si duhet nga Morina. Nga ana tjetër, Elbasani provoi me Bylykbashin dhe Malindin, por pa qartësinë e duhur.
Golat – Në pjesën e dytë, trajnerët bënë shumë zëvendësime, duke u munduar që të aktivizonin të gjithë lojtarët që kishin në dispozicion. Kësisoj, edhe loja u bë më e hapur. Fillimisht ishte Ledion Muçaj, i ardhur nga Besa e Kavajës, që shënoi një gol të bukur pas një gjuajtje fluturimthi me të majtën. Më pas ishte Lamçja, i cili shkurtoi diferencën e golave për verdheblutë. Pak minuta nga fundi sulmuesi i ri, Kevin Kaculi (ka luajtur te Tirana B vitin e shkuar), vulosi fitoren e bardhebluve. Sakaq, duhet thënë se, edhe pse një miqësore, arbitri i këtij takimi u detyrua të nxirrte kartonin e kuq, për të riun e Elbasanit, Vllahi, pas disa ndërhyrjeve sa të ashpra aq dhe të ekzagjeruara.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"