Tirana e basketbollit shton gjak bardheblu, firmos edhe organizatori: Për të gjithë danoçët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2021 | 20:12

Tirana e basketbollit shton gjak bardheblu, firmos edhe organizatori: Për të gjithë danoçët

Tirana në basketboll për meshkuj vijon me konsolidimin e ekipit për sezonin e ri 2021-2022. Bardheblutë po tregohen tepër aktivë në merkato, ndërsa goditja e fundit mban emrin e Klein Strazimirit, i cili dje është prezantuar zyrtarisht si lojtari më i ri i skuadrës kryeqytetase.

strazimiri

Pas eksperiencave në Kosovë dhe më pas te Goga Basket, Strazimiri rikthehet në bazë, për të veshur sërish fanellën bardheblu. Tirana tashmë gradualisht po kompleton grupin e lojtarëve për të përballuar sezonin e ri dhe pritet të jetë një skuadër protagoniste në Superligë. Organizatori 23-vjeçar dje ka firmosur kontratën dhe është prezantuar në zyrat e klubit nga drejtorja Deborah Keçi.

Tirana i ka uruar mirëseardhjen lojtarit me anë të një postimi në faqen e klubit shumësportësh, ku shkruan: “Koha erdhi! Tirona foli, Strazimiri rikthehet! Për të gjithë tifozët, për të gjithë danoçët, për gjithë dëshirën që kishin mbështetësit tanë. Strazja rikthehet. Pas një tratative të gjatë midis drejtuesve dhe lojtarit, dëshira për të përfaqësuar ngjyrat që ai i dashuron që i vogël ishte më e madhe se çdo gjë. Tani portreti i ekipit te meshkujve duket thuajse i plotë. Tirona e qytetit! Jemi të lumtur që dëshira e tifozëve u përmbush siç duhej. Tani duhet punë. Forca Straze! Forca Tirona!”, shkruhet në postimin e bërë nga Tirana në rrjetet sociale.

Kujtojmë që klubi bardheblu kishte bërë një sondazh në “Instagram” ku u kërkohej mendimi dhe sugjerimi tifozëve për lojtarët që mund të afrohen në merkato, ndërsa emri i Klein Strazimirit ishte ndër më të lakuarit. Ky është afrimi i tretë në këtë verë te 20 herë kampionët e Shqipërisë, pasi më parë bardhebluve u janë bashkuar Endrit Hysenagolli dhe Julian Hamati. Pak ditë më parë kryeqytetasit kanë rinovuar gjithashtu edhe me Eldi Hysën dhe Red Voglin, ndërsa nuk përjashtohen edhe goditje të tjera në fund të merkatos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"