Tirana kërkon të “blindojë” mbrojtjen, kthen sytë nga Berisha dhe Imami

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2018 | 21:12

Tirana kërkon të “blindojë” mbrojtjen, kthen sytë nga Berisha dhe Imami

Tirana i ka idetë më shumë se të qarta për Kategorinë Superiore. Me 70% të skuadrës së rikonfirmuar, klubi pretendon vetëm që t’i shtojë cilësinë ekipit. Priten 8 afrime, por jo domosdoshmërish që të gjithë do të jenë të kualitetit të parë. Përgjegjësit e merkatos synojnë fillimisht një qendërmbrojtës potent për të shtuar garancinë në prapavijë, një lojtar që të shtojë fantazinë në mesfushë, si edhe një “bomber” që të garantojë gola.

sedat berisha

Por, kurrsesi nuk do t’i thoshin “jo” ndonjë okazioni për qendrën e mesfushës dhe sidomos kur po planifikon që nga janari e tutje të fillojë me shitjet. Tregu i huaj mbetet prioritet për të bërë këto “goditje”, por të kushtëzuar prej rregullit të huajve, nuk u mbetet gjë tjetër që grupin ta kompletojnë me shqiptarë ose me lojtarë që nuk llogariten si “ekstrakomunitarë”. Në kësi kushtesh kanë filluar që të studiojnë edhe emrat e mundshëm nga kampionati shqiptar, që mund t’u bëjnë punë.

Alternativat – Veç Bruno Ditës, në listë është edhe Sedat Berisha. Qendërmbrojtësi i Vllaznisë shihet si një alternativë e mirë për bardheblutë, megjithatë problem për të mbetet kontrata. Kosovari kur erdhi në Shkodër nënshkroi për dy vite, e në kësi kushtesh vetëm nëse fiton “lirinë”, mund të mundësohet një transferim i tiji në kryeqytet. Por nuk është i vetmi, pasi te 24 herë kampionët e vendit është përmendur edhe Eni Imami. Emri i tij është i përfshirë në listën e stërgjatë të futbollistëve që mund të merren në konsideratë.

Nuk mund të flitet për negociata, por në rastin që nuk do të siguronin të huajt e duhur, një “xhol” si ish-lojtari i Kukësit nuk do të ishte ide e keqe. Duhet thënë që në klub janë deri diku skeptikë me futbollistët që janë aktualisht të lirë në treg, ndaj nuk po nxitohen. Ata janë duke “gatuar” surprizat të mëdha për sezonin e ri, ndaj edhe të gjithë vëmendjen e kanë përqendruar në Afrikë dhe Ballkan. Megjithatë, deri sa nuk është as firma, në klub po tregohen më shumë se “hermetikë”. Nigerianët nuk janë të vetmit, pasi me të tjerë lojtarë nga kontinenti i largët po bisedojnë.

Greqia – Veç Maqedonisë, klubi ka hedhur vështrimin edhe në Greqi. Dhe këtë herë nuk bëhet fjalë për lojtarë grekë, por shqiptarë që aktivizohen në kampionatin helen. Drejtuesit kanë udhëtuar enkas për të zhvilluar edhe disa negociata, por ende nuk dihen as rolet ku luajnë. Bëhet fjalë për lojtarë cilësorë dhe të rinj në moshë, kritere që përmbushin edhe pritshmëritë e Tiranës.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"