Tirana leksion Kukësit, “poker” në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2014 | 15:12

Tirana leksion Kukësit, “poker” në miqësore

Tirana-KukesiTirana i jep leksion Kukësit në miqësore. Bardheblutë kanë fituar 4-0 kundër veriorëve në ndeshjen e zhvilluar dje pasdite në “Skënder Halili”. Në praninë e 600 tifozëve kryeqytetasit kanë bërë një performancë dinjitoze, duke dhënë shenja pozitive për të ardhmen, ndonëse takimi i djeshëm ishte vetëm në kuadrin e një testi. “Pokeri” i skuadrës së Maganit ka dëshmuar edhe një herë për formën jo të mirë të kuksianëve, të cilët e kanë ndierë jo pak largimin e Cikalleshit, çka u duk edhe nga shterpësia e sulmit.

TIRANA-KUKËSI 4-0
GOLAT: Bulku 50′, Koreshi 56′, Kërçiku 66′, Bushiç 71′
TIRANA: Sejdo, Hoxhallari, Turtulli, Prekazi, Llagami, Gavazaj, Peposhi, Roshi, Kacoli, Hoxha; Trajner: Gugash Magani.
U aktivizuan: Çaka, Njebza, Koreshi, Frashëri, Kalari, Muça, Malaj, Kërçiku, Bulku, Bushiç, Pashaj.
KUKËSI: Halili, Smajli, Malota, Dushku, Hallaçi, Lushtaku, Xheferson, Zhuta, Pinto, Periç, Pejiç; Trajner: Agim Canaj.
U aktivizuan: Koci, Allmuça, Brahja, Rama, Shameti, Haxho, Manuka, Doku, Jonuzi, Thorja.
KARTONË TË VERDHË: Pinto
GJYQTAR: Juxhin Xhaja

Prova
Pjesa e parë i ka shërbyer trajnerit të Tiranës për të provuar lojtarët e afruar rishtazi, që janë ende nën vëzhgimin e tij. Paraqitje që ia ka qartësuar tej mase idetë Maganit. Nga ana tjetër, Kukësi u pa gjatë këtij fraksioni i plotë, pasi e nisi me titullarët. Por vlen të saktësohet se ky 45 minutësh ishte i vakët dhe pa raste, duke mos i vënë thuajse asnjëherë në vështirësi portierët respektivë. Krijohej ndonjë rast sporadik, por mungonte pasi i fundit. Ndryshimet u ndjenë që në minutën e 30-të, kur të dy trajnerët aktivizuan lojtarët që i kishin të gatshëm në stol. Megjithatë, sërish portat mbetën të paprekura për këtë pjesë loje.
“Pokeri”
Pjesa e dytë nxori në fushë edhe “yjet”, pra titullarët. Tifozët i pritën me duartrokitje dhe ata e justifikuan besimin e tyre. Nuk kaluan as 5 minuta dhe goli i parë erdhi, pikërisht nga Ervin Bulku. Mesfushori i Kombëtares shqiptare tregon edhe një herë vlerat dhe eksperiencën e tij, teksa dërgoi me lehtësi në rrjetë një top të marrë prej Peposhit dhe 1-0. Ky ishte vetëm fillimi, pasi etja e bardhebluve nuk kishte të sosur. Vetëm 6 minuta më vonë, konkretisht në të 56-ën, është Koreshi që i dyfishon shifrat. Bushiç godet diagonalisht, portieri Koci e çon në shtyllë. Peposhi, edhe pse ngatërrohet, arrin që ta pasojë topin te lushnjari, i cili nga brenda zone gjuan dhe shënon, 2-0. Kukësi mundohet të reagojë, por nuk ka fuqinë e duhur dhe kjo u jep më shumë hapësira vendësve. Në të 66-ën minutë vjen një tjetër gol, që çon peshë të pranishmit në kompleksin stërvitor. Bulku hedh një top të gjatë, Kërçiku ndjek aksionin. Portieri dhe një mbrojtës mik nuk merren vesh dhe Kërçiku gjuan lehtësisht, duke e dërguar topin drejt e në portë dhe 3-0. Allmuça vë në provë portierin e sapoafruar Frashëri, por ky i fundit pret pa problem. Në të 66-ën minutë vjen edhe goditja finale dhe pikërisht prej sulmuesit kroat. Koreshi pason vertikalisht për Bushiç, i cili shkëputet bukur dhe shënon, 4-0, duke e përmbyllur kështu goleadën në këtë miqësore.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"