Tirana i refuzon medaljet, ka sherr për golin në tribunë/ Panik për Duamenën, ja pikantet e finales Tirana-Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2023 | 20:12

Tirana i refuzon medaljet, ka sherr për golin në tribunë/ Panik për Duamenën, ja pikantet e finales Tirana-Egnatia

Tirana-Egnatia u luajt në “Elbasan Arena” dhe për shkak të dënimit të tifozëve bardheblu, ishte hapur vetëm një sektor i tribunës qendrore dhe një tjetër në anësore, ku qëndruan mbështetësit e ekipit rrogozhinas.

Tirana-Egnatia

Madje, këta të fundit “çanë” rrethimin e sektorit të tyre pak më tutje, pasi ishin më të shumtë në numër. Në total në stadium ishin rreth 2000 tifozë, ku natyrisht shumica e tyre të Egnatias. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e finales.

* Baneri i Kupës së Shqipërisë u montua gjatë kohës që ndeshja ishte duke u zhvilluar. Në njëfarë mënyre punëtorët ishin në luftë me kohën për ta përfunduar sa më shpejt dhe arritën ta bënin.

* Në tribunë ishte i pranishëm edhe trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, i shoqëruar nga zyrtari i klubit, Ermal Barushi. Mesa duket kanë nisur që tani të vëzhgojnë rivalët e vitit të ardhshëm ose kanë piketuar ndonjë lojtar në merkato. Pak më tutje në tribunë ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, ndërkohë që nuk munguan as trajnerë dhe figura të tjera të sportit.

* Ata pak tifozë të Tiranës që ishin “infiltruar” në stadium, të gjithë inatin e kishin me Kridens Metën. Kur spikeri në stadium lexoi emrat e lojtarëve dhe gjyqtarëve të sfidës, një tifoz shkakton ilaritet me batutën e tij: “Shihe një herë mirë mos është Kridens Meta aty gjyqtar i katërt”. Një shfryrje ndaj gjyqtarit që dha penalltinë për Bylisin, nga ku edhe Tirana praktikisht humbi titullin

. * Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, nuk e fsheh zhgënjimin te rasti i Berishës në minutën e 21-të, duke u kthyer nga tribuna dhe shtrënguar duart nga hidhërimi.

* Arbitri Enea Jorgji ngatërrohet në momentin e kartonit të kuq për Berishën, ku fillimisht fut dorën në xhepin e djathtë, por kujtohet shpejt që aty ka të verdhën dhe menjëherë e fut dorën në bluzë, ku nxjerr të kuqin.

* Pas të kuqit të Berishës, Shehi thërret menjëherë Hilën dhe Behiratçen për t’u dhënë udhëzimet, i vetëdijshëm që do të jetë me një lojtar më pak në fushë.

* Tifozët e Tiranës nuk harrojnë as thumbimet ndaj Jorgjit për kartonin e kuq. Një minutë më pas Hila shtrihet në tokë pasi u dëmtua, me tifozët që ia behin: “Nxirre me të kuq, nxirre”.

* Sulmuesi Rafael Duamena sjell panik në stafin e Egnatias, teksa në fund të pjesës së parë shtrihet në tokë. Ndërsa ekipet futen në fushë sulmuesi qëndron i shtrirë dhe merr ndihmën e stafit mjekësor. Pas mjekimit, çohet duke mbajtur një qese me akull në kokë.

* Tre minuta nga starti i së dytës tifozët e Egnatias hedhin tymuese në fushë, duke detyruar Jorgjin të ndërpresë për pak çaste sfidën.

* Festë dhe zhgënjim nga të dyja tifozëritë në fushë në momentin e golit të Duamenës dhe më pas anulimit për pozicion jashtë loje. Madje, në tribunë nuk mungoi as tensioni, ku dy tifozëritë u përplasen me njëra-tjetrën dhe u desh ndërhyrja e policisë të shuante gjakrat.

* Shehi debaton me Jorgjin ku nuk ndali lojën për t’i dhënë ndihmën e parë Qefalisë. Për afro 1 minutë gjyqtari sqaroi teknikun, i cili mesa duket kishte pretendime edhe për disa raste të tjera.

* Te momenti i fitimit të penalltisë, lojtari i Egnatias, Redi Kasa, kthehet nga tifozët dhe ua bën me duar të mbështesin skuadrën.

* Te goli i Xheksonit, të gjithë shkuan të festojnë me të në krah të tifozëve, ndërsa portieri Bruno Puja shkon të përqafojë portierin e parë të rrogozhinasve, Alen Sherri.

* Në fund të ndeshjes, Ardit Hila shkelmon një top nga inati drejt tribunës. Një tifoz fatlum e pret dhe e fsheh, duke marrë “trofeun” e tij nga kjo ndeshje.

* Shehi shkon i pari të marrë medaljen e argjendtë nga ekipi i Tiranës, por dukshëm i mërzitur refuzon ta vërë atë në qafë duke e mbajtur në dorë.

Më pas edhe futbollistët pas trajnerit nuk e mbajtën medaljen, teksa u larguan mjaft të mërzitur nga podiumi i nderit, aty ku zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, si dhe shefi i sektorit të garave, Marjus Sulejmani, ishin gjatë ceremonisë së trofeut.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"