Tirana e zbrazur, Orges Shehi “zbut” edhe… Ngonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2021 | 16:02

Tirana e zbrazur, Orges Shehi “zbut” edhe… Ngonë

E marta e stërvitjes së Tiranës ka qenë si zakonisht ndryshe nga çdo ditë tjetër. Si përditë, stafi teknik kishte menduar për një seancë ndryshe, ku fillimi ishte nxehmja, më pas puna taktike dhe në fund ndeshja miqësore e zakonshme.

Tirana stervitje ne Pogradec

MUNGESAT – Sigurisht, kombëtaret kishin zbrazur bardheblutë. Hoxhallari e Bekaj te kombëtaret e mëdha, ndërsa Ismajlgeci tek ekipi i 21-vjeçarëve, shto këtu edhe doktorin Arzen Voci. Grupit i është shtuar edhe Hoti që ka shqetësime dhe ka punuar i veçuar nga të tjerët. Fillimi ka qenë i qetë me të zakonshmin fjalim të Shehit. Më pas në dorë skenën e merr Kosta Jani që përgatit ekipin fizikisht në pjesën e parë të stërvitjes. Qetësi e plotë për ekipin që kërkon këtë vit si titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Pjesa e dytë e stërvitjes është më taktike me Shehin që kërkon përqendrim nga skuadra në lëvizjet që kërkon ai në fushën e lojës. Fiksimi për të zhvilluar ushtrimet edhe me portat e vogla nuk ikën. Katër portat në fakt u morën me vete në Pogradec, ndërsa trajneri është i bindur që ato ndihmojnë edhe në shënjestrën e sportistëve.

VËZHGIMI I DREJTORËVE – Tani te Tirana sytë vështrues janë shtuar. Grent Halili me detyrën e drejtorit të përgjithshëm ndjek nga afër stërvitjen, që pasohet nga menaxheri i skuadrës dhe drejtori teknik. Halili do të jetë numri dy i klubit, por pritet vetëm zyrtarizimi.

TË BARABARTË – Të shohësh Majkëll Ngonë të ngrejë portën lëvizëse nuk është diçka normale. Lojtari anglez ishte nga të parët që u fut në punë, shenjë kjo se tani është pjekur dhe punon seriozisht. LIKA – Të gjithë shokët e tij tani janë bërë trajnerë ose kanë një karrierë tjetër. Ilion Lika jo. Vazhdon me futbollin dhe mund të luajë në çdo ekip të Superiores. Edhe në sfidën e djeshme miqësore ishte në superformë, duke eklipsuar të rinjtë. Dhe të thuash që dy portierët e tjerë nuk bëjnë dot moshën e tij. I pazëvendësueshëm. Gjumsi nga ana tjetër është i kudondodhur në fushë, ndërsa Najdovski e Behiratçe të pakalueshëm.

SHEHI – Seancën stërvitore e mbyll Orges Shehi. Si fillim është vetë ai që shkon në anën tjetër të fushës dhe heq piketat një nga një. Më pas vijnë edhe ndihmësit e tij. Në fund edhe nja 20 minuta vrap për të ruajtur veten në formë. Në fakt, Shehi gjithmonë është i fundit që largohet nga stërvitja. Shenjë e seriozitetit dhe punës që e ka çuar në majat më të larta në karrierë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"