Muzaka operon shpatullën, mesfushori humb sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2016 | 9:15

Muzaka operon shpatullën, mesfushori humb sezonin

Gjergj Muzaka kryen një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale. Fraktura që pësoi në shpatull nuk mund të kalonte vetëm me terapi. Pas ekzaminimeve, mjekët e kanë këshilluar që të operojë klavikulën e dëmtuar.

gjergji muzakaLojtari pak ditë më parë ka hyrë në sallë të operacionit dhe gjithçka ka kaluar me sukses. Riaftësimi i kësaj ndërhyrjeje nuk kërkon më shumë sesa dy javë, por duke qenë se nga ky kampionat kanë mbetur vetëm dy ndeshje për t’u luajtur, logjikisht i bie që mesfushori të jetë gati vetëm për  sezonin e ardhshëm.

Kujtojmë që ai u dëmtua më 18 prill, teksa Tirana luante në Ballsh, ndeshje e cila përfundoi në barazim pa gola. Muzaka e la fushën e lojës mes dhimbjeve që i shkaktonte goditja e pësuar në shpatull. Dhe, sikundër dihet, që prej asaj kohe ai as nuk është stërvitur.

Autori i 4 golave nuk e ka pasur fatin me vete gjatë muajve të fundit. Pas operacionit që kreu në gju, ndërhyrje që e la për shumë kohë larg fushave, mesfushori u rikthye bindshëm, duke qenë madje një nga më të mirët për bardheblutë. Por, sikur të mos mjaftonte ajo që kishte hequr, në Ballsh pësoi një tjetër goditje dhe këtë herë në shpatull.

Kjo e detyroi që të humbiste ndeshjet më të rëndësishme, të cilat përcaktonin edhe objektivin final, atë të Europës. Ai nuk mundi që të luante kundër Skënderbeut, Teutës, Partizanit dhe Flamurtarit.

“Gangrena” – Tirana, përtej problematikave që ka hasur në këtë kampionat, duke filluar nga mungesa e një “pyke” të mirëfilltë dhe rrjedhjeve që ka pasur nga merkatoja, ka qenë edhe e pafat. Dëmtimet janë kthyer në shqetësim serioz prej javësh, madje kanë qenë të pakta ndeshjet që Ilir Daja e ka pasur grupin e plotë. Gentjan Muça për shumë kohë nuk ishte pjesë e ekipit, pas operacionit në gju.

Një sezon me probleme ka qenë edhe për Erjon Vucajn, pas shqetësimit që kishte në muskujt e barkut. Dejan Karan shkoi në Serbi, pasi riaftësimi i shpinës së dëmtuar zgjaste edhe disa kohë, ndërsa lojtarë si Dritan Smajli dhe Dorian Kërçiku kanë humbur shumë ndeshje prej problemeve muskulore, apo Olsi Teqja prej frakturës në hundë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"