Tirana feston në Durrës dhe harron derbin, Kamza i “përulet” Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2017 | 11:41

Tirana feston në Durrës dhe harron derbin, Kamza i “përulet” Vllaznisë

Janë luajtur dy ndeshjet e fundit për javën e katërt në kampionatin e basketbollit për meshkuj, Superliga. Dy takimet e luajtura në mbrëmje kanë qenë mjaft të rëndësishme për kreun e tabelës, ku takimi më interesant pritej ai në Durrës, ndërmjet Teutës që mbante më parë kryesimin dhe Tiranës kampione.

basket tirana

 

Sfida e luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit dhuroi shumë emocione dhe në fund ishin kampionët që festuan. Ndeshja është mbyllur me fitoren e kryeqytetasve në një duel të kreut për basketbollin e meshkujve. Teuta vinte në këtë takim pas një ecurie mjaft pozitive, ndaj pritej të zhvillohej një sfidë shumë e fortë. Pritshmëritë u realizuan. Të dyja ekipet luajtën fort dhe me nivel, duke luftuar për çdo top.

basket teuta tirana

Pikët e para të takimit u përkasin vendësve, të cilët, të mbështetur edhe nga publiku i tyre, e nisin me shumë vrull. Nga ana tjetër, përgjigjet menjëherë Tirana me një trepikësh të Shimës. Miranovic te Teuta është mjaft aktiv dhe thuajse i pamarkueshëm në minutat e para. Nga ana tjetër, dyshja Çopes-Çela merren vesh mjaft mirë mes tyre, duke bërë që shumë shpejt bregdetarët ta shohin veten në avantazh pikësh. Disavantazhi prej 12 pikësh vetëm në periodën e parë zgjon kampionët, të cilët futen në periodën e dytë me një tjetër ritëm. Loja e tyre ka rrjedhshmëri dhe saktësi, por në fundin e pjesës së parë, kampionët e shohin veten sërish në disavantazh (41:35).

Pas pushimit, Tirana e fillon sërish në sulm dhe, ndryshe nga kundërshtari, tregohet mjaft efektive. Teuta humbet shumë topa në sulm, duke i dhënë mundësi kundërshtarit të shënojë lehtësisht. 10- minutëshi i fundit bëhet mjaft i bukur, sidomos në sekondat e fundit, pasi kur kishin mbetur vetëm 60 sekonda lojë, diferenca ishte plus 3 në favor të Tiranës.

basket vllaznia kamza

Pavarësisht këmbënguljes së Teutës, asgjë nuk e ndryshoi rrjedhën e takimit, duke bërë që kampionët të marrin një fitore shumë të rëndësishme kundër një rivali për titull. Në takimin tjetër të luajtur në Shkodër, Vllaznia ka arritur një fitore ndaj Kamzës, duke qenë brenda objektivave të saj dhe në një renditje komode. Shkodranët kanë vënë diktatin e tyre që në periodën e parë të lojës, duke e mbyllur takimin në favor të tyre 82-66.

basket renditja

Senad Nikshiqi, Roland Gjini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"