“Tirana me 70-80% është kampion”, Vrapi tregon kurthin e autogolit ndaj bardhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Mars 6, 2020 | 11:41

FB Flamurtari Kategoria Superiore Lajmi i fundit

“Tirana me 70-80% është kampion”, Vrapi tregon kurthin e autogolit ndaj bardhebluve

Jurgen Vrapi thotë se Flamurtari do ta respektojë deri në fund garën dhe do të japë maksimumin në çdo ndeshje. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Vrapi deklaroi se me Tiranën ekipi meritonte të merrte më shumë. 

jurgen vrapi flamurtari

Për autogolin thotë se u ndje shumë keq, por këto janë gjëra që u ndodhin futbollistëve. Vrapi thekson se me Teutën do të kërkohet vetëm fitorja.

Vrapi, si mendoni se u paraqit ekipi në ndeshje me Tiranën?

Në ndeshjen me Tiranën, ekipi është paraqitur shumë mirë. Madje mund të them se ishte një ndër ndeshjet më të mira që ne kemi bërë. Luajtëm kundër një prej ekipeve më të forta në Superiore. Nga paraqitja që realizuam, prisnim të merrnin më shumë.

 Si u ndjetë për autogolin e shënuar dhe si ishte ai moment?

Autogolin nuk e prisja dhe u ndjeva shumë keq në ato momente. Mendova që ta largoja topin me këmbën e djathtë, por më kërceu në momentin e fundit. Kjo e kushtëzoi ekipin. Por, këto janë gjëra që mund t’i ndodhin çdo futbollisti. Kjo nuk ma ul fare moralin për vazhdimësinë. Do të vijojë të vendos të gjitha forcat e mia fizike dhe mendore në të mirë të Flamurtarit.

Çfarë ndjesie kishit përballë Tiranës, duke qenë se jeni ish-lojtar? 

Normalisht që kam qenë më parë te Tirana. Sa i përket ndjesisë, ato i lëmë jashtë fushe. Brenda fushës së lojës së lojës unë mendoj për ekipin ku jam dhe jap më të mirën për Flamurtarin.

 E shikon Tiranën kampione këtë sezon?

Unë mendoj se këtë sezon, me 70-80%, Tirana do të jetë kampione.

Çfarë mendoni të arrini në ndeshjen e së dielës me Teutën?

Në ndeshjen e së dielës me Teutën mendoj se nuk do të dalim pa pikë. Do të angazhohemi të gjithë për të marrë një rezultat pozitiv në Durrës. Shkojmë për ta fituar ndeshjen. Jam i bindur se do të marrim më të mirën në këtë takim.

Sa e mundshme është mbijetesa këtë sezon?

Ne do të bëjmë tonën deri në fund. Si futbollistë, do t’i qëndrojmë korrekt garës. Do të japim më shumë se 100%-in tonë. Tani lojtarët njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe e njohim lojën e secilit futbollist që kemi në grup. Kemi lojtarë me vlera dhe kualitete dhe do të japim maksimumin tonë për të bërë mirë deri në fund.

Ermal Sika – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com