Tirana e 2018-ës, më keq nuk ka ku të shkojë. Bardheblutë dështojnë në financa dhe merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2018 | 17:23

Tirana e 2018-ës, më keq nuk ka ku të shkojë. Bardheblutë dështojnë në financa dhe merkato

Rekordet negative të Tiranës nuk kanë të sosur këtë sezon! Edhe pse u ndërtua armata e fortë që do të luftonte për titullin kampion, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Rekordet negative të skuadrës bardheblu janë me seri, duke filluar që nga premtimet e mëdha për titull apo Europë, e deri te trofetë. Ja disa nga problemet e bardhebluve për këtë sezon që realisht është nga më të zinjtë në historinë e Tiranës, e cila në këtë sezon së pari ka dështuar me merkaton dhe më pas rezultatet.

tirana

Më keq s’ka – Tirana aktualisht është në vendin e tetë të renditjes me vetëm 10 pikë. Skuadra aktuale e Ardian Memës ka pikë të barabarta me skuadrën e 2013- ës, por me ndryshimin e vetëm që bardheblutë atëherë kishin fituar tri ndeshje e barazuar një, ndërsa kjo Tiranë ka barazuar katër herë dhe ka fituar në dy takime. Golavarazhin e shënimit të golave e ka më të mirë 11 ndaj 5 në 2013-ën, por te pësimi i golave skuadra është aty-aty me 15 dhe 16 rrjeta.

Titulli – Nuk vihet në dyshim që Tirana e ka humbur “trenin titull”, por edhe më shumë. Shanset për në Europë janë të pakta. Me skuadrën e parë, Partizanin, Tirana është 21 pikë larg, pra gati një fazë, ndërsa nga Teuta 12 pikë. Bardhebluve u mbetet vetëm Kupa e Shqipërisë, por më parë ekipi duhet të kalojë Flamurtarin.

statistika tirana

Dy trajnerët – Rekordi i tretë negativ është fakti se brenda 13 javëve, Tirana është një nga pesë skuadrat që ka ndërruar trajner. Gjithsesi, ndryshimi i bërë nga Refik Halili, statistikisht nuk është i vlefshëm. Ze Maria u largua me një situatë të vështirë, ku në tetë takime kish koleksionuar 8 pikë me një golavarazh -2. Ardian Mema në pesë takime që ka drejtuar Tiranën, ka grumbulluar vetëm dy pikë, dhe për një gol të shënuar pëson dy të tillë me një golavarazh -3. Në pesë takimet e para Ze Maria grumbulloi pesë pikë, duke lënë shumë pas Memën në numra.

Derbi – Akoma nuk ka një skuadër dhe trajner, i cili prej më shumë se katër vitesh nuk arrin të fitojë në derbin me Partizanin. Të kuqtë kanë fituar takimin e fundit derbi dhe kjo është një thikë pas shpine, që te Tirana nuk po e heqin dot prej shkurtit 2014. Kanë edhe një mundësi pas dy javësh, por nuk dihet nëse do të gëzojnë tifozët.

Tifozët – Janë dy vite luftë me tifozët që duket se kanë kthyer skuadrën dhe përkrahësit në barrikada ku asnjë palë nuk lëshon pe. Duhet një bashkim për rikthimin e skuadrës së madhe bardheblu.

Borxhet – Prej kalimit nga bashkia te Refik Halili, problemet financiare vazhdojnë. Janë shumë detyrime të vjetra të prapambetura dhe plot të reja. Tirana duhet pranuar, duhet të pastrojë këtë situatë që të luajë lirshëm në kampionat dhe Europë.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"