Tirana largoi të gjithë ata që shënuan, nga viti i kaluar i mbeten… 3 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 16:35

Tirana largoi të gjithë ata që shënuan, nga viti i kaluar i mbeten… 3 gola

Në kampin bardheblu nuk pranohet ende fakti që skuadra duhet të luajë në Kategorinë e Parë. Kjo ngjarje historike për klubin kryeqytetas, sigurisht në aspektin negativ, ka bërë gjithkënd rreth skuadrës të mendojë dhe analizojë edicionin e shkuar. Derbi të pafituar, mungesë e gjatë e 3- pikëshit gjatë kampionatit që lamë pas dhe një pikë e munguar në fund bënë që Tirana të zbresë për të parën herë në historinë e saj nga kategoria.

Tirana

Momentalisht, bardheblutë kanë nisur një edicion të ri, por me një vështrim të thjeshtë shihet strategjia e ndjekur e kryeqytetasve. Nga lojtarët që nuk janë më në ekip që nga sezoni i shkuar vihet re qartësisht që 24 herë kampionët kanë larguar të gjithë manovrën sulmuese.

STATISTIKAT

Një vëzhgim i “Panorama Sport” ju sjell ecurinë e sezonit të shkuar të skuadrës kryeqytetase, e cila e mbylli vitin në vendin e nëntë në klasifikim me vetëm 29 gola të shënuar. Në rast të një përllogaritjeje të thjeshtë, 26 prej tyre janë shënuar nga futbollistë që nuk do të jenë më në ekip këtë vit.

tirana

Disa prej tyre janë larguar në mesin e sezonit, Muzaka dhe Vucaj, ndërkohë që të tjerë në fund të tij: Taku, G.Lika, Edeh, Cise, Moise e Merveil. Sa i përket Kupës së Shqipërisë, ku kryeqytetasit u shpallën ekipi kampion, nga 21 gola të realizuar që në përballjen e parë me Sopotin e deri në të fundit me Skënderbeun në finale, Tirana ka shënuar 21 gola. 11 prej tyre janë realizuar nga e gjithë lista e largimeve.

STRATEGJIA

Ky fakt kërkon me patjetër një analizë të thellë në skuadrën kryeqytetase për vendimmarrjen në lidhje me lojtarët që afrohen dhe ata që largohen. Shumë prej këtyre emrave që kanë nisur vitin e shkuar ose kanë qenë futbollistë me emër në kampionatin shqiptar, ose janë afruar me bujë nga tregu i huaj. Për fat të keq, skuadra ka vuajtur me manovrën sulmuese, por në fakt në nisje të edicionit të ri ka larguar të gjithë ata që i kanë realizuar golat gjatë edicionit të shkuar.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"