Moviola/ Gjykim masakër, Kuka dhe Agaraj tallen në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2018 | 15:16

Moviola/ Gjykim masakër, Kuka dhe Agaraj tallen në Korçë

Skënderbeu-Tirana mund të konsiderohet fare mirë edhe si ndeshja më e dobët e bluzave të zeza këtë kampionat.

SKENDERBEU TIRANA

Kanë qenë gjashtë gabime vendimtare për fatet e lojës, nga Orlando Kuka dhe Denis Agaraj, një në dëm të Skënderbeut dhe pesë raste që shkatërrojnë Tiranën.

Gafat e anësorit Denis Agaraj nisin që në minutën e dytë të sfidës me një pozicion jashtë loje të paqenë të Dejvi Bregut. Çudi, pasi pamja, pozicionimi ka qenë korrekt për anësorin, por që është treguar i papërgjegjshëm, kur ka përkrahur Tiranën. Gabimi i dytë i rëndë ka ardhur nga gjyqtari Orlando Kuka, i cili nuk nxjerr me të kuqe Bruno Lulajn, që me dashje ndal Blazhevskin, që i drejtohej portës. Vetëm i verdhë dhe gabimi i parë. Rreth minutës së 15-të, Lulaj ndërhyn rëndë ndaj një lojtari të Tiranës. Duhej dhënë kartoni i dytë i verdhë dhe më pas i kuq, por Kuka sërish e fal lojtarin korçar që nxirret nga loja, pasi mund të linte ekipin me 10 veta. Sërish Kuka merr vendim në dëm të Tiranës.

Rasti i tretë në minutën e 27-të të pjesës së parë me Radasin që sheh t’i ikë topi nga kontrolli dhe duke parë Blazhevskin që është pas i ndryshon drejtimin e sferës në mënyrë të qëllimshme me dorë. Tirana kërkon të kuq direkt, ndërsa për gjyqtarin karton i verdhë. Është interpretim veprimi, ndoshta gjyqtari mund të jepte të kuq, ndonëse dëmi është në kurriz të Tiranës. Gabimi i katërt i gjyqtarit Kuka është në minutën e 58-të, por i dyfishtë ama, sepse ndëshkon me të verdhë Imamin për simulim, por mbrojtësi i Tiranës është penguar jashtë zone nga Fili.

Gabimin përfundimtar e bën ai që e nisi këtë mbrëmje horror, Denis Agaraj, që ndal Blazhevskin që po shkonte drejt portës, për pozicion të parregullt. Pamjet tregojnë se pozicioni i maqedonasit ishte i rregullt. Shkurt, nata e mbrëmshme në Korçë ishte një makth për Tiranën dhe horror për gjykimin, i cili është skandal më vete. Fati deshi që në një nga ndeshjet më të forta të javës së pestë, protagonistë të ishin gjyqtarët e ndeshjes, sigurisht, duke favorizuar Skënderbeun, në dëm të Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"