Tirana do ish-mesfushorin e Teutës, e ka në fokus për merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2018 | 21:18

Tirana do ish-mesfushorin e Teutës, e ka në fokus për merkaton

Tirana interesohet për Ardit Hilën. Ishmesfushori i Teutës shihet si një alternativë për këtë repart. Ai është zyrtarisht futbollist i lirë në treg dhe ky fakt shihet si “bonus” prej klubit. Sezoni i mirë që elbasanasi bëri në Durrës, por edhe marrëdhënia e tij e mirë që ka me golin, ka bërë që drejtuesit ta shohin me kërshëri këtë pistë. Ende nuk mund të flitet për negociata serioze, pasi kryeqytetasit janë në procesin e studimit të emrave që kanë në tavolinë. Dhe duhet thënë që për mesfushën ekziston një listë e stërgjatë.

ardit hila

Prioritet ishte afrimi i Marko Cetkoviç, por duke qenë se transferimi dështoi, tashmë klubi po mendon që të vendosë në “peshore” alternativat për të gjetur të duhurit. Aktualisht, në dispozicion kanë emra si Karabeci dhe Maveje, por edhe Daja, i cili edhe pse nuk ka rinovuar, konsiderohet pjesë e skuadrës. I “lakmuar” është edhe Bruno Dita. Me ishlojtarin e Dinamos dhe Besës kanë folur, por tratativat me të ngecin për shkak të kontratës që ai ka me Skënderbeu. Korçarët e kanë në dorë të ardhmen e mesfushorit.

Për të njëjtin repart, në lojë janë edhe disa kosovarë. Thuhet që drejtuesit kanë shkuar për të folur nga afër me disa prej tyre, megjithatë pa pasur akord, edhe emrat mbahen të “fshehur”. Por, një gjë është e sigurt. Nga kaq shumë lojtarë që përmenden, jo më shumë se dy do të afrohen.

SULMI – Me “blindimin” e Majkëll Ngoosë, Tirana ka fituar qetësi për sulmin. Për këtë repart kanë edhe emra si Junus Sentamu apo Bedri Greca, që e treguan veten me golat e tyre në sezonin e fundit, por për të shtuar garancinë, synohet edhe një tjetër lojtar. Tratativat i kanë nisur me ish-in e Vardarit, Dejan Blazhevskit. Këtij të fundit i kanë dërguar edhe draft-kontratën, megjithatë vetëm në vazhdim do të ketë ndonjë zhvillim. Në të njëjtën kohë klubi po sheh për ndonjë tjetër opsion, por këtë herë në Afrikë. Rregulli i të huajve i ka limituar ndjeshëm përgjegjësit e merkatos së Tiranës, ndaj jashtë vendit do të afrojnë jo më shumë se dy, një “bomber” dhe një qendërmbrojtës.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"