Tirana fiton nga “tribuna”, vendos Duro. Beratasit agresivë, s’marrin dot “hak”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2012 | 14:05

Tirana fiton nga “tribuna”, vendos Duro. Beratasit agresivë, s’marrin dot “hak”

Tomori para ndeshjes me Tiranen

TOMORI – TIRANA  0-1
GOLAT: Duro 32′ (11-m)
TOMORI: Llani, Stafa, Hysko, Rexha, Çarls (E.Tafaji 67′), Gjyla Vrucina 55′), Hodo, Kule (G.Arbri 46′), Elmazi, Frashëri, V.Mile; Trajner: K.Mile
TIRANA: I.Lika, Kalari, Dushku, Pisha, Ahmataj, Taku, Muçollari, G.Lika, K.Duro (Tushe 89′), Morina (Karabeci 63′), Çota (Peposhi 67′); Trajner: S.Bulku
KARTONË TË VERDHË: Frashëri 30′, Stafa 30′, Hysko 41’/ K.Duro 41′, Kalari 75′, Karabeci 90′
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
VËZHGUES: Plarent Kotherja (Tiranë)
GJYQTARET: E.Sino, N.Rapaj, O.Grabova (Fier)

MINUTAT
1′ Elmazi rrezikon që në fillim, gjuan bukur, por topi përfundon mbi tra.
5′ Çota kroson për Morinën, i cili godet fluturimthi, por nuk e gjen dot kuadratin.
20′ Kros nga krahët për Frashërin, që tenton me kokë, por topi shkon vetëm mbi traversë.
29′ Taku i jep një top Çotës, por sulmuesi ndalet nga Stafa në mënyrë të parregullt në zonë dhe për gjyqtarin është penallti.
32′ Pas tri minutave kontestimesh, ekzekuton Duro dhe 0-1.
37′ Frashëri rrezikon, por Lika pret në dy kohë. 43′ Aksion i qartë për bardheblutë: Morina kroson për Çotën, sulmuesi arrin ta shmangë Çarlsin, por jo Llanin.
46′ G.Lika pason për Çotën, por nuk e arrin dot topin, përfiton Morina që ndodhej aty, gjuan, por mbi tra.
47′ Tentativë e rrezikshme e Morinës, por sulmuesi nuk e gjen dot portën.
49′ Gjyla i jep një top perfekt Miles, i cili gjuan, por Lika pret në pozicion.
50′ G.Lika kontrollon topin, shmang disa kundërshtarë, pason për Duron, por ky i fundit neutralizohet nga Llani.
51′ Sërish rast i rrezikshëm, Çota gjuan bukur, por topi devijohet nga një mbrojtës mik.
69′ Mile humbet një rast të artë, ndonëse i vetëm para porte ai e dërgon topin shumë larg kuadratit.
90′ Frashëri ka mundësi t’i barazojë shifrat, por e dërgon topin drejt e në duart e Likës.
92′ Pisha kthen topin, Frashëri përfiton, gjuan nga larg, por jashtë.

