Tirana në prag të rënies, tifozët bëjnë gati 100 mijë euro premio

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2017 | 9:28

Tirana në prag të rënies, tifozët bëjnë gati 100 mijë euro premio

Tirana po kalon momentin më të errët në historinë e saj 96-vjeçare. Rreziku që i kanoset për të rënë nga kategoria ka shokuar jo vetëm protagonistët, por edhe tifozët. Këta të fundit, për të karikuar ekipin para 180 minutave që përcaktojnë mbijetesën, kanë vendosur që të japin shpërblim. Dhe shuma është realisht e majme, pasi shkon në 100 mijë euro.

Tirana tifozet

Fondi është mbledhur tashmë prej një grupi biznesmenësh, që njëherësh janë edhe të lidhur ngushtë me ekipin bardheblu. Ata pritet që sot t’i komunikojnë zyrtarisht klubit këtë lajm. “Panorama Sport” u interesua dhe kontaktoi me një prej iniciatorëve të kësaj nisme.

Bëhet fjalë për Blendi Sulajn, ish-anëtar i grupimit “Tirona Fanatics”, që aktualisht kandidon edhe si deputet në Tiranë, nën siglën e Partisë Republikane. Ai konfirmon për gazetën se paratë janë gati dhe se lojtarët, që të përvetësojnë këtë supershpërblim, duhet të marrin 6 pikë të plota për dy javët e fundit, pra të fitojnë kundër Luftëtarit nesër dhe me Vllazninë në finish.

“Është e vërtetë që kemi vendosur që të japim shpërblim për ekipin. Në rast se Tirana do t’i fitojë të dyja ndeshjet dhe mbijeton, atëherë do të akordojmë 100 mijë euro. Jemi një grup biznesmenësh që jemi mbledhur dhe bashkërisht kemi menduar që t’i motivojmë bardheblutë në këtë situatë delikate që po kalon. Nuk duam kurrsesi që Tirana të bjerë nga kategoria dhe kontributi i vetëm që ne mund të japim është financiar, për të karikuar grupin.

Unë dhe disa sipërmarrës të tjerë jemi tifozë të këtij ekipi, madje unë kam qenë edhe anëtar i ‘Fanatics’. Paratë janë gati, i kemi mbledhur. Madje, nesër (sot) kemi menduar që të zhvillojmë një takim me drejtues të klubit për t’i komunikuar vendimin që kemi marrë. Në rast se marrin 6 pikë dhe shpëton Tirana, 100 mijë euro do të jenë në dispozicion për skuadrën”, deklaroi Sulaj.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"