Tirana gjen sulmuesit që i mungonin, triumf bindës në Pogradec (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2017 | 15:35

Tirana gjen sulmuesit që i mungonin, triumf bindës në Pogradec (Video)

Dyshja Sentamu-Ngoo i jep buzëqeshjen e dytë në kampionat Tiranës dhe ndihmon bardheblutë që të mbajnë hapin e Bylisit duke kryesuar bashkërisht renditjen e Grupit B të Kategorisë së Parë. Ekipi kryeqytetas ka fituar sot me shifrat 3-0 në Pogradec përballë vendasve, në një ndeshje ku shënuan të dy titullarët e sulmit, duke treguar se mund të ndihmojnë ekipin për t’u kthyer sa më shpejt në Superiore.

pogradeci tirana

Sentamu finalizoi në pjesën e parë të takimit duke i dhënë avantazhin bardhebluve, të cilët dominuan në fraksionin e dytë të lojës përballë vendasve që rrallëherë vunë në vështirësi Likën. Ngoo dhe përsëri Sentamu përfituan nga pakujdesia e mbrojtjes vendase për të gjetur rrjetën në këtë duel dhe për të mbyllur çdo diskutim në ndeshjen të cilën Pogradeci e mbylli me 10 lojtarë.

Për t’u veçuar sot është edhe episodi i minutës së 66-të, kur një objekt i hedhur nga tribuna goditi mesfushorin Daja, duke e gjakosur atë. Loja u ndërpre për pak minuta dhe vazhdoi normalisht pasi futbollisti u fashua në kokë.

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet ndeshja me fitoren e Tiranës në transfertë.

88’ Çekiçi provon të gjejë të papërgatitur Likën me një gjuajtje të shpejt, por gardiani i bardhebluve është i vëmendshëm dhe ndal sferën.

85’ Ritmi ka rënë në këto minuta, në stadiumin i cili ka filluar të boshatiset nga tifozeria vendase.

76’ Sentamu mbyll çdo diskutim për ndeshjen duke realizuar golin e tretë për bardheblutë. Hoxhallari nis një top në zonë nga e majta dhe sulmuesi përfiton nga përgjumja e mbrojtjes vendase për të shtyrë topin në rrjetë. 0-3

75’ Jahaj ekzekuton një goditje dënimi ballore, topi kalon pak mbi trekëndëshin në të majtë të Likës.

73’ Pogradeci mbetet me 10 lojtarë. Lame rrëzohet në zonë dhe pretendon për penallti, gjyqtari i nxjerr të verdhë për simulim. Ky ishte i dyti për mbrojtësin e Pogradecit, që del me të kuq.

68′ Rifillon ndeshja, me mesfushorin e Tiranës i cili kthehet në lojë i fashuar.

daja pergjakur

66’ Ndërpritet ndeshja në Pogradec. Daja goditet me një objekt nga tribuna dhe përfundon i gjakosur në fushën e lojës.

59’ Kundërsulm i shpejtë i Tiranës, topi shkon te Ngoo, i cili pasi shmang të dy mbrojtësit kundërshtarë gjuan në portë duke realizuar golin e tij të parë në Shqipëri. 0-2

56’ Harkim i rrezikshëm në zonë nga Karabeci në krahun e majtë, askush nuk arrin të kthejë topin drejt portës së mbrojtur nga Mali.

50’ Shumë faulle në mesfushë, me lojën që është ndezur në këto minuta pasi lojtarët nga të dy krahët nuk kursejnë njëri-tjetrin me ndërhyrjet e tyre.

48′ Doka provon me një goditje diagonale nga e djathta, që kalon mbi portën e Pogradecit.

46′ Fillon pjesa e dytë pa zëvendësime në të dy skuadrat.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë.

45’ Ngoo humb një rast të shkëlqyer për të dyfishuar shifrat. Kërçiku hyn në zonë në krahun e djathtë pranë fundores, pasimi i tij gjen Ngoo të vetëm në zonë por sulmuesi gabon në koordinimin për të gjuajtur topin edhe pse i vetëm, duke i dhënë mundësinë mbrojtjes të largojë rrezikun.

37’ Ka rënë ritmi i lojës që pas golit të shënuar nga Tirana,. Bardheblutë tani nuk sulmojnë më me ngulm, duke preferuar pasime të gjata edhe në prapavijën e tyre.

30′ Vjen goli i avantazhit i Tiranës me anë të Sentamu. Pas një goditje nga këndi të ekzekutuar nga Doka, sfera mbërrin në shtyllën e dytë ku sulmuesi kërcen dhe shënon me një gjuajtje me kokë. 0-1. 

sentamu ngo

29’ Edhe Daja provon me një gjuajtje nga distanca, Mali pret qetësisht në pozicion.

23’ Vazhdon të sulmojë Tirana, kryesisht në krahun e djathtë, për të shfrytëzuar harkimet e Kërçikut dhe Dokës, por Sentamu nuk arrin të shfrytëzojë një të tillë para Malit, duke lënë që sfera të kalojë pasqyrën e portës dhe të shkojë drejt rivënies anësore në krahun tjetër.

22’ Liçkollari ekzekuton një goditje dënimi nga distanca, topi përfundon jashtë kuadratit të Likës.

20’ Harkim perfekt nga e djathta i Kërçikut, Mali arrin të kontrollojë topin para Ngoo, i cili kishte kërcyer mes mbrojtjes vendase.

11’ Goditje dënimi nga e djathta për Pogradecin, topi harkohet në zonë aty ku Pura devijon me kokë, por nuk arrin të kthejë sferën drejt kuadratit.

7’ Me fat Pogradeci. Karabeci gjuan nga distanca, Mali devijon dhe më pas traversa ndal topin që kthehet në duart e portierit.

5’ Top i gjatë nga prapavija për Sentamu në krahun e majtë, gjuajtja e tij drejt portës është e gabuar dhe më pas edhe Doka nuk gjen kuadratin në krahun tjetër, duke goditur vetëm rrjetën e jashtme.

4’ Tirana është shumë kërkuese që në minutat e para. Një harkim i mirë nga e djathta i Kërçikut largohet me vështirësi nga Shyti.

1′ Daja shkelmon topin duke filluar ndeshjen.

Pogradeci-Tirana 0-3

30′, 76′ Sentamu, 59′ Ngoo

Pogradeci: Mali, Pura, Çerepi, Hysenllari, Lame, J. Liçkollari (63′ Çela), Xh. Liçkollari, Shyti, Jahaj, Çekiçi, Topllari.

Trajner: F. Fetollari

Tirana: Lika Hoxhallari, Uellsion, Turtulli, Doka, Kërçiku, Karabeci (84′ Halili), Daja (80′ Çelhaka), Maveje, Sentamu, Ngoo (70′ Binguila).

Trajner: Ze Maria

KV: Lame / Turtulli, Uellsion

KK: Lame

Gjyqtar: Edvin Hoxha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"