Tirana e nis me këmbë të mbarë kampionatin, mposht Tomorin në Berat. Rezultati u vulos nga Klodian Duro, nga pika e bardhë e penalltisë. Rubio, edhe pse nga tribuna, duke qenë se nuk ka të nënshkruar ende një kontratë, ka bërë që bardheblutë e tij t’ia dalin, duke marrë trepikëshin e parë sezonal. Ndërkaq beratasit, edhe pas 12 vitesh nuk mundën dot të merrnin “hak” ndaj kryeqytetasve për titullin e humbur në vitin 2000. Përpos agresivitetit që shfaqën në fushë, ata nuk mundën dot të dilnin të fituar dhe t’i gëzonin 5 mijë tifozët e ndodhur në stadium. Këta të fundit, të etur për sukses, kanë shpërthyer me sharje në kor duke hedhur një “lumë” shishesh nga fillimi e deri në përfundim të ndeshjes.
Pjesa e parë Tirana e ndjen që në sekondat e para presionin e Tomorit, që e shfaq hapur dëshirën e saj për ta fituar këtë takim. Aksione të panumërta që në fillim por, përpos rasteve, finalizimi linte për të dëshiruar, kjo pa i hequr meritën edhe Ilion Likës. Portieri eviton gola të sigurt të sulmuesit korçar Frashëri, i cili u shfaq tepër i rrezikshëm në zonën e miqve. Bardheblutë mundohen të reagojnë me anë të kundërsulmeve, por kjo pjesë dukej tepër e vështirë. Mundohej Çota dhe Morina, të cilët krijuan, por e patën të pamundur që t’i zhbllokonin shifrat. Minutat kalojnë, por edhe goli nuk vonon. Në të 29-ën Taku i jep një top Çotës, por sulmuesi ndalet nga Stafa në mënyrë të parregullt në zonë dhe për gjyqtarin është penallti. Ka kontestime të forta nga ana e vendësve, por vendimi i Sinos nuk ndryshon. Pas dy minutash ky 11- metërsh do të ekzekutohej me saktësi nga Klodian Duro, i cili e nisi këtë takim nga minuta e parë. Ky gol ka ardhur në momentin më të mirë të beratasve, mirëpo minutat e mbetura të pjesës së parë nuk sollën ndryshim rezultati.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis shpejt për ekipin vendës, me një rast të kapitenit Mile. Ky i fundit, edhe pse i vetëm para portës, e dërgon topin shumë larg saj. Sulmuesi nuk u beson syve. Duket qartë se avantazhi i ka dhënë më shumë zemër Tiranës, e cila është më e qartë taktikisht, në një kohë që kundërshtari nga ambicia e madhe që kishte për të shënuar, gabonte pa fund. Nga ky moment loja fillon të tensionet dhe të jetë më agresive. Rastet nuk mungojnë, por të shoqëruara në mënyrë të vazhdueshme nga faullet dhe rrjedhimisht nga kartonët e verdhë. Në të 50-ën, G.Lika kontrollon topin, shmang disa kundërshtarë, pason për Duron, por ky i fundit neutralizohet nga Llani. Një minutë më vonë vjen një tjetër rast. Çota gjuan bukur, por topi devijohet nga një mbrojtës mik. Beratasit nuk dorëzohen dhe në minutat e fundit shtojnë presionin në portën e mbrojtur nga Lika. Në të 90-ën Frashëri ka mundësi t’i barazojë shifrat, por e dërgon topin drejt e në duart e portierit. Dy minuta më vonë sërish sulmuesi korçar që rrezikon, duke përfituar nga një top i kthyer i Pishës, por sërish gjithçka përfundo jashtë kuadratit. Koha nuk mjafton dhe gjyqtari Sino sinjalizon përfundimin e ndeshjes, vërshëllimë që shoqërohet me raundin e sherreve në fushë…

MË I MIRI
Afrim Taku dje ka bërë një ndeshje tepër të mirë. Mesfushori ka luftuar për çdo top, duke krijuar rrezikshmëri me lojën e tij. Pas nuk mbetet as Mirel Çota, të cilit i është dashur që të përballet me përplasje dhe bërryla të pafundme. Punë të mirë ka bërë edhe prapavija, teksa Ilion Lika në portë dhe Erjon Dushku ishin të pathyeshëm në çdo duel.

MË PAK AKTIVI
Vangjel Mile mund të konsiderohet pa dyshim si lojtari më pak aktiv në fushën e lojës. Sulmuesi beratas ka pasur dy raste ideale për të shënuar por, ndonëse i vetëm para portës kundërshtare, i ka dërguar atje ku s’u besuar syve. Kapiteni nuk ka qenë në një ditë të mirë. Edhe pse e ka kërkuar me ngulm golin, kuptohet që nuk ishte dita e tij.

