Tirana, negociata me ish mesfushorin e Bylisit, Enriko Papa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2016 | 9:46

Tirana, negociata me ish mesfushorin e Bylisit, Enriko Papa

Tirana ka gati një “Papë” për ofensivën. Dhe sigurisht që nuk bëhet fjalë për atë të Vatikanit, por për Enriko Papën, ish-mesfushori me tipare sulmuese i skuadrës së Bylisit. Burime pranë bardhebluve tregojnë për “Panorama Sport” se palët kanë nisur negociatat zyrtare në ditët e fundit dhe gjasat janë që akordi final të mos vonojë.

papaNë fakt, e vetmja mundësi është dita e sotme, derisa zyrtarisht në mesnatë përfundon edhe afati i shitblerjeve. Dhe, nëse gjithçka mbyllet me firmë, gjasat janë që ai të jetë edhe prurja e fundit për janarin. Kujtojmë që edhe vetë trajneri deklaroi pak ditë më parë se nga merkato nuk pret më “big”, pasi kjo periudhë nuk të ofron shumë opsione. Ndaj qëllimi i tij është pasurimi i grupit, duke ditur që Tirana në pjesën e mbetur të këtij sezoni luan në dy fronte; kampionat dhe Kupë.

Por, sigurisht, nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë surprize që mund të afrohet “in ekstremis”. Lojtari në fjalë shihet si një alternativë më tepër për trajnerin Ilir Daja, i cili në fakt prej javësh nuk e ka pasur kontingjentin e plotë.

Dëmtimet dhe pezullimet kanë qenë një shqetësim i vazhdueshëm për stafin teknik, madje shpeshherë janë kushtëzuar që të bëjë zgjedhje të detyruara, duke i përshtatur lojtarët në plozione jo natyrale. Papa është gjysmë- sulmues, por luan më së miri edhe në mesfushë. Nëse te ballshiotët ka qenë përgjithësisht një lojtar krahu, te Tirana më së shumti e kanë “pikasur” për ta përdorur si një alternativë për qendrën e mesit të fushës.

Duke ditur që futbollistë si Erjon Vucaj apo edhe kapiteni Ervin Bulku janë në proces rikuperimi pas problemeve fizike, duket se përgjegjësit e merkatos e shohin këtë element si një opsion më tepër për këtë rol. Ai është vetëm 22 vjeç dhe shihet si një element i perspektivës. Kujtojmë që në fillimin e janarit ai zgjidhi zyrtarisht kontratën me ballshiotët dhe e bën më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje. Gjatë karrierës së tij, përveç përvojës në elitë me Bylisin, ka luajtur për skuadra si Apolonia, Tomori dhe Butrinti.

Përgatiti: ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"