Tirana mund Partizanin në pritje të derbit “të madh”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2017 | 10:25

Tirana mund Partizanin në pritje të derbit “të madh”

Tirana ka arritur të fitojë jo pa vështirësi derbin e 17-vjeçarëve përballë Partizanit në shifrat 2-1. Ndeshja, e cila ishte parashikuar për t’u luajtur në mesjavë, është zhvilluar dje, pasi bardheblutë do të nisen për një turne në Itali.

Gjithsesi, në fushën e blertë ka pasur mjaft grintë nga të dyja skuadrat, por në fund ishin të besuarit e trajnerit Mema ata që kanë siguruar trepikëshin përballë të kuqve.

Ndeshja ka pasur interesim minimal, pasi në stadium kanë qenë rreth 100 tifozë, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe kapsollat që janë hedhur nga jashtë rrethimit të fushës sportive “Skënder Halili”, ku edhe është luajtur takimi.

Tirana - Partizani U-17

Ndeshja

Gjatë pjesës së parë, të dyja skuadrat janë dalluar për qarkullim topi, si dhe ndërtim aksionesh, ku në raport me njëra-tjetrën janë pothuajse të barabarta. Në minutën e 27-të vjen dhe rreziku i parë. Është Rejmond Çeliku që godet dy herë radhazi, por portieri i të kuqve Bici mban të paprekur portën e tij.

Megjithatë, goli nuk do të vonojë edhe në minutën e 85-të, Veriu, i cili ka spikatur me lojën e tij, gjuan nga distanca dhe shënon një supergol duke e kaluar Tiranën në avantazh. Të kuqtë kanë reaguar dhe kanë disa raste për shënim, por nuk finalizojnë siç duhet. Pjesa e dytë nis me gol për Tiranën dhe autor është sërish Veriu, që pasi merr një asist nga Basha nuk e ka të vështirë që të realizojë.

Partizani nuk pajtohet me rezultatin dhe hidhet në sulm për të gjetur golin. Si rezultat i një sërë aksionesh, Ismaili shënon me një gjuajtje të fortë nga distanca, duke shkurtuar diferencën. Minutat e mbetura janë të forta dhe ka raste për shënim nga të dyja skuadrat, megjithatë rezultati do të qëndrojë i pandryshuar.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"