Tirana favorite për trofeun, leksion Skënderbeut në çerekfinale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2018 | 20:03

Tirana favorite për trofeun, leksion Skënderbeut në çerekfinale

Me ndeshjen e zh villuar dje pas dite në palestrën sportive “Fahrie Hoti” të kryeqytetit ndërmjet Tiranës dhe Skënderbeut kanë nisur dhe takimet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra. Ndërkohë që tre takimet e tjera do të luhen sot.

Tirana basket femra

Vajzat kryeqytetase, të cilat e kanë shpallur dhe synimin për të fituar këtë trofe, e kanë prerë biletën e gjysmëfinales. Ato kanë triumfuar ndaj vajzave korçare në një ndeshje formaliteti duke pasur epërsi gjatë gjithë takimit, teksa e kanë mbyllur me rezultatin e thellë 84-46.

Që në periodën e parë, skuadra e Tiranës ka nisur shkëputjen për të mos e vënë në dyshim fitoren. Janë motrat Bujari dhe amerikania Kejlin Bojd që realizojnë shumicën e pikëve gjatë kësaj ndeshje të lehtë, jo vetëm në letër, por edhe në parket. Që në periodën e parë nis shkëputja, teksa e kanë mbyllur 23-12. Shifrat u thelluan me kalimin e minutave duke korrur një fitore të lehtë në pjesën e parë 53-22 (+31 pikë).

Tirana Basket vs Skenderbeu

Gjatë pjesës së dytë, Eliverta Bujari nuk fal teksa shënon 3 kosha me vlerë trepikësh radhazi. Megjithatë, përpjekjet e vajzave korçare janë disi më të mira kur Harris arrin të shënojë dy herë koshin me vlerë trepikësh. Gjithsesi edhe e treta mbyllet me fitoren e Tiranës 21-10.

Dhe në të katërtën, Shallo e Skënderbeut detyrohet të lërë parketin, për shkak dëmtimi të këmbës së majtë, megjithatë shoqet e saj kanë arritur që t’i plotësojnë dëshirën, pasi e kanë fituar periodën e fundit ndaj Tiranës, 14-10. Megjithatë, ndeshja është mbyllur me fitoren e vajzave bardheblu, 84-46.

Gjatë kësaj ndeshjeje, Skënderbeu për asnjë moment nuk arriti që të rivalizojë duke qenë gjithnjë në ndjekje të Tiranës, edhe pse arriti të triumfonte në periodën e fundit. Ndërsa te Tirana, dje debutoi edhe lojtarja e re amerikane, e cila është afruar gjatë kësaj merkatoje të dimrit, Kejlin Leshain Bojd.

Tirana22

Sot priten 3 gjysmëfinalistet e tjera, të cilat do të dalin nga përballjet, Goga, e cila do të luajë në Durrës, kundër Apolonisë. Flamurtari do të presë në Vlorë vajzat nga Elbasani, ndërsa studentet e Tiranës do të luajnë kundër vajzave shkodrane. Janë tri përballje që shpresojmë të na dhurojnë ndeshje të bukura dhe rivalitet.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"