Tirana dështon me trajnerin e ri, katastrofë në startin e Ligës Ballkanike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 10:56

Tirana dështon me trajnerin e ri, katastrofë në startin e Ligës Ballkanike

Tirana e ka nisur me disfatë aventurën e saj në Ligën Ballkanike, në basketboll për meshkuj, ku u mund thellë dje në mbrëmje nga maqedonasit e Blokotehnas, me rezultatin 100-68 në transfertën e Gevgelijas. As trajneri i ri, greku Antonios Dukas, apo blerjet e “bujshme” në merkato nuk mjaftuan për bardheblutë, për të evituar këtë humbje që në start.

tirana basketboll

Klubi e prezantoi trajnerin si shpëtimtar për sezonin e ri sportiv, por transferta fqinje rezervoi të kundërtën. Tirana ka qenë anonime përballë të zotëve të shtëpisë që e zgjidhën ndeshjen që në periodën e parë. Dukas i beson pesëshes titullare: Shima, Hysenagolli dhe tre përforcimet e fundit Vladimir Brçkov, Svetozar Popoviç dhe