Tirana një hap larg humnerës, vetëm fitore për të mos “nxirë” historinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2017 | 12:44

Tirana një hap larg humnerës, vetëm fitore për të mos “nxirë” historinë

Tirana është vetëm një hap larg… humnerës. Për të shpëtuar, kërkohet vetëm fitore ndaj Luftëtarit. Zgjidhje tjetër nuk ka. Tashmë as llogaritë dhe kombinimet nuk bëjnë më punë. Nëse nuk ia dalin ndaj gjirokastritëve, atëherë ndeshja e fundit që luajnë në Shkodër nuk do të kishte kurrfarë vlere.tirana josa lika karabeci

Për të mos “nxirë” historinë që ky klub ka shkruar me germa të arta që prej krijimit të tij, ka vetëm një rrugë: të marrin maksimumin sot. Kjo është ndeshja e jetës për lojtarët dhe vetë trajnerit. Asnjë nuk do që të mbahen mend si protagonistët që sollën rënien e Tiranës nga kategoria për të parën herë në 96 vite.

Presioni dhe trysnia janë në nivele të larta, ndërsa vështirësitë shtohen kur dihet që numërojnë 3 mungesa të rëndësishme në mbrojtje dhe mesfushë, aq sa stafi teknik është i detyruar që “të eksperimentojë”. Sikur të mos mjaftonin këto, në kryeqytet presin një Luftëtar që synon vendin e 4-t dhe rrjedhimisht nuk do të jetë “dorëlëshuar”.tirana

Të gjithë këto faktorë kanë bërë që Mirel Josa të marrë masat e duhura, për t’i krijuar grupit qetësinë e nevojshme, pasi vetëm kështu mund të përgatiste strategjinë fituese, që këtë herë vlen sa mbijetesa. Ndaj dje ekipi u “izolua” plotësisht. Stërvitja u zhvillua me dyer të mbyllura.

Askush nuk u lejua në “Selman Stërmasi” pas orës 11:00, përfshi këtu jo vetëm mediat, por edhe ndonjë sy kurioz. Frika nga “spiunët” ndoshta e ka detyruar trajnerin që të marrë këtë verdikt. Ashtu si një javë më parë, në seancën përmbyllëse nuk munguan as drejtuesit më të lartë të klubit, madje Refik Halili kishte mbërritur shumë herët në stadium.Tirana stervitje

Presidenti mbajti edhe një fjalim të shkurtër për të mobilizuar grupin, duke u kujtuar edhe njëherë se shpëtimin e kanë vetë në dorë. “Pa fitore, nuk mund të mbijetojmë. Këtë e keni të qartë, ndaj sot duhet me çdo kusht që të jepni gjithçka nga vetja për të marrë pikët e plota.

Zgjidhje tjetër nuk ka. Shtrëngohuni, pasi askush nuk do të na e bëjë të lehtë”, mësohet të ketë thënë numri një i klubit pak para se të niste seanca. Vend për të marrë shpërblim nuk ka, ndaj, ashtu si para Skënderbeut, Halili nuk dha premtime.

Dhe, me të drejtë, pasi mbijetesa është detyrim moral për të gjithë protagonistët, duke filluar nga ata në fushë e për të kaluar në pankinë e në zyra.

Adela Merko

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"