“Tirana dhe Partizani kanë presion, ne jo”, paralajmërimi i Longos: Me lojtarët e rinj bëjmë lehtësisht më shumë pikë se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 18:35

“Tirana dhe Partizani kanë presion, ne jo”, paralajmërimi i Longos: Me lojtarët e rinj bëjmë lehtësisht më shumë pikë se…

Diego Longo, trajneri i Kukësit, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Sport News” në “News 24” duke u ndalur në etapat e tij në klubin verilindor. Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores Enxhi Biba, italiani ka përshkruar të gjithë etapat e eksperiencës, duke u nisur nga starti i tij në Shqipërri, te ambiciet dhe ajo që gjeti këtu. Sigurisht, edhe atë që pret tashmë në drejtimin e një skuadre e cila është kthyer në një pretendente për titull, 

longo

Prej afro një dekade, Kukësi është një realitet i prekshëm i futbollit shqiptar, një nga ekipet më të mira. Këtë sezon po befason jo pak teksa me një ekip të ri, me një staf të ri, po dhurojnë një futboll shumë të bukur ofensiv, ku si gjithnjë synojnë titullin kampion. Sot në “SportNews” kam kënaqësinë të kem arkitektin e këtij ekipi, trajnerin Diego Longo, mister faleminderit që pranuat ftesën…
“Është kënaqësi e imja, faleminderit.”

Mister je përshtatur me realitetin shqiptar, është e lehtë për një italian të punojë në Shqipëri?
“Tani jam shumë mirë. Për të qenë i sinqertë fillimi nuk ishte i lehtë sepse gjeta një ambient ndryshe nga ai që isha mësuar vitet e fundit të paktën. Por tani jam mirë, kjo edhe fale ekipit, lojtarëve, stafit që kanë qenë mbështetje, kështu që tani jam duke menduar vetëm për futboll, atë që është edhe më e rëndësishmja për mua”.

Si ju duket cilësisht futbolli shqiptar, kush është problemi që kemi në këndvështrimin tuaj?
“Sinqerisht futbolli është shumë më mirë se mendoja para se të vija këtu. Sipas meje, problem është organizimi, kur them organizim e kam fjalën për fushat ku stërvitemi, apo organizimi jashtë fushe. Por mendoj që është një problem jo vetëm i Kukësit, por në përgjithësi është e vështire për trajnerët dhe skuadrën stërvitja në këto kushte. Sigurisht ka skuadra më të organizuara por gjithsesi ne po përpiqemi çdo dite për t’u përmirësuar në këtë aspekt dhe jemi te kënaqur krahasuar me fillimin. Por ka akoma punë për t’u bërë çdo ditë. Duhet vazhdimisht përpjekje”.

Meqë jemi tek realiteti shqiptar, pak ditë më parë bëri xhiron në rrjet statusi juaj, “spiunimi” që po ju bënte stafi i Dinamos. Pati efekt në fund se fituan, do ia ktheni vizitën Dinamos?
“Është diçka që ndodh në futboll, unë e di shumë mirë këtë. Unë personalisht e kam bërë shumë herë gjatë karrierës sime. Herën e fundit në Kiev kam ndjekur Juvenusin, Barcelonën, Ferencvarosh, kështu që e di që është diçka normale. Problemi qëndron që ne kemi te njëjtën strukture organizimi dhe ndaj nuk është e drejtë, ndaj as unë nuk dërgoj askënd për të ndjekur stërvitjen e ekipeve të tjera këtu. S’ka ndodhur me Partizanin, ndoshta edhe me Dinamon ishte gabimi im se duhet të kishim biseduar më parë por gjithsesi nuk besoj se fituan për këtë arsye. Fituan sepse ishin më të mirë se ne atë ndeshje dhe e merituan. Gjithsesi, nuk do të ndodhë më”.

Në një intervistë që pata me Pero Pejiç pak kohë më parë, më tha që trajneri Longo punon shumë. Në fakt këtë e thonë të gjithë. Çfarë bëni tjetër përveç se merrini me futboll, me se e kaloni kohën e lirë në përgjithësi?
“Nuk kam kohë të jem vetëm. Qe nga fillimi mua edhe të gjithë stafit na është dashur të jemi të fokusuar tek puna që njëkohësisht është pasioni im dhe gjëja që me pëlqen më shumë, pastaj edhe fëmijët e mi nuk jetojnë këtu kështu që nuk mbeten shumë gjëra për të bërë. Më pëlqen të ec, të konsumoj diçka me stafin apo lojtarët, por nuk është aq interesante jeta jashtë fushe. Jam 24 orë me Kukësin në mendje.”

