Tirana heq dorë nga “Air Albania”, bardheblutë kthehen në “selinë” e tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2020 | 21:07

Tirana heq dorë nga “Air Albania”, bardheblutë kthehen në “selinë” e tyre

Tirana me të gjitha gjasat do të kthehet në shtëpi për të luajtur pjesën e mbetur të sezonit, pasi takimet në “Air Albania” do të ishin të papërballueshme nga ana financiare. Shkurt, bardheblutë pas muajsh do të luajnë në “Selman Stërmasi”. Kriza financiare dhe Koronavirusi me shumë mundësi do të detyrojnë klubin bardheblu që të mos zhvillojnë më takimet në “Air Albania”, por në stadiumin e vjetër. Shkak bëhet mungesa e tifozëve dhe çmimi i lartë i qirasë së stadiumit.

Tirana-Flamurtari pj1

Tirana deri në fund të kampionatit, duhet të luajë katër ndeshje brenda në fushën e vet si dhe dy sfida në Kupën e Shqipërisë. Kostoja e marrjes me qira të stadiumit “Air Albania” për gjashtë ndeshjet do të ishte 54 milionë lekë të vjetër, duke llogaritur 9 milionë një sfidë. Duke llogaritur që Tirana dhe çdo skuadër tjetër nuk do të ketë tifozë, i bie që të humbasë jo pak para, në një moment kur duhet të paguajë ekstra edhe lojtarët për muajt qershor dhe korrik që do të jenë në fushën e lojës. Në këto kushte, kur stadiumi nuk do të ulë çmimin, atëherë Tirana ka vendosur të kthehet në “Selman Stërmasi”.
ndeshjet

Ekipi nuk do të paguajë asgjë, veç ujit dhe energjisë elektrike, duke kursyer goxha para nga ndeshjet e këtij sezoni. Tirana duhet të luajë në shtëpi me Vllazninë, Kukësin, Flamurtarin dhe Bylisin, por edhe në Kupë me Besëlidhjen dhe gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në këtë moment që flasim, Tirana duhet të luajë 10 takime në Superiore dhe të paktën katër ndeshje në Kupën e Shqipërisë. Në ndeshjet e fundit të Tiranës, bardheblutë ia kanë dalë që të afrojnë në stadium si pritës më shumë se 40 mijë tifozë. Një shifër goxha e madhe, por që mbahet me rekordin e derbit mes Tiranës dhe bardhebluve 19625 tifozë.

Vetëm Partizani në derbin e parë i është afruar disi rekordit të bardhebluve që këtë sezon kanë qenë skuadra që ka grumbulluar më shumë përkrahës në stadium dhe është ekipi që kryeson bindshëm kampionatin e futbollit me nëntë pikë avantazh nga vendi i dytë, Kukësi.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"