Tirana me synime të qarta në merkaton e dimrit, Halili kërkon emra konkretë për dy reparte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2021 | 19:52

Tirana me synime të qarta në merkaton e dimrit, Halili kërkon emra konkretë për dy reparte

Janari është afër dhe larg, por jo për Tiranën. Gjatë verës, bardheblutë kërkuan me ngulm një sulmues si alternativë për repartin e avancuar.

Tirana festa e golit

Shehi e priti deri në sekondën e fundit, ndërsa largimi i Çelhakës prishi gjithë planet e Shehit. Duke parë boshllëqet në skuadër, presidenti Refik Halili i ka lënë detyrë stafit të tij, Tefik Osmanit dhe me radhë që në janar të ketë gati emrat për dy pozicione. Një në mesfushë dhe një në sulm.

Edhe pse do edhe tre muaj që të hapet merkatoja, menaxherët e ekipit duhet të zbulojnë Çelhakën e ardhshëm mes kampionatit shqiptar apo afrimeve nga jashtë vendit. Po kështu, ndonëse Tirana ka në stol lojtarë si Beshiraj apo Gjumsi, drejtuesit mund të kërkojnë një lojtar me peshë.

Dy pozicionet janë të panegociueshme dhe dëshira të Shehit dhe presidentit. Sulmuesi do të jetë alternativë për treshen e sulmit, ndërsa mesfushori shkatërrues duhet medoemos. Tirana këtë verë largoi shumë lojtarë, më saktë disa titullarë të titullit, duke filluar nga Vangjeli, Kale, Torasa, Batha, Çelhaka që në atë skuadër të madhe ishin titullarë të padiskutueshëm.

Gjatë verës u rikthyen Ngoja e Muça, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e gjitha e re duke nisur nga Xhixha, Seferi, Limaj, Totre, Hoti e me radhë. Bardheblutë arkëtuan edhe 250 mijë euro nga shitja e mesfushorit të qendrës, Jurgen Çelhaka.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"