“Tirana, më e fortë se sezonin e kaluar”, Agustin Kola: Mund të kualifikohemi me fat, por janë larg brezit tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2020 | 23:41

“Tirana, më e fortë se sezonin e kaluar”, Agustin Kola: Mund të kualifikohemi me fat, por janë larg brezit tonë

Legjenda bardheblu e sheh të vështirë kalimin në fazën e grupeve të Europa Ligës, dhe për këtë, deklaron se Tiranës i duhet fat në Zvicër. Agustin Kola, në një intervistë për Enxhi Biba në “News 24”, analizon përballjen në fazën “play off”, lëvizjet e kryeqytetasve pas fitimit të titullit si dhe krahason dy ekipet me skuadrën e viteve ’80. Ish-bomberi i bardhebluve flet me optimizëm për ekipin që do të tentojnë mbrojtjen e titullit në Kategorinë Superiore.

kola

Europa Liga dhe titulli sikur kanë bërë titullin që të harrohet. Si ishte pjesëmarrja në Europë për Tiranën?

Të them të drejtën, titulli ende nuk është harruar për ne, sepse ishte 100-vjetori, një festë e madhe për ekipin e Tiranës. Lamë disa gjynahe të Kategorisë së Parë. Prapë, arritëm të dalim kampion dhe shoh vazhdimësi. E kam thënë dhe e them, Tirana është një fanellë e rëndë. Tirana gjithnjë ka qenë grupi, kolektivi dhe kemi luajtur të gjithë për një dhe një për të gjithë. Shoh një punë të mirë. Punë e mirë është bërë nga presidenti vjet që ekipi arriti në këtë stad.

Sa shanse ka Tirana për të kaluar në fazën e grupeve?

Nuk diskutohet që nga dy ndeshjet që bëri, të parën e bëri të shkëlqyeshme, të dytën nënvlerësim. Fati na ndihmoi që të luajmë në këtë stad. Jang Bojs është një ekip i madh. Po të krahasosh përqindjet, duke qenë se luan në fushën e vet, ka më shumë shanse Jang Bojs. Unë e kam ndjekur nga afër Tiranën këto muaj dhe shoh që prapë është për titull, madje më e fortë se vjet në luftën për titull. Te kjo ndeshje shpresoj ta ndihmojë fati, sepse është edhe ai në lojë.

Si i komentoni lëvizjet që kanë ndodhur te Tirana, nisur nga menaxheri, drejtori sportiv, kapiteni Muça?

Tirana po bën për më mirë. Muça ka meritë se ka luajtur me ekipin e Tiranës,pasi pati edhe probleme nga dëmtimet. Të them të drejtën ka merita dhe është për t’u respektuar Muça për atë që ka dhënë për Tiranën. Por duhet që edhe ne të vjetrit në sport të hapim rrugën. Tirana ka bërë disa blerje shumë të mira. Sidomos ata maqedonasit. Nëse vjet kemi qenë do dalim apo s’do dalim kampion, këtë vit e them me plot bindje që është më e fortë se Tirana e vjetshme. E kam parë edhe në disa ndeshje miqësore që ka marrë disa elementë edhe nga akademia e vet, të rinj. Po gërsheton mirë të rinjtë me të vjetrit, po punohet mirë. Për problemet ikën ky, vjen tjetri nuk them se ka ndonjë problem. Problem është si te Kukësi kur ikin 13 lojtarë. Këto janë probleme për një ekip. Ka prurje te Tirana. Ka afrime për të bërë në stol një ekip të parë. Ka 11 në fushë dhe 11 në stol. Ekipi forcohet.

kola

A varet e ardhmja e Egbosë nga kjo ndeshje dhe a rrezikon nëse nuk kualifikohet në grupe?

Jo, nuk varet nga kjo ndeshje. Trajneri Egbo e ka treguar veten që nga dita kur e mori, si ishin dhe ku është. Nuk varet nga kjo ndeshje puna e trajnerit. Këto janë gabime në futbollin shqiptar, që trajnerët i mbajnë 2-3 muaj dhe nuk u japin jetëgjatësi. Është si puna kur lind një fëmijë: Nëna ta dërgojë ta edukojë te një nënë tjetër, te një grua tjetër. Prandaj Egbo ka merita, por ka merita edhe presidenti. Unë shoh që nga presidenti në atë kohë kur erdhi Egbo në drejtim, i cili nuk u mor më me arbitrat, federate etj. gjithsecili pa punën e vet. Edhe po të shohësh intervistat e Egbosë thoshte gjithmonë: “Ne shohim punën tonë, nuk kemi pse të shohim ekipet e tjera”.

Thatë që ky ekip është më i fortë se ai i një viti më parë. Po nëse e krahasoni këtë Tiranë me atë të viteve ’80, kur ju bënit pjesë?

Atëherë ka qenë një sistem tjetër. E kam thënë dhe e them: Ne atëherë ishim profesionistë. Flinim në klub, stërviteshim 2 herë në ditë me mbi 2 orë. Kurse në futbollin shqiptar sot, në Kategorinë Superiore stërviten një herë në ditë nga dy orë. Nuk kemi arritur akoma te profesionalizmi i atëhershëm. Kurse këto sot… Ju e shihni botën, dhe po të shkosh në Itali, ekipet elitare atje bëjnë nga 5 orë stërvitje në ditë. Bëjnë dy orë e gjysmë në mëngjes dhe dy orë të tjera pasdite. Prandaj them që akoma nuk janë futur në frymën e profesionalizmit në futbollin tonë, ka probleme shumë. Ishalla me fitore!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"