“Tirana më e penalizuara nga virusi, ja si mund të shmangë FSHF dëmtimet e lojtarëve”, përgatitësi bardheblu rrëfen sekretet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2020 | 11:32

“Tirana më e penalizuara nga virusi, ja si mund të shmangë FSHF dëmtimet e lojtarëve”, përgatitësi bardheblu rrëfen sekretet

Tirana ka fluturuar në fushë gjatë gjithë sezonit, ndërsa meritën më të madhe për gjendjen e skuadrës e ka padyshim trajneri i përgatitjes fizike, Kosta Jani. I ardhur gjatë kësaj vere te bardheblutë, Jani ka ditur të mbajë lart bardheblutë, që në fushë asnjëherë nuk kanë shprehur shenja lodhje.

Kosta Jani

Jo vetëm kaq, në një intervistë eksluzive për “Panorama Sport”, Kosta flet për gjendjen e skuadrës, si i kontrollon futbollistët dhe sa kohë i duhet një skuadre për të qenë gati për rikthimin e kampionatit.

Futbolli ndali nga koronavirusi. Si po e sheh këtë situatë tani që është pothuajse e pamundur të dalësh nga shtëpia?

Eshtë një situatë shumë e vështirë për të gjithë njerëzit, e papërjetuar asnjëherë. Eshte një ndryshim total në jetën e përditshme, sidomos për ne që punojmë në sport. Ne nuk kemi mundësinë të punojmë siç ndodh në shumë profesione të tjera. Por, të them të vërtetën sporti në këto momente ka kaluar në radhë të dytë. Më e rëndëshishme është që këtë situatë, me ndihmën e Zotit ta kalojmë sa më lehtë dhe sa më shpejtë.

Çfarë u ke këshilluar lojtarëve dhe si duhet të stërviten këto kohë?

Lojtarët, në radhë të parë duhet të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të ndjekin rregullat e higjenës personale. Nga momenti që kemi ndaluar stërvitjen kanë kaluar gati 20 ditë, një kohë shumë e gjatë per një lojtar profesionist. Lojtarët duhet të ruajnë peshën optimale gjatë kësaj kohës, duke ulur kaloritë që marrin nëpërmjet ushqimit. Kanë nevojë për shumë më pak kalori sesa në ditët normale, pasi shpenzimi i energjisë nuk është i njëjtë me atë kur bënin stërvitje normale.

Duhet të stërviten në kushte shtëpiake që të ruajnë formën fizike aq sa është mundshme. Nga parametrat më rëndësishme është qëndrueshmëria aerobike dhe forca (masa muskulare). Qëndrueshmërinë mund ta ruajnë me stërvitje intensitet të lartë në biçikletë dhe në pistë ose mund të përdorim cirkuite kardio që të punojnë në të njëjtën kohë me qëndrueshmërinë dhe forcën në raste që nuk kanë biçikletë ose pistën.

Kosta Jani 2

Sa i përket forcës kanë mundësinë me peshën e trupit dhe material të thjeshtë ta ruajnë në mënyrë të konsiderueshme. Nuk duhet nënvlerësuar ushtrimet për forcën e trungut, fleksibilitetit dhe ekuilibrit. Personalisht u dërgoj programin javor që plotëson qëllimet.

Keni ndonjë mënyrë për t’i kontrolluar sa punë bëjnë lojtarët?

Në radhë të parë lojtarët të këtij niveli janë profesionistë. E kuptojnë shumë mirë çfare efekte ka kjo pauzë në gendjen e tyre fizike. Midis stafit dhe lojtarëve është ndërtuar një marrëdhënie e bazuar te sinqeriteti dhe besimi për njëri-tjetrin. Për mendimin tim nuk ka nevojë për shumë kontrolle.

Kontrolli i shumtë trazon jetën private të lojtarit. Lojtari është një njeri me personalit të komplentuar dhe duhet respektuar. Frika nuk është emocion që na pelqen. Situata është shumë e vështirë dhe duhet administruar në mënyre të qetë. Na ana tjetër, kemi kontakte të shpeshta me lojtarët.

Sa punë iu prish Tiranës nga kjo ndalesë?

Per mendimin tim, Tirana është nga ekipet më të dëmtuara nga kjo ndalesë. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi patur një ritëm shumë të larte nga ana fizike dhe grupi ka pasur harmoni në dhomat e zhveshjeve dhe në fushë. Por nuk është vetëm Tirana në këto kushte. Rinisja e kampionatin do t’i gjejë të gjithë ekipet në të njëjten gjendje.

jani kosta

Ka një plan për nisjen e kampionatit në mes të majit. Kur duhet të jenë në fushë lojtarët që të luajnë në maj apo qershor?

Jam i informuar për planin e federatës. Ajo që dua të them është që ekipet do të kenë nevojë për një minifazë me kohëzgjatje të njëjte me kohëzgjatjen e pushimeve që lojtarët të kenë mundësëinë të arrijnë gendjen fizike optimale dhe të performojnë pa dëmtime.

E kuptoj shumë mirë që kjo mund mos jetë e mundshme të ndodhë. Në raste të tjera, ekipeve duhet t’u jepet tre javë kohë që të përgatiten lojtarët. Performanaca e tyre nuk do jetë optimale, por do të përdoren ndeshjet e kampionatin që të risin qjendjen e tyre fizike. Një gjë, që mund të ketë efekte negative në shumë aspekte.

Po Kosta si po i kalon këto ditë të vështira?

Këto ditë po i kaloj, duke lexuar. Jam duke përgatitur disa leksione për kurse “online” në lidhje me përgatitjen fizike në futboll.

Çfarë është kjo platformë “online”?

Para disa ditësh u bëra pjesë e një platforme “online” ku janë mbledhur disa persona nga më të njohurit në botën e futbollit. Ftesën e mora nga Adam Ouen që është përgatitësi i kombëtares së Uellsit. Shpresoj me ndihmën e Zotit ta kalojmë dhe këtë situtë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"