Tirana interesohet për të, futbollisti i Apolonisë: Më gëzon kjo gjë, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2020 | 12:40

Tirana interesohet për të, futbollisti i Apolonisë: Më gëzon kjo gjë, por…

Pasi fituan titullin, bardhejeshilët janë mbërthyer nga emocionet. Një sezon i mbyllur me sukses dhe merita është e gjitha e klubit, stafit teknik dhe lojtarëve. Një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë edhe 22-vjeçari Eljon Sota, që ka regjistruar emrin e tij si një ndër kapitenët më të rinj në historinë e Apolonisë.
sota-750x430
Ai është rekordmen me fierakët, pasi në 25 ndeshje ai ka luajtur plot 2250 minuta. Qendërmbrojtësi fierak ndan për “Panorama Sport” mbresat e tij për këtë arritje. “Është e jashtëzakonshme. E merituam dhe e arritëm me jo pak mund këtë trofe. Nuk e kemi pasur aspak të lehtë. Përkundrazi, ka qenë një garë e fortë dhe e ashpër. Na është dashur të ngrihemi edhe mbi paragjykimet, që nuk janë të lehta për t’u menaxhuar nga një ekip me moshë të re, por ne ia kemi dalë me sukses, pasi kemi punuar në grup dhe kemi pasur përkujdesjen dhe motivimin e stafit teknik e drejtuesve të tjerë të klubit. Këtë arritje duam ta shijojmë, sepse askush nuk na ka falur asgjë, por e kemi merituar falë djersës sonë.
apoloniaaaaiiiaia
Unë jam i lumtur për këtë sukses, krenar që kam qenë pjesë e kësaj Apolonie me djem kaq të rinj, një prej të cilëve jam edhe unë. Nuk flas si kapiten, por si një prej lojtarëve që arritën ta kthenin këtë skuadër atje ku e meriton, të përfaqësohet mes më të mirave të futbollit shqiptar, madje me dinjitet dhe të jetë në vendet e para të renditjes”, tha fillimisht kapiteni.
Tirana-festa-e-golit-logo
Forma e tij e mirë ka bërë që të jetë në “lupën” e disa ekipeve të elitës dhe “pole” është Tirana kampione. I ngacmuar rreth këtij fakti, Sota tregohet i matur. “Çdokush do të ndihej mirë nga kërkesat e skuadrave të tjera, aq më tepër kur janë skuadra cilësore. Gjithsesi, unë jam lojtar i Apolonisë, pjesë e një skuadre me të cilën arritëm një sukses të rëndësishëm. Sa u takon të tjerave, do të respektoj vendimet e klubit. Tani duam të shijojmë arritjen tonë”, përfundon Sota.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"