Tirana llogari për festën, ja kombinimet që e shpallin kampione skuadrën bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 23:20

Tirana llogari për festën, ja kombinimet që e shpallin kampione skuadrën bardheblu

Populli bardheblu është gati për të festuar titullin kampion. Të shumtë janë ata që ëndërrojnë titullin në derbi. Të tjerë e duan që në sfidën me Kukësin. Fakt është që matematika ka opsione pa fund, edhe pse Tirana mund të triumfojë ndaj Kukësit të hënën e ardhshme.

TIRANA NDESHJA

Në lojë janë 15 pikë dhe me një llogari të thjeshtë Tiranës i duhen edhe 7 pikë që të jetë kampionia e Shqipërisë. Po ky opsion është nëse bardheblutë munden në sfidën me Kukësin. Pra, rruga drejt titullit kalon nga sfida me Kukësin, ku Tirana minimalisht nuk duhet të humbasë.

FITORJA – Matematika është ligjësia e vetme që tregon të vërtetën. Ama ndonjëherë të gënjen. Me supozimin që Tirana fiton takimin me verilindorët, të gjithë thonë se shpallet kampione, pasi mbeten 4 ndeshje dhe Tirana është 12 pikë përpara. Gjithsesi, me pikë të barabarta, shihen përballjet direkte. Tirana ka humbur një sfidë 1-2 dhe një tjetër 1-3 si dhe ka fituar 2-1. Golavarazhi total i bie që jetë 4-6.

Alban-Hoxha-PartizaniTirana (1)

Në këto kushte, që të barazojë golavarazhin, Tirana duhet të fitojë me të paktën dy gola diferencë, ndonëse ky rezultat nuk e shpall skuadrën kryeqytetase matematikisht kampione të Shqipërisë. Duhet të jetë një pikë përpara në fund të kampionatit ose të ketë golavarazh më të mirë se Kukësi. Shkurt, me këtë skenar, bardhebluve do t’u duhet edhe një pikë në derbi për të marrë kurorën e 25-të të Shqipërisë. T

ITULLI DIREKT – Nuk ka asnjë dyshim. Tirana e fiton titullin direkt në sfidën me Kukësin, nëse skuadra e mund kundërshtarin me rezultatin 3-0 e lart. Një shifër e mundur, duke pasur parasysh që Partizanit Tirana i shënoi pesë gola. Një skenar ndoshta që nuk parashikohet nga të gjithë, por me euforinë bardheblu, gjithçka është e mundur.

BARAZIMI – Me një pikë ndaj Kukësit, Tirana duhet të menaxhojë 9 pikët e avantazhit që ka me verilindorët. Mjafton që të grumbullojë katër pikë në katër ndeshje dhe shpallet skuadra e sezonit. Një opsion më se i arritshëm, duke pasur parasysh që Tirana luan në shtëpi me Flamurtarin dhe Bylisin si dhe jashtë me Partizanin e Laçin.

Tirana festa e golit

HUMBJA – Skenari më pak i pëlqyer nga të gjithë. Me një humbje ndaj Kukësit, Tirana duhet të jetë gjithmonë një pikë përpara skuadrës së Shehit dhe në katër ndeshjet e mbetura duhet t’i menaxhojë 6 pikët e avantazhit. Nëse grumbullon 7 pikë në katër ndeshje, shpallet kampione. Sigurisht, llogaritë bëhen që Kukësi t’i fitojë të gjitha takimet deri në fund të kampionatit. Ama të gjitha janë hamendësime, edhe pse te klubi Tirana të gjithë janë me laps në dorë…

OLSI AVDIAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"