Ju pëlqyen dhuratat e Peros, Vasil Shkurtaj, Musta dhe Gligorov dhe se fundmi Jorgo Pellumbi?
“Po sigurisht, ne punojmë bashkë dhe punojmë shumë mirë, me Peron jam shumë i kënaqur dhe me fat që e kemi. Qe ditën e parë ka patur një “feeling” mes nesh dhe flasim shumë bashkë çdo dite, madje më shumë se me gratë tona dhe ndaj kjo periudhë e merkatos ka qenë shumë e mirë për ne, kemi patur gjithmonë edhe mbështetjen e Safetit qe na ka ofruar “çekun e bardhë”. Kështu që jam i kënaqur sepse të gjithë: Musta, Gligorov, Shkurtaj  dhe së fundmi Pëllumbi janë lojtarë që mund të bëjnë diferencën për ne, kështu që jam i lumtur”.

Jeni ekipi me sulmin më të mirë, 30 gola, por sërish investuat në sulm, afruat një bomber si Shkurtaj. A i ndryshon balancat në skuadër ardhja e Shkurtajt?
“Uroj të ndryshojë balancat tek ekipet e tjera. Është e vërtetë që kemi shënuar shumë por ama unë jam kërkues ndaj lojtarëve sepse duhet të kishim shënuar më shumë dhe mund të kishim shënuar më shumë sepse mundësi kemi patur por kemi lënë pikë. Ndaj besoj se me Shkurtajn, Musten e të gjithë të tjerët do rrisim cilësinë për te shënuar më shume ose te ruajmë balancat, pra edhe të shënojmë më pak por ama të mos pësojmë. Futbolli është çështje balancash siç e thatë edhe ju, kështu që mendoj se kemi bërë zgjedhjet e duhura”.

Jeni përshtatur edhe ju me kohën mister, një italian që pëlqen një futboll ofensiv. Çfarë po ndodh me teknikët italian mister, po i largoheni shumë traditës…
“Kjo sepse prej 16 vitesh, tashmë 17, nuk jam më Italian, kam punuar në 6 vende të ndryshme dhe sigurisht ndjehet ndikimi prej tyre por edhe sepse  nuk më pëlqen të pres por të bëj unë lëvizjen e parë, ndaj më pëlqen futbolli ofensiv. Por gjithashtu edhe trajnerët italianë së fundmi kanë nisur të pëlqejnë këtë lloj futbolli si De Zerbi për shembull, apo shumë të tjerë, ndaj dhe unë jam një prej tyre”.

diego longo

E di që në futboll nuk ka asgjë fikse, por a është kusht tani titulli, a ka ardhur koha që të mos fshiheni më?
“Kjo është ëndrra jonë, nuk mund të themi që është objektivi i fillimit sepse do te ishte çmenduri për si nisi sezoni të kishim target titullin, do të ishte shumë, por tani sigurisht që është ëndrra jone. Titulli është gjithmonë kusht për Tiranën apo Partizanin, jo për ne, ne duhet te fitojmë çdo ndeshje për veten, te përpiqemi për ëndrrën por nuk jemi në presion për titullin ndryshe nga ata, për ne është kënaqësi të përpiqemi”.

Po me presidentit Gjici ç’po ndodh? Edhe ai ka ndryshuar shumë, por nuk besoj se tërhiqet nga ideja për të fituar titullin…
“Kjo është normale dhe në fakt me pëlqen sepse ai është ambicioz, është presidenti dhe ka objektivat e tij. Ndërsa unë duhet të jem më objektiv sepse jetoj me skuadrën, e di se ku nisëm me skuadrën në verë. Madje sot në mëngjes Pero më dërgoi skuadrën që kishin para se të vija këtu, dhe të mendoje për titull me atë skuadër bën çudi. Por unë e kuptoj që presidenti do gjithmonë më të mirën dhe në fakt kjo ambicie dhe ky entuziazëm i tij na ndihmon. Unë jam i lumtur për ketë megjithëse mbetem më realist”.

longo enxhi

Kur pyeteni për titullin, shpesh bëni krahasim Kukësi nuk është Tirana dhe Partizani. Çfarë ka Tirana më shumë se Kukësi mister, përveç historisë?
“Tani, mendoj se mënyra e lojës është ndryshe. Stili i lojës së tyre është ndryshe, s’po them që i joni është më i mirë, por jemi të ndryshëm në këtë moment. Atyre u pëlqen të presin pak dhe pse kanë sulmues me cilësi fantastike si Seferi, Xhixha por edhe lojtarë të tjerë. Ndërsa ne na pëlqen të kemi kontrollin e lojës duke qenë më entuziastë. Në këtë këndvështrim them se jemi ndryshe. Ata mund të quhen Juventus ndërsa ne një skuadër që vijmë më poshtë të paktën duke marre parasysh sezonin e shkuar. Gjithsesi, sinqerisht nuk i frikësohemi Tiranës, fituam ndeshjen e parë dhe mbizotëruam lojën dhe nuk është problem ta bëjmë sërish”.

