Tirana nis të mendojë për merkaton, gjen sulmues për në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2017 | 11:17

Tirana nis të mendojë për merkaton, gjen sulmues për në janar

Tirana e ka zgjidhur problemin e golit, të paktën 3 javët e para dëshmojnë se më në fund kanë gjetur sulmuesit e shumëkërkuar. Megjithatë, në klub kërkojnë garanci për të ardhmen. Pasi pezulluan rikthimin e Ifeani Edeh (i cili ishte federuar, por më pas iu prish kontrata), bardheblutë kanë nisur të mendojë për merkaton e janarit.

tirana halili

Edhe pse duhen më shumë se dy muaj që të hapet tregu i shit-blerjeve, drejtuesit nuk kanë në plan që ta lënë gjithçka për në momentin e fundit. Pretendimet sezonale janë madhore, pasi veç ngjitjes së menjëhershme në elitë, kryeqytetasit synojnë fitimin e Kupës së Shqipërisë. Ndaj për ta realizuar me sukses këtë “mision”, janë hedhur në kërkim të një tjetër bomberi, që do të jetë një alternativë më shumë, veç Majkëll Ngoo dhe Junus Sentamusë.

Tirana

Ze Maria duket i “fiksuar” pas ish-ekipit, pasi nuk ka hequr dorë nga Zhak Tujisenge, të cilin në fakt e donte që gjatë merkatos së verës. Sulmuesi i përfaqësueses së Ruandës, i cili prej verës së 2016-ës luan te Gor Mahia, është në listën e dëshirave të trajnerit të Tiranës.

Kontrata e 26-vjeçarit skadon pas dy vitesh, megjithatë, sikundër raportojnë edhe mediat vendëse, ekziston mundësia që të gjendet edhe gjuha e përbashkët për ta lënë të lirë. Madje, thuhet që kartoni i tij mund t’i kushtojë jo më shumë se 4 milionë shilinga (vlera monetare e Kenias), që në euro konvertohet në 32 mijë euro.

Sulmuesi i Tiranes

Kujtojmë që në fillim të muajit gusht, Ze Maria u hodh në sulm për tre ish-lojtarët e tij. Asokohe, veç sulmuesit në fjalë, ai interesohej edhe për Kenet Mugunën dhe Godfrej Ualusimbin. Që të tre janë “yjet” e kenianëve dhe titullarë të padiskutueshëm, ndërsa në kohën kur trajner ishte Ze Maria, ata cilësoheshin si ushtarët e tij. Madje, pasi u zbulua plani i brazilianit, Gor Mahia i shpalli “luftë” publike, duke e kërcënuar edhe me FIFA-n.

ZI-MARIA-TUYISENGE

Por, ndoshta situatat kanë ndryshuar, dhe afrikanët mund të shfaqin gatishmëri për të transferuar këtë element në Shqipëri. Tujisenge numëron 29 ndeshje dhe 9 gola me Kombëtaren e Ruandës, ndërsa mësohet se paga e tij te kenianët shkon në 4 mijë dollarë, të paktën këto të dhëna qarkullojnë në rrjet.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"