Tirana-Kukësi, Smajli: Barazimi i djeg, fitojnë bardheblutë. Lojtarët e Vllaznisë meritojnë një…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2021 | 19:13

Tirana-Kukësi, Smajli: Barazimi i djeg, fitojnë bardheblutë. Lojtarët e Vllaznisë meritojnë një…

Barazimi është i ndalu ar në Tirana-Kukësi. Kështu mendon një prej ish-mbrojtësve të njohur në kampionatin shqiptar, i cili ka luajtur me të dyja skuadrat në Superiore. Bëhet fjalë për Dritan Smajlin, që këtë herë i bën një analizë situatës së skuadrave në prag të ndeshjes të së shtunës në stadiumin “Selman Stërmasi”.

unnamed (1)

Kampionia dhe nënkampionia në fuqi e sezonit 2019- 2020 nuk janë në formën e kampionatit të kaluar, por sërish cilësia dhe organika nuk u mungon. Përveç trajnerëve aktualë që kanë kryqëzuar sa u përket stolave, ka dhe shumë ish-futbollistë që kanë mbrojtur ngjyrat e dy kampeve dhe kanë shkëlqyer. I tillë është lezhjani Smajli, i cili në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” thekson se bardheblutë janë favoritë për të triumfuar.

Sipas tij, Kukësi nuk mund të shkojë më tepër se një vend në Europë për këtë sezon. Smajli vlerëson shumë Mirel Josën, por ka respekt edhe për Orges Shehin, për të cilin shprehet se tashmë është koha që ai të tregojë se do të bëhet një trajner kampion.

Dritan, së pari me çfarë po merreni aktualisht?

Prej një viti kam qenë në Itali dhe tani kam dy muaj që jam kthyer në Shqipëri. Aktualisht punoj si drejtor në ekipin U-21 të Shënkollit dhe gjithashtu ndihmoj trajnerin e U-19 të akademisë.

E keni ndjekur Superioren e këtij sezoni? Çfarë ju ka bërë përshtypje?

Po, kam ndjekur pothuajse çdo ndeshje dhe përshtypje sigurisht më ka bërë diferenca e paktë që kanë skuadrat me njëra-tjetrën, edhe pse në dy apo tri klube ka lojtarë që marrin mbi 10 mijë euro rrogë. Për mendimin tim, renditja është reale për atë çfarë kanë dhënë skuadrat në fushë.

Cila skuadër ju ka befasuar dhe cila ju ka zhgënjyer më tepër?

Më ka befasuar Vllaznia ime. Jo si emër, por nga përbërja që ka në skuadër, pasi të gjithë në fillim kemi thënë se ky grup vështirë të kap Europën. Lojtarët meritojnë një bravo të madhe, sepse po dinë të vlerësojnë fanellën që mbajnë mbi supe. Një dopiobravo për trajnerin, i cili ka ditur të marrë maksimumin dhe po bën shumë mirë, pavarësisht ndonjë hapi fals.

Vllaznia ka një diferencë prej 6 pikësh nga ndjekësi më i afërt, Partizani. Si e shikoni tashmë luftën për titull?

E para dhe ç’është më e rëndësishme, mendoj se Vllaznia e meriton kreun e renditjes për atë që ka dhënë në fushë. Normalisht ka mbaruar vetëm gjysma e kampionatit dhe ka shumë ndeshje për të thënë: “Po, Vllaznia është kampione”.

Gjithsesi, unë mendoj se Vllaznia është në rrugën e duhur për të qenë kampione. Partizani do të jetë kockë shumë e fortë deri në fund, sepse e para ka skuadër të mirë dhe e dyta ka një trajner kampion që e njeh shumë mirë kampionatin. Megjithatë, mund të futet në lojë dhe Teuta apo Tirana për titullin.

Të shtunën zhvillohet Tirana-Kukësi dhe ju keni luajtur me të dyja skuadrat. Çfarë ndeshjeje prisni?

Gjithmonë kanë qenë ndeshje interesante dhe të luftuara, pavarësisht se mungesa e tifozëve nuk ta jep atë entuziazëm që ne jemi mësuar të shohim. Shpresoj të bëhet ndeshje e bukur, por unë gjykoj se Tiranën e shoh më favorite, për vetë përbërjet që kanë skuadrat. E rëndësishme do të jetë që ndeshja të mos dalë barazim, pasi do jetë shumë e vështirë që Tirana të paktën të futet më në lojë për titull.

Cila mendoni se do të fitojë dhe cilët lojtarë mund të bëjnë diferencën në këtë takim?

Tirana është dhe do jetë më pranë fitores. Siç e preka edhe më lart, për vetë përbërjet që kanë skuadrat. Tirana është më e fortë se Kukësi në mbrojtje dhe vështirë se pëson, edhe pse mendoj se do luhet hapur prej rëndësisë së pikëve.

Tirana në vijën e parë të sulmit ka më tepër kualitet. Mjafton të përmendesh Muçin apo Seferin, që Kukësi nuk e ka këtë kualitet, pa harruar pastaj edhe Bathën, që bën diferencën në thyerjen apo ndërtimin e aksioneve. Është një lojtar i kudondodhur dhe ndoshta Kukësi duhet ta mendojë mirë se si mund ta ndalojë.

Josa te Kukësi, Shehi te Tirana. Si e shikoni këtë duel, duke qenë se më parë Mirelin e keni pasur edhe trajner?

Sigurisht kemi të bëjmë me kampionë si profesor Mireli, që ruaj respekt të jashtëzakonshëm, por edhe për Shehin që tashmë kërkon të jetë edhe trajner kampion dhe shumë shpejt besoj që do t’ia arrijë. Mireli e njeh mirë Tiranën dhe besoj do dijë ta interpretojë ndeshjen si duhet, edhe pse shkalla e vështirësisë është e madhe. Të mos harrojmë që Kukësi vjen nga një disfatë që me gjithë respektin për Kastriotin, askush s’e kishte menduar se do fitoren.

Normalisht presioni te Kukësi është prezent. Ndërsa Shehi mendoj se ka kthyer qetësinë në skuadër dhe e ka futur edhe një herë në shina. Tashmë ka luksin të zgjedhë, pasi pothuajse gjithë lojtarët i ka në dispozicion. E shoh duel interesant, pasi kemi të bëjmë me një trajner si Mireli me shumë eksperiencë që është mësuar dhe me presion të tillë dhe me një trajner si Shehi që ka dëshirë të bëjë mirë në një klub të madh dhe të ketë sukses, ashtu siç ka pasur në karrierën si futbollist.

Në çfarë pozicioni i shikoni këto dy skuadra në fund të sezonit?

Nëse Tirana fiton të shtunën, do të jetë skuadër shumë e fortë për titull dhe do të bëhet rivale e frikshme. Nëse ndodh e kundërta, e shoh vetëm për të luftuar për të kapur Kupat e Europës. Nëse Kukësi humb, e shikoj shumë të vështirë pjesëmarrjen në Europë. Edhe nëse fiton, do të jetë rivale e fortë për një vend në Europë, por jo më tepër.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"