Tirana i beson gardës së vjetër, tifozët befasojnë ekipin në stërvitje. Ja si pritet të rreshtohet skuadra e Egbosë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 19:22

Tirana i beson gardës së vjetër, tifozët befasojnë ekipin në stërvitje. Ja si pritet të rreshtohet skuadra e Egbosë

Tirana është gati për të fituar derbin e radhës. Gati është trajneri Emanuel Egbo, gati është edhe formacioni bardheblu, që kërkon me çdo kusht të shkatërrojë të kuqtë. Edhe pse u mendua që mund të kishte ndonjë surprizë në formacion, Egboja ka vendosur që titullarët të jenë formacioni tip i 20 javëve të fundit.

TIRANA NDESHJA

Nuk ka asnjë ndryshim nga fillimi në fund. Lika është në portë, më pas Doka, Muça, Vangjeli e Hoxhallari. Batha-Çelhaka janë në mesfushë. Më pas Kale, Torasa e Kobina, ndërsa në sulm Majkëll Ngoja. Skuadra nuk ka asnjë të dëmtuar dhe gëzon shëndet të plotë.

tIRANA FORMACIONI I MUNDSHEM

STËRVITJA – Ndryshe nga takimet e tjera të kohëve të fundit, Tirana ka vendosur që stërvitjen e fundit ta zhvillojë në “Selman Stërmasi”. Skuadra është izoluar dhe për më shumë se një orë ka punuar për derbin. Trajneri Emanuel Egbo ka kërkuar nga skuadra që të mos gabojë si në takimin me Kukësin. “Nuk ju dua në gjumë”, u ka thënë në analizë lojtarëve, Egboja. Pas stërvitjes, skuadra është grumbulluar në një nga hotelet e kryeqytetit.

TIRANA STERVITJE

SURPRIZA – Në momentet e para të stërvitjes, një grup prej 15 tifozësh është paraqitur në stërvitje. Ata janë ulur në tribunë dhe kanë përkrahur ekipin para derbit me të kuqtë. Një shenjë force dhe përkrahjeje për Tiranën, që duhet të fitojë sot me Partizani, fitore që do të thoshte një hap drejt titullit.

MATEMATIKA – Populli bardheblu është gati për të festuar titullin kampion. Ama fakt është që matematika ka opsione pa fund, edhe pse Tirana mund të triumfojë ndaj Partizanit. Në lojë janë 12 pikë dhe me një llogari të thjeshtë Tiranës i duhen edhe disa pikë që të jetë kampionia e Shqipërisë. Nuk shpallet kampione edhe nëse fiton direkt. Shkurt, bardhebluve u duhen edhe 7 pikë nga 12 që janë në lojë për të qenë kampione e Shqipërisë.

Edhe nëse humbet Kukësi këtë javë dhe fiton Tirana sërish, ekipi i Egbosë nuk mund të festojë, sepse i duhet një pikë në tri javët e mbetura. Të shohim. Për momentin Tirana shpallet kampione kur të grumbullojë shtatë pikë në sfidat me Partizanin, Flamurtarin dhe Laçin. Për të tjerat mbetet për t’u parë fusha e lojës. Sigurisht, llogaritë bëhen që Kukësi t’i fitojë të gjitha takimet deri në fund të kampionatit. Ama të gjitha janë vetëm hamendësime.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"