A e vendos kjo sfidë e radhës me Tiranën objektivin titull, 6 pikë është diferenca për momentin?
“Mendoj se kjo ndeshje e vendos nëse ata humbasin. Nëse humbasin ata do të bëjnë një ndalesë të madhe dhe ne do të ishim vërtetë në pozita të mira. Vërtetë janë 6 pikë por nëse ne fitojmë kundër tyre dhe do jetë fitorja e dytë, ata e dinë që ne vijmë me lojtare te rinj, vijmë me shumë fuqi dhe entuziazëm dhe do jenë vërtet nën presion. Për ne nuk është kështu sepse ne kemi 31 pikë, vjet u fitua me 66 pikë titulli ndërsa me lojtarët e rinj mund të arrijmë pa frike 66-67 pikë”.

Mister, nuk e di nëse e dini apo jo, por tek Kukësi shpesh nuk mjafton as titulli për tu konfirmuar. Personalisht do ju pëlqente të vijoje bashkëpunimin me Kukësin? Të lutem ma kurse atë pjesë që është herët, rezultatet e vendosin… thjesht dua një ndjesi tuajën. Do ju pëlqente të vijonit ketë punë të nisur?
“Në këtë moment është jeta ime, thjesht mendoj të bëj më të mirën time, të pamundurën për të realizuar ëndrrën titull dhe për t’ua dhënë këtë kënaqësi njerëzve në Kukës dhe tifozëve që jetojnë për këtë. Për t’i bërë të lumtur, për këtë mendoj tani”.

Çfarë synimi keni nga kjo aventurë në Shqipëri mister, ku dëshiron të arrijë Diego Longo? Kush është objektivi dhe ëndrra juaj në të ardhmen, ku dëshironi të arrini?
“Titulli sigurisht, ose më saktë një trofe me patjetër. Sepse në çdo vend ku kam qenë kam marrë të paktën një trofe, Champions Ligë në Arabi Saudite, kampion tek PAOK-u, dy herë në dy vite, tek Dinamo Kiev Superkupën dhe Superligën, ne Rumani po ashtu. Kështu që dua të largohem nga këtu me një trofe. Mbi të gjitha kur punon dhe sakrifikon kaq shume me skuadrën është bukur të shpërblehesh”.

Ju ndjek shpesh në analizat, në komentet që bëni në rrjetet sociale. Nëse më lejon, dua një parashikim, një koment, do të mundet Italia të kualifikohet në Botëror? Nëse jo do ishte një dramë edhe në Shqipëri, e dini besoj që ka jashtëzakonisht shumë fansa…
“Eh , nuk do te jetë e lehtë. Është një moment i vështirë për Italinë në fakt, për futbollin Italian. Puna e Mançinit dhe stafit të tij e fshehu disi këtë vitin e shkuar, por ne kemi problem sepse presioni është shumë i lartë ndërsa niveli nuk është njësoj krahasuar me Francën, Anglinë për sa i përket kombëtareve në këtë momente. Ndaj u duhet të luftojnë. Unë sigurisht shpresoj shumë ashtu si italianët dhe shqiptarët të kualifikohemi, të mposhtim Portugalinë, sepse Botërori pa Italinë do të ishte i trashtë”.

Kush e fiton Serie A mister, ose më saktë kë shihni si rivalin më të madh të Interit? Kemi dhe derbin në fillim të shkurtit…
“Për mendimin tim Inter do të fitojë, do të fitojë pa asnjë dyshim. Ata luajnë një futboll fantastik, janë më mirë se vjet. Me Konten ishin një skuadër e mirë kompakte po jo me këtë stil fantastik loje që kanë me Inzagin. Kështu që meritojnë të fitojnë. Kush i sfidon? Mendova Atalanta por tani nuk po kalojnë një moment të mirë. Kështu që mendoj se Inter do e fitojë lehtësisht”.

Mister dhe një pyetje të fundit, kush është lojtari shqiptar që aktivizohet në Serie A që ju pëlqen më shumë? Në këto momente flitet shumë për Bajramin, u fol shumë për Kumbullën…
“Gjimshiti po ashtu, ata po luajnë shumë mirë. Bajrami është surprizë së fundmi por edhe Gjimshiti siç  thashë apo lojtarë të tjerë që luajnë vërtet mirë. Kanë mentalitet të forte dhe profesionalizëm të lartë. Unë shpresoj dhe për këtë po punojmë që të kemi dikë nga skuadra jonë që të arrij në këto nivele sepse ka futbollistë që e meritojnë sipas mendimit tim. Këta lojtarë që përmendem, Gjimshiti, Bajrami, tani janë vërtet një shembull dhe kanë përgjegjësi në këto momente të vazhdojnë kështu dhe të tregojnë dhe për te tjerët që është e mundur nëse punohet fort dhe seriozisht.”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"