Tirana mposht Tërbunin, e nderon eurogoli i Karabecit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2014 | 9:10

Tirana mposht Tërbunin, e nderon eurogoli i Karabecit

Tirana-TerbuniTIRANA-TËRBUNI 1-0
GOLI: Karabeci 65′
TIRANA: Frashëri, Idrizi, Muça, Pashaj, Kërçiku, Malaj, Karabeci, Taku, Olaki, Kagere, Bushiç; Trajner: G.Magani. (U aktivizuan: Ed. Bakaj, Kalari, El.Bakaj, Gavazaj, Domgjoni, Ndikumana, Halili, Nuriu).
TËRBUNI: Gjokoviç, Danaj, Kepi, Lila, Baku, Tafa, Çutra, Djarmati, Mziu, Greca, Agastra. Trajner: E.Plori. (U aktivizuan: Kallogjeroviç, Hoxha, Lekaj, Doda, Steven, Kulli, etj,).
GJYQTARË: Bardhyl Pashaj (Tiranë)

Tirana fiton 1-0 ndaj Tërbunit. Miqësorja e zhvilluar dje, në orën 17:00, në “Selman Stërmasi” u vulos nga një eurogol i Karabecit, i cili në të 65-n minutë ndryshoi. Ky test i shërbeu trajnerit Magani që të mbajë në tonus ekipin gjatë kësaj pauze, ndërsa homologut të tij, Plori, për të provuar lojtarët pak para startit të Kategorisë së Parë, ku ky ekip militon. Kryeqytetasit u shfaqën ndryshe, teksa në mungesë të Currit luajti Pashaj, ndërsa në vend të Bulkut ishte Malaj. Ndryshime kishte edhe në vijën e parë, teksa pas Bushiçit, ishin afrikanët Olaki e Kagare. Por, vlen të theksohet se përpos ndonjë tentative, ofensiva nuk funksionoi. Tërbuni, nga ana tjetër, pati rastet e veta, por pa e rrezikuar asnjëherë seriozisht portën e mbrojtur nga Frashëri. Rasti i parë i rrezikshëm erdhi në të 41-n, teksa Taku ekzekutoi një goditje dënimi perfekte, por portieri Gjokoviç grushtoi. Ky fraksion u mbyll pa gola. E dyta nisi me disa lëvizje në formacione dhe solli një Tiranë më të mobilizuar në fushë. Për pasojë, edhe rastet nuk munguan. Në të 65-n erdhi edhe goli, teksa Karabeci dërgon në rrjetë një top nga 25 metra distancë dhe 1-0. Aktivizimi i Elis Bakajt e më tej i Ndikumanës sjellin tjetër ritëm në lojën e bardhebluve. Por Tirana tregon edhe një herë se diçka nuk shkon në vijën e parë, ndonëse lojtarët që ka në dispozicion janë ndër më të mirët. Finalizimi vazhdon të jetë një e dobët. Në të 87-n kur u mendua se erdhi goli i dytë, gjuajtja e Ndikumanës u prit nga portieri. Deri në fund Tërbuni e vuri disa herë në vështirësi portën e mbrojtur gjatë kësaj pjese prej Edvan Bakajt, por ky i fundit e ruajti të paprekur rrjetën dhe për pasojë takimi u mbyll 1-0, me golin e Karabecit që mbeti në fuqi.

MAGANI
Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, pas miqësores tha: “Janë ndeshje që i shërbejnë skuadrës dhe në këtë takim ndryshuam diçka në modulin e lojës. Megjithatë, na mbetet ende shumë punë për të bërë pasi skuadra duhet të ruajë ekuilibrat edhe në momentet që thyhet dhe që e humbet topin. Ne kemi shumë lojtarë në repartin ofensiv, por na mungon shënimi i golit. Në këtë pjesë kemi ende punë për të bërë dhe ajo çka mbetet më e rëndësishme është që lojtarët të jenë me këmbë në tokë”.

PLORI
Elvis Plorit i ka shërbyer së tepërmi kjo sfidë para startit të së parës. Tekniku i Tërbunit u shpreh i kënaqur nga loja e tijve. “Ishte një test mjaft i mirë për ne në prag të fillimit të sezonit. E kam kërkuar me ngulm që të bëja një ndeshje me një skuadër cilësore, në mënyrë që të shihja pikat e dobëta dhe mungesat e ekipit tim. Jam i kënaqur me disa nga lojtarët, por gjithashtu them se na duhet edhe pak punë për të arritur aty ku duam”, tha trajneri shkodran i pukjanëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"