Tirana mendon për sezonin tjetër, bardheblutë në kërkim të bomberave. Ja sulmuesi që ndjekin kryeqytetasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2021 | 12:09

Tirana mendon për sezonin tjetër, bardheblutë në kërkim të bomberave. Ja sulmuesi që ndjekin kryeqytetasit

Tirana mendon që tani për sezonin e ardhshëm. Bardheblutë po bëjnë planet që të afrojnë në skuadër sulmues. Kampionëve aktualë u duhen të paktën dy lojtarë bombera në sulm që të mendojnë më pas për pjesën tjetër të ekipit. Seferi është borxh dhe mund të largohet në fund të sezonit, sepse është në pronësi të Jang Bojsit. Nuk dihet nëse zviceranët do të pranojnë zgjatjen e borxhit. Tim Vairinen është lojtari i vetëm në repartin e avancuar, por që nuk e ka bërë sefte me golin. De Silva i Kastriotit është një nga më të pëlqyerit dhe që është kërkuar nga kampionët e Shqipërisë.

Kastrioti Da Silva

KËRKIMET – Menaxherët po kërkojnë që tani për lojtarë në sulm, pasi dihet që golat janë ata që sjellin rezultatet. Tirana do futbollistë, të cilët të jenë të sprovuar ose të paktën të njihen për aftësitë e tyre para portës. Kampionati maqedonas, kosovar, serb janë disa opsione. Nuk mbetet pas as Afrika, por për këtë të fundit nuk do të merret më lojtar pa provë apo pa dhënë gjithçka në fushën e lojës. Tirana është në siklet edhe për kontratat e lojtarëve.

Një formacion i plotë rrezikon të largohet në fund të sezonit nga Tirana. Pothuajse të gjithë titullarëve me ndonjë përjashtim të vogël u mbaron kontrata në fund të sezonit. Ka nga ata që kanë ikur që pa mbyllur sezoni, ndërsa në lojë është edhe kategoria e të rinjve që do të shiten për të përfituar para. Të gjitha këto kategori përbëjnë më saktë 11 lojtarë. Shkurt, Tirana mund të zbrazet në fund të sezonit. Ilion Lika ka kontratë deri në fund të kampionatit dhe pasi të mbyllet, do të shihet e ardhmja.

Tirana999

Lika është nga ata që mund të luajë sërish titullar në çdo skuadër, por tani është Bekaj në portë. Në fund kontrate, më saktë 30 qershor, janë Kristi Vangjeli dhe Filip Najdovski. Dyshja ka një kontratë për vetëm një vit dhe në këto kushte duhet ta rinovojnë nëse do të mbahen nga Tirana. Në këtë repart shto edhe Ismajlgecin që me shumë mundësi do të shitet.

Edhe Hoxhallari ka ofertë. Reparti që ka më shumë lojtarë që nuk kanë kontratë është mesfusha. Batha, Kale e Torasa janë pa marrëveshje. Pa kontratë është edhe Toli. Shkurt, i gjithë reparti. Këtu nuk përfshihen lojtarët që mund të largohen nga një transferim i mundshëm, si Çelhaka. Nga afrikanët shpëton vetëm Giamfi që mund të jetë i vlefshëm për bardheblutë, ndërsa Danso mund të dalë në merkato.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"