Hulian Rubio ironizon: E pashë ndeshjen si tifoz
Hulian Rubio e ndoqi ndeshjen nga tribuna. Kjo ka qenë hera e parë që ai nuk e drejtoi ekipin nga stoli, për shkak të kontratës së pafirmosur nga klubi. Kuptohet qartë që drejtuesit nuk e duan, ndaj po vjen edhe kjo zvarritje e firmës. Mirëpo, spanjolli gjatë gjithë ndeshjes është parë aktiv, duke reaguar dhe e shtyrë skuadrën me thirrjet e tij. Madje, në çdo moment zëvendësimi, tekniku në pankinë, Bulku, dhe Alban Tafaj kërkonin edhe sinjalizimin e Rubios. Si një zotëri i vërtetë, ai vazhdon t’i evitojë polemikat. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Rubio nuk ka pranuar të flasë as për ndeshjen dhe as për situatën e tij, teksa shprehu: “Këtë ndeshje e drejtoi Bulku, kështu që është më se normale që të jetë ai që të flasë për ndeshjen dhe se si shkoi ajo. Për sa i përket kontratës, nuk mund të them se ka ndryshuar diçka, pasi nga një ndeshje ajo nuk vendoset. Unë sot në Berat kam ardhur thjesht të ndjek Tiranën në një ndeshje futbolli, duke qëndruar në tribunë në rolin e një tifozi, gazetari apo vëzhguesi. Ndërkohë, gjatë kohës që Bulku jepte opinionin e tij për ndeshjen, Rubio shëtiste me përkthyesin e vet në fushën e stadiumit “Tomori” dhe më pas u largua i qetë bashkë me skuadrën. Vlen të përmendet se tifozët në rrjetet sociale kanë nisur një tip fushate në mbështetje të Rubios, duke i kërkuar klubit që ta mbajnë.

Kristaq Mile, trajneri i Tomorit
“Tirana nuk thyhet lehtë, kam dyshime për penalltinë”
Trajneri i Tomorit edhe pas 12 vitesh nuk arriti ta mposhtte Tiranën. E donte një fitore, por nuk ia doli dot. “Sot kishim një ndeshje të vështirë, hapëse të kampionatit, përballë skuadrës së Tiranës. Kjo pasi njihen mirë vlerat dhe forca e saj, po ashtu edhe tradita që mbart. Mendoj se pavarësisht humbjes, luajtëm mirë. Skuadra jonë gjatë gjithë kohës pati shanset e saj për të realizuar dhe për të marrë rezultat, por fatkeqësisht nuk ia dolëm dhe për këtë më vjen keq. Sa i përket penalltisë, nuk besoj se jam unë njeriu i duhur për të dhënë mendim lidhur me këtë episod. Ka specialistë gjykimi dhe komisione për këto momente, por nëse gjyqtari do të shihte me kujdes jo vetëm kontaktin, por edhe se ku është duke shkuar topi, atëherë nuk duhet të na kishte ndëshkuar me penallti kundër. Sepse, nëse e sheh me kujdes, vë re që topi nuk është drejt sulmuesit Çota, por po shkon drejt mbrojtësit të Tomorit, Hysko”, – përfundoi Mile.

Sokol Bulku, zv.trajneri i Tiranës
“Vuajtëm, por arritëm një fitore të merituar!
” Sokol Bulku, i cili drejtoi skuadrën dje, pas ndeshjes është shprehur i lumtur për startin. “E dinim fare mirë që sot vinim të luanim një ndeshje të vështirë. U luajt fort, por mendoj se ne e merituam fitoren. Pjesën e parë e dominuam krejt, ndërsa në të dytën vuajtëm paksa, por me kalimin e minutave ishim ne sërish që fituam terren. Sa i përket penalltisë, pa dyshim që ishte. Pati kontakt mes Çotës dhe mbrojtësit beratas, ndaj ishte e drejtë. Por pamjet ekzistojnë, kështu që gjithsecili do të japë vlerësimin e vet”, – tha fillimisht zv.trajneri. Kur u pyet për rolin e Rubios në këtë fitore dhe se sa ka ndikuar ai, u përgjigj: “Mendoj se kjo nuk ishte as fitorja ime dhe as e Rubios, por e të gjithëve. Erdhëm këtu me disa mungesa dhe në fund ia dolëm të marrim tri pikët. Për sa i përket kontratës së Rubios mendoj se është ai dhe klubi që vendos. Besoj se nga e hëna do fillojë të zgjidhet edhe kjo çështje”.

