Tirana federon dy kenianët, rezervon edhe një mbrojtës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2018 | 21:04

Tirana federon dy kenianët, rezervon edhe një mbrojtës

Merr fund “telen ovela” keniane. Pas kërcënimeve të shumta që vinin nga Gor Mahia, Tirana më në fund ka federuar dy blerjet e para. Zyrtarisht Kenet Muguna dhe Musa Muhamed janë regjistruar si bardheblu nga ana e klubit për pjesën e dytë të këtij sezoni.

tirana

Tashmë nuk ka më vend për panik dhe me të ardhur ITC-ja për mesfushorin, klubi është i detyruar që brenda dy javëve të derdhë në llogarinë e afrikanëve 40 mijë dollarë, sipas kontratës së firmosur që në dhjetor. Sakaq, për mbrojtësin që në fillim nuk kishte kurrfarë “kleçke”, thjesht ai po priste që t’i skadonte kontrata me Gorin dhe të hynte në fuqi parakontrata e firmosur me kryeqytetasit.

Edhe pse kanë humbur një javë nga faza përgatitore, të paktën stafi teknik i gëzohet pjesës që lojtarët sot do të lënë Kenian për t’u nisur në Antalia. Nëse udhëtimi shkon mirë, pritet që të dielën ata të vihen nën urdhrat e Ze Marias, i cili do të ketë mundësi që t’i shohë dhe t’u japë ngarkesa për të paktën 6 ditë në tokën turke.

MBROJTËSI – U mendua fillimisht që merkatoja do të hapej dhe mbyllej me dy afrikanët, megjithatë, Tiranës i është shtuar… oreksi për afrimet. Dhe këtu nuk po përfshijmë mesfushorin “misterioz” nga Nigeria që, paraprakisht, klubi e ka pasur në plan që ta huazojë. Këtë herë bëhet fjalë për një mbrojtës, i cili do të luajë si “komunitar”.

Gjasat janë që të vijë nga Kosova ose Maqedonia. Këto janë informacionet e para që vijnë nga lojtari, i cili është rezervuar nga bardheblutë për ta afruar në këtë merkato. Duke qenë se pritet që të ketë lojtarë që mund të shiten dhe kryesisht në mbrojtje, shanset më të mëdha janë për Hoxhallarin dhe Dokën, klubi po merr ndoshta masat.

Ende nuk ka ndonjë lëvizje konkrete për lojtarët e krahëve, por stafi teknik e ka parë të udhës që të ketë alternativat e duhura për t’i zëvendë- suar në rast të ndonjë largimi deri në fund të këtij muaji.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"