Tirana nis javën anti-Skënderbeu. Shehi i pakënaqur, kërkon gola nga sulmi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 19:42

Tirana nis javën anti-Skënderbeu. Shehi i pakënaqur, kërkon gola nga sulmi

Orges Shehi shkund sulmin dhe kërkon nga reparti i avancuar që të jenë më konkretë. Të shtunën bardheblutë kanë luajtur një miqësore brenda grupit, ndërsa kryesorët e skuadrës nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe.

Tirana stervitje

Vetë trajneri Orges Shehi nuk është se ka mbetur shumë i kënaqur nga loja, ndërsa nga sulmi ka kërkuar më shumë. Shehi ua ka bërë të qartë sulmuesve: Që skuadra të fitojë, duhet që ata ta çojnë topin në rrjetë. Ngo nuk ka luajtur në sfidën miqësore, ndërsa Seferi, Xhixha dhe të tjerët duhet të impenjohen më shumë para porte.

Në fakt, edhe në ndeshjet miqësore, sidomos me Vllazninë, Shehi ka kërkuar përqendrim nga ekipi, sidomos nga sulmuesit të cilët duhet të jenë më të kthjellët dhe të shpejtë para portës. Gjithsesi, Shehi pret përgjigjen nga Ngoja, Seferi dhe Xhixha, që ndoshta janë sulmi më i shtrenjtë i Superiores. Të tre së bashku paguhen rreth 25 mijë euro, shifër jo e vogël për një skuadër në Superiore.

FORMACIONI – Për Shehin, formacioni në këtë moment është rebusi për t’u zgjidhur, sepse i mungon Çelhaka dhe Bekaj. I pari në mënyrë të përhershme. I dyti sa të kalojë COVID-in. Opsioni i parë i Shehit për formacionin është që Tirana të luajë pa mesfushor shkatërrues siç ka bërë dy miqësoret e fundit, që mesfusha do të jetë me treshen Totre, Limaj dhe Hoti. Sulmi pastaj do të jetë bombë me Xhixhën, Seferin dhe Ngonë, të cilët do të garantojnë golat bardheblu. Problemi i vetëm i kësaj skeme është që skuadra mbetet shumë e zbuluar në mesfushë. Opsioni i dytë është Ardit Toli shkatërrues. Futbollisti nuk u lejua të largohej nga bardheblutë për të qenë gati për mesfushën. Sezonin e shkuar ai luajti në pozicionin e Çelhakës dhe Shehi mund ta marrë në konsideratë. Gjithsesi, pikëpyetje ka edhe për këtë mundësi. Opsioni i tretë është Filip Najdovski. Maqedonasi është mesfushor, por te Tirana është aktivizuar gjithmonë si qendërmbrojtës. Sa herë ka luajtur në mesfushë, ka marrë kartonë, ndërsa drejtuesit e shohin me skepticizëm këtë opsion.

formacioni tirana

FAZA – Për t’u shënuar është se Tirana ka luajtur 9 miqësore deri tani. Bardheblutë kanë barazuar me Egnatian, Erzenin, Bylisin, si dhe kanë fituar me Dinamon, Pogradecin, Maliqin, Skënderbeun, Vllazninë dhe Burrelin. Skuadra nuk e njeh humbjen në testet e verës, por loja në sfidën e fundit ka lënë për të dëshiruar.

Ndeshje drejtuesish te Tirana

Në fund të stërvitjes së djeshme, në “Skënder Halili” është zhvilluar një ndeshje e vërtetë. Trajnerë dhe drejtues skuadre janë sfiduar me njëri-tjetrin në një ndeshje miqësore. Shehi, Fagu, Jani dhe menaxheri i skuadrës, Osmani, Halili dhe ish-lojtari i bardhebluve, Sorra, kanë zhvilluar një ndeshje të fortë me njëri-tjetrin. Rivaliteti ka qenë i madh, aq sa grupin nuk e ka ndalur as shiu. Shehi kishte lënë portën dhe luante në sulm. Një ndeshje me porta të vogla që ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve. Kujtojmë se javë më parë, mes bardhebluve u zhvillua kampionati i penalltive. Kjo tregon se klima te Tirana është e duhura.

Stërvitja, skuadra është e përgjysmuar

Tirana ka nisur punën për sfidën me Skënderbeun. Ama, të hënën skuadra nuk ishte e plotë. Ekipi dukej që ishte i përgjysmuar. Ismajlgeci është me Kombëtaren U-21, Hoxhallari me ekipin e parë, Bekaj në Kosovë me përfaqësuesen dhe i izoluar. Skuadra ishte me mungesa. Fatmirësisht, me grupin është bashkuar Ëngjëll Hoti, i cili kaloi problemet që kishte. Shehi nuk e stërviti më shumë se një orë e 10 minuta skuadrën dhe më pas e la të lirë. Kujtojmë se bardheblutë luajnë ndeshjen e parë më 11 shtator ndaj Skënderbeut. Sfida e parë do të luhet të shtunën në “Selman Stërmasi”, duke filluar nga ora 13:45. Bardheblutë kërkojnë të dalin me trofe në fund të sezonit.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"