Tirana do një qendërmbrojtës, interesohet për Shametin
Veç blerjeve të bëra dhe zyrtarizuara deri më tani, përgjegjësit e merkatos së Tiranës po operojnë për të gjetur edhe një qendërmbrojtës. Largimi i Dejan Karanit pa dyshim që ka krijuar një “vakum”, ndaj po kërkohet me ngulm një tjetër futbollist për të blinduar këtë repart.
Gazeta zbulon se në planet e bardhebluve është edhe Ylli Shameti. Nuk mund të flitet ende për një ofertë konkrete, pasi deri më tani ka pasur vetëm një interesim. Mësohet se në klub janë informuar për situatën kontraktuale të gjirokastritit. Me mbylljen e aventurës në Ligën e Europës, atij i mbaron marrëveshja, ndaj klubit kryeqytetas i lind e drejta që të nisë negociatat.
Megjithatë, vetëm në vazhdim do të ketë diçka konkrete për këtë pistë, por edhe për ndonjë tjetër. Kujtojmë që në planet e 24 herë kampionëve të vendit ka qenë edhe kapiteni i Novi Pazar, Jasmin Trtovac. Për këtë operacion nuk ka pasur zhvillime, megjithatë ndeshja e fundit miqësore që është projektuar në Serbi mund të shoqërohet me risi. Kujtojmë që përballë do të kenë pikërisht këtë skuadër, ndaj kjo ndeshje mund të shërbejë për rifillimin e negociatave.
Tirana nuk po nxitohet në merkato, por kjo nuk do të thotë që s’po lëviz. Drejtuesit kanë gati planin për të përforcuar skuadrën, ndërsa prurjet priten nga mbrojtja e deri në sulm. Veç gjetjes së pasuesit të serbit Karan, drejtuesit kërkojnë një mesfushor dhe dy “bombera”. Në rast se japonezët rezultojnë të suksesshëm, atëherë u mbetet që të gjejnë vetëm një “pykë” për të blinduar edhe ofensivën.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"