Dëmtimi, Çota me 8 qepje në vetull
Minuta e 64-t është shoqëruar me frikë në stadiumin “Tomori”. Një dyluftim i Çotës me Çarlsin i la që të dy të shtrirë në fushën e blertë për rreth 5 minuta. Nëse mbrojtësi beratas arriti të rikuperohej shpejt, nuk ndodhi aspak e njëjta gjë me sulmuesin, i cili pësoi çarje në vetull. Lojtari nuk mund ta vazhdonte më lojën, ndaj u nis me ambulancë për në spitalin e qytetit, duke përfunduar me 8 qepje. Vetë lojtari për gazetën konfirmoi se tani ndihet shumë mirë dhe se gjithçka kaloi.

Duro, duel për penalltinë me G.Likën
Klodian Duro e nis ndeshjen si titullar, në rolin e organizatorit të lojës. Falë penalltisë së kthyer në gol nga ana e tij, ai arriti që t’u jepte pikët e para bardhebluve. Pati në fakt një moment paqartësie, kur mes tij dhe G.Likës lindi një debat se kush duhej ta ekzekutonte atë 11- metërsh. Në lidhje me këtë, ai sqaron: “Kisha shumë dëshirë të shënoja dhe e dija që s’do gaboja. Me mirëkuptim i kërkova Gilmanit që ta gjuaja unë dhe nuk pati hatërmbetje. E rëndësishme është që fituam dhe e nisëm mbarë sezonin, ndonëse në një transfertë të vështirë si ajo e Beratit. Merita është e të gjithëve, duke përfshirë edhe trajnerin që ishte në tribunë. Bëmë një punë vërtet të mirë”.

Kryesori Sino toleron më shumë se ç’duhet
Gjyqtarët e nisin keq që në javën e parë. Rasti më konkret është ai i Emirjon Sinos, por pa përjashtuar edhe anësorët dhe të deleguarit e FSHF-së. Duke ditur që vetë federata ka këshilluar që në rast të hedhjeve të sendeve në fushë, por edhe sharjeve në kor, ndeshja duhet të ndërpritet. Një gjë e tillë jo vetëm që nuk ndodhi, por loja vijoi normalisht, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Të mendosh që ishte vetëm takimi i parë, e çfarë mund të presim në javët pasardhëse. Ndonëse Sino u tregua korrekt me vendimet e marra sa i përket lojës, por edhe nervave të shprehura në fushë nga ana e lojtarëve, kundrejt tifozëve nuk bëri asgjë. Sigurisht që në relacion gjithçka do të shënohet, mirëpo vijimi i një ndeshjeje në kushte të tilla ishte absurd.

CEREMONIA
Në fjalën e hapjes foli kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, i cili u shpreh: “U uroj nisje të mbarë të kampionatit futbollistëve të Tomorit, Tiranës dhe gjithë kampionatit tonë dhe sa më shumë ‘fair-play’. Shpresoj që tifozët tanë gjatë gjithë sezonit të tregojnë qytetari”. Sakaq, topi i parë u shkelmua nga ish-futbollisti i viteve ’80, Theodhori Arbri.

TRIBUNA
Tomori-Tirana, që rikthehej pas 12 sezonesh në qytetit muze, ka ngjallur tepër interes. Në tribunën VIP të stadiumit “Tomori” gjendej presidenti Fadil Nasufi, deputeti Erion Braçe, ish-donatori i Tiranës, Refik Halili, dhe administratori Salih Tagani. Ndërkohë në tribunë ka qenë edhe trajneri spanjoll, Hulian Rubio, ndërsa në stol ishte dyshja Bulku-Tafaj.
ELTON ÇELA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"