Tirana do ish-fantazistin e Partizanit, 2 ekipe malazeze e sfidojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2018 | 15:00

Tirana do ish-fantazistin e Partizanit, 2 ekipe malazeze e sfidojnë

Tirana insiston për Marko Cetkoviçin. Prej kohësh ata kanë nisur negociatat me fantazistin dhe shpresojnë që nga momenti në moment të mbyllin marrëveshjen. Shanset që 31-vjeçari të kthehet në Shqipëri janë realisht të mëdha, pasi variant për të nuk janë vetëm 24 herë kampionët e vendit, por edhe Kastrioti.

cetkovic akua daja

Ish-lojtari i Laçit dhe Partizanit është duke studiuar ofertat dhe sigurisht që në fund do të zgjedhë klubin që do t’i përmbushë kushtet. Malazezi po negocion në të dyja kampet, por ende nuk e ka vendosur se ku do ta vijojë karrierën. Vendimi po bëhet më i vështirë kohët e fundit, pasi në “lojë” janë futur edhe dy klube të rëndësishme nga Mali i Zi. Futbollisti, që mbylli kampionatit me Mlladost Podgoricën, kërkohet prej Sutjeskës dhe Buduçnostit. Kampionët dhe nënkampionët e ligës së parë malazeze duan shërbimet e 31-vjeçarit për sezonin e ri futbollistik. Me kaq shumë opsione që Cetkoviç ka në tavolinë, sigurisht që do të zgjedhë ata që do i ofrojnë shumë më shumë edhe financiarisht.

Gati një javë më parë, fantazisti për “Panorama Sport” la të hapur mundësinë e kalimit te Tirana, madje prerazi theksoi se nuk e shqetësonte ideja që më herët kishte luajtur te Partizani. “Jam me pushime dhe për momentin nuk jam i fokusuar tek e ardhmja. Në plan e kam që të largohem nga Mali i Zi, por për momentin nuk kam ndonjë destinacion se ku mund të luaj. Kontrata me Mlladostin më ka përfunduar dhe jam lojtar i lirë për të vendosur.

cetkovic-658x411

Nëse më vjen ndonjë ofertë e mirë nga Tirana, pse jo…? Unë njoh shumë lojtarë që kanë luajtur për të dyja klubet rivale të kryeqytetit, ndaj nuk ka asnjë problem në këtë mes. Prandaj, as mua nuk do të më shqetësonte nëse realizohet”, pati thënë Cetkoviç, duke u shkelur “syrin” bardhebluve. Përtej të dhënave të mira që ai ka, skepticizmi rritet prej moshës, por edhe prej pasaportës. Ai llogaritet si ekstrakomunitar dhe në një kohë që Tirana i ka 4 të huaj, do të jetë e kujdesshme që vendet t’i ruajë për ndonjë “okazion” që mund të gjejnë për sulmin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"