Tirana kthehet në fushën e tersit, aty ku filloi rrugëtimi katastrofë i rënies nga Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 14:48

Tirana kthehet në fushën e tersit, aty ku filloi rrugëtimi katastrofë i rënies nga Superiorja

Tirana rikthehet në Peqin. Edhe pse me Shkumbinin kanë mbi 4 vite që nuk përballen, e fundit herë që luajtën në këtë fushë la pasoja. Jo më larg se një vit më parë zbarkuan në këtë stadium, por jo për të ndeshur me ekipin vendës, por me Luftëtarin (që asokohe ishte pa stadium dhe zgjodhën pikërisht këtë impiant për të luajtur). Që prej atij takimi, duhet thënë që bardheblutë i ndoqi… tersi.

Peqin

Pas humbjes së pësuar më 23 tetor 2016, kryeqytetasit morën rrugën pa kthim, duke rënë nga kategoria. Disfata me shifrat 2-1 shkaktoi ndryshime të mëdha te kryeqytetasit. Nuk zgjati më shumë se 1 javë (pasi luajtën edhe me Vllazninë, duke barazuar pa gola) dhe drejtuesit shkarkuan trajnerin Ilir Daja.

Ardhja e Mirel Josës, edhe pse u shoqërua me dy fitore radhazi në kampionat, nuk solli zgjidhje. Skuadra vazhdoi me rezultatet katastrofike, duke rënë rrjedhimisht në inferiore, për të parën herë në 97 vite histori. Luajtën plot 28 ndeshje dhe bilanci rezultoi fatal: 12 humbje, 11 barazime dhe 5 fitore. Por duhet thënë që edhe trepikëshat e marrë ishin në distancë të madhe me njëra-tjetrën, madje pati periudha që mbetën 15 javë pa fituar, konkretisht prej 22 dhjetorit 2016 e deri më 10 maj 2017.

Tashmë do të rikthehen në të njëjtën fushë, por me ndryshime të mëdha. Aktualisht, gjendjen në krye të grupit B dhe me ambicien për t’u ngjitur në menjëherë në Superiore. Edhe pse kaluar 12 muaj nga ai takim, “makthet” e së shkuarës i mbajnë mend të gjithë.

Megjithatë, tashmë bardheblutë kanë ndryshuar, ndaj edhe historinë e kanë vetë në dorë që t’i japin tjetër drejtim. Ekipi i drejtuar nga Ze Maria, pasi ka siguruar 9 pikë në këtë fillimkampionati në Kategorinë e Parë, kërkon fitoren e radhës në transfertë. Dhe statistikat përballë peqinasve flasin për Tiranën, pasi në 43 ndeshje kanë fituar 31, barazuar 7 dhe humbur vetëm 5, me një golavarazh prej 83 golash të shënuar dhe 34 të pësuar.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"