Tirana merr masat për sezonin e ri, bardheblutë gati të rinovojnë me 3 titullarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2020 | 20:21

Tirana merr masat për sezonin e ri, bardheblutë gati të rinovojnë me 3 titullarët

Tirana kërkon të nisë rinovimet me lojtarët e saj. Janë të paktën tre futbollistë që mendohet se do të nisin procesin e rinovimit. Bëhet fjalë për Agustin Torasën, Idriz Bathën dhe Uinful Kobinanë. Të tre futbollistët janë pa kontratë dhe menjëherë duhet të firmosin një marrëveshje të re me klubin bardheblu. Të tre lojtarëve u mbaron kontrata më 31 maj dhe për këtë qëllim mund të largohen të lirë, nëse duan apo gjejnë një skuadër tjetër. Sipas burimeve në klub, këta janë tre lojtarët me të cilët do të nisë rinovimi i kontratave. Si Batha, Kobina e Torasa janë futbollistë vendimtarë që këtë sezon kanë bërë diferencën në fushën e lojës, duke vendosur ndeshje të shumta.
tirana
GJENDJA – Bardheblutë prej javësh nga ana e tyre kanë një plan për të bërë marrëveshjet e reja, si dhe për të afruar futbollistë të tjerë në ekip, prej klubeve rivale. Burime pranë skuadrës bëjnë me dije se presidenti Refik Halili do të diskutojë me lojtarët që ka në skuadër dhe që nuk kanë kontratë në fund të sezonit, ose më saktë, menjëherë pas nisjes së futbollit dhe shpalljes së titullit kampion. Vetëm në këtë moment do të flitet për rinovime.
EGBO
Gjithashtu, një vendim përfundimtar për çdo lojtar do ta marrë edhe trajneri Emanuel Egbo, i konfirmuar tashmë. Tirana po shkon drejt titullit, por ndonëse kampionati është ndalur, më shumë se çështja e Koronavirusit, problem te bardheblutë mbeten kontratat e lojtarëve me klubin. Me hipotezën që kampionati do të luhet në qershor dhe korrik, bardheblutë i gjen kjo situatë me më shumë se gjysmën e skuadrës pa marrëveshje. Më saktë janë më shumë se dhjetë lojtarë që nuk kanë marrëveshje. Në skuadër janë disa senatorë që nuk kanë një kontratë për sezonin e ri. Duke filluar nga Tefik Osmani, Kristi Vangjeli, Erando Karabeci, Agustin Torasa, Uinful Kobina, Edon Hasani, Majkëll Ngo, Idriz Batha, e deri tek Erjon Hoxhallari e Albi Doka janë të gjithë në pikëpyetje për sezonin e ri. Mësohet se disa prej lojtarëve me shumë gjasa ose nuk do t’u ofrohet marrëveshje e re, ose do të jenë vetë futbollistët që nuk do të pranojnë marrëveshjen. Dy të tjerë, Ilion Lika dhe Gentian Muça kanë marrëveshje të veçantë me presidentin dhe qëndrimi i tyre varet drejtpërdrejt nga Refik Halili.

TIRANA

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"