Tirana “ëndërron” Sabjen Lilajn, klubi hidhet në kërkim edhe për 4 përforcime për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2018 | 22:55

Tirana “ëndërron” Sabjen Lilajn, klubi hidhet në kërkim edhe për 4 përforcime për Superioren

Tirana ka nisur planet për Kategorinë Superiore. Edhe pse ende nuk mund të flitet për negociata konkrete, në klub kanë gati një listë paraprake dëshirash. Në të është i përfshirë edhe emri i Sabjen Lilajt. Nuk është hera e parë që korçari synohet prej bardhebluve, por shpresohet që të paktën këtë herë të vijë edhe akordi. Kur dihet që korçari është një lojtar i lakmuar, sigurisht që “operacioni” bëhet i vështirë, megjithatë e shkuara e tij në kryeqytet mund të ndikojë pa dyshim pozitivisht.

Lilaj

Aktualisht, Lilaj është vetëm një “ëndërr”, nëse do e konsideronin kështu dhe shanset që ai të largohet nga Korça, ndoshta do të vinin vetëm nëse nuk do të fitonin pafajësinë në UEFA. E thënë prej Skënderbeut nuk varen vetëm verdiktet e sezonit në elitë, por edhe merkatoja. Nuk janë të pakta ekipet që janë gati të bëjnë “pazar” në Korçë, derisa në organikë kanë edhe më të mirët. Me Mugunën që rezultoi një dështim, domosdoshmëri mbetet ende një mesfushor. Në pamundësi për të gjetur fantazinë, te Tirana do të ishin më shumë se të kënaqur me një “regjisor” si Sabjen Lilaj.

Planet – Bardheblutë i kanë idetë e qarta për Kategorinë Superiore. Pjesa dërrmuese e grupit do të qëndrojë, megjithatë largimet janë të pashmangshme. Për këtë motiv, Ze Maria ka filluar që të bëjë edhe “filtra”. Dy ndeshjet e fundit, ai ua besoi lojtarëve që nuk kishin marrë shumë minuta, duke i vënë në kësi kushtesh në provë. Ndaj dashur pa dashur ka qenë me laps e letër në dorë, megjithatë verdiktet do të jepen pasi të hapet edhe merkatoja zyrtarisht.
tirana europa lig

Domosdoshmëri për afrime ka në të gjitha repartet, por paraprakisht duhet thënë që trajneri mendon që duhet të operohet fillimisht për dy qendërmbrojtës me përvojë që të japin garanci për Superioren, një qendërsulmues që të rivalizojë me Ngoonë dhe Sentamunë, por edhe një mbrojtës të majtë, kur dihet që Hoxhallari është pa kurrfarë konkurrence. Por, nuk përjashtohet mundësia që të marrin edhe një portier. Edhe pse kanë Likën, klubi po mendon që të gjejë pasardhësin e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"