Tirana-Kukësi, Musolli në sparkatë: E mundim edhe Tiranën, nuk kënaqemi as me vendin e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 22:44

Tirana-Kukësi, Musolli në sparkatë: E mundim edhe Tiranën, nuk kënaqemi as me vendin e dytë

Kukësi ka një përballje të fortë ndaj Tiranës, por duke parë objektivat e nënkampionëve, kërkohen vetëm 3 pikët. 

besar musolli

Është kapiteni Besar Musolli, i cili në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, tregon synimet e Kukësit për këtë takim, por edhe për vijimësinë. Kapiteni tregon tmerrin e përjetuar nga tërmeti, të cilin e konsideron ditën më të rëndë të jetës së tij.

A është kjo ndeshje prova e së vërtetës për ju? 

Mendoj që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, si të gjitha ndeshjet e tjera. Ne do të futemi të japim maksimumin tonë. Grupi është i plotë në dallim nga ndeshjet e tjera.

besar musolli

Çfarë ka Kukësi më tepër se Tirana dhe pse mendoni se mund ta fitoni këtë takim? 

Çfarë kemi ne më shumë se Tirana nuk e di, sepse, siç dihet, edhe ata kanë bërë një merkato mjaft cilësore dhe do të jenë konkurrues deri në fund. Mirëpo ne duam të fitojmë patjetër, duke marrë parasysh që kohëve të fundit nuk kemi qenë aty ku duhet.

Partizani është shkëputur me 4 pikë. Mendoni se kjo e bën edhe më të domosdoshme fitoren ndaj Tiranës? 

Mendoj se me këtë grup lojtarësh që kemi e kemi të domosdoshme të fitojmë çdo takim. Ka ende shumë ndeshje dhe diferenca tani nuk është shumë e madhe.

Musolli dhe Murataj

Si i shikoni objektivat me këtë skuadër që keni, sa të arritshme? 

Jemi në vendin e dytë. Normalisht nuk jemi të kënaqur, sepse nuk kemi treguar atë forcën që kemi. Ne do të luftojmë deri në fund për objektivat që kemi dhe nuk dyshoj fare në cilësitë e ekipit, sepse është një grup i mrekullueshëm.

Si e keni përjetuar 26 nëntorin? Ku ishit dhe çfarë bëtë kur ra tërmeti? 

Deri tani është dita më e tmerrshme e jetës sime, isha në shtëpi me bashkëshorten dhe fëmijët. Tërmetin e parë e dëgjova, isha zgjuar, pastaj për të dytin s’kam koment, ishim të dorëzuar, morëm fëmijët në dorë dhe vetëm po prisnim. Falë Zotit shpëtuam.

Ishit një ndër personat e parë që jeni larguar nga Tirana atë ditë. Kishit dëshirë më të ktheheshit? 

Po, e vërtetë. Ika shumë herët, sepse dërgova familjen në Kosovë. Me thënë të drejtën, e vështirë ishte të mendonim për stërvitje pas asaj që përjetuan, mirëpo jeta vazhdon, duhet ta hedhim pas krahëve.

kukesi flamurtari musolli

Kitanovski është trembur më tepër dhe ka ikur. Keni folur me të? 

Po, e vërtetë është, ai ka ikur për arsye familjare. Ende nuk kam folur me të, por shpresoj që të jetë mirë dhe të harrojë atë ka ndodhur dhe të kthehet prapë.

Ai ka humbur edhe ndeshjen ndaj Tiranës. Ju prish punë mungesa e tij? 

Normalisht çdo lojtar është shumë i rëndësishëm për ne. Mirëpo në këtë ndeshje ai do të mungojë, por ka lojtarë që do ta zëvendësojnë në mënyrën më të mirë.

Duke pasur dy fëmijë dhe familjen në Kosovë, mos ndoshta Musolli po mendon rikthimin në vendlindje? 

(Qesh) Kam një kontratë që më lidh me klubin dhe do ta respektoj deri në fund. Për momentin është herët të mendoj gjëra të tjera. Tashmë shpresoj që të mos ndodhë asgjë më në lidhje me fatkeqësinë natyrore e u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave.

SKERDILAID SULOZEQI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"