Tirana fotokopje e Partizanit, shikoni çfarë kanë bërë me ekipin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2020 | 14:55

Tirana fotokopje e Partizanit, shikoni çfarë kanë bërë me ekipin kampion

Ngjan pa bëhet. E mbani mend Partizanin sezonin që shkoi? Pas derbit të dytë ishte një skuadër pa identitet. Kishte ndërruar dy trajnerë, njërin prej të cilëve kampionin. Në verë largoi lojtarët më të mirë të skuadrës dhe rinovoi gjithë grupin që doli kampion, duke sjellë gjak të ri, sipas ideve të drejtorit Rama.

tirana partizani

Ngjashmëria e Tiranës së sivjetshme me Partizanin e vjetshëm është e madhe. Si fillim të enjten largoi trajnerin kampion, Emanuel Egbo. Në verë spastroi nga skuadra kapitenin e skuadrës, zëvendëskapitenin, sulmuesin kryesor dhe disa futbollistë me peshë nga grupi i kampionëve. Nga 11-shja titullare e vjetshme luajnë vetëm Vangjeli, Hoxhallari, Kobina, Batha e Torasa dhe kjo tregon shumë për skuadrën e këtij kampionati. Për të mos harruar, se veç stafit teknik, Tirana ka larguar edhe stafin drejtues.

Shkurt, Tirana është një fotokopje e Partizanit. Ka shkatërruar skuadrën kampione, duke bërë revolucione që u dihet fundi, me merkato që ende nuk kanë një emër. As më shumë dhe as më pak, vesi i shkatërrimit në kryeqytetin shqiptar është i njëjtë. Ndryshon vetëm ngjyra bardheblu apo e kuqe. Dhe veset si zakonisht të çojnë rrugë pa krye, ashtu si Partizanin e sezonit të shkuar. E mbani mend. Nga kampion u katandis në vendin e gjashtë, duke humbur Europën, ndonëse kishte shpenzuar një mal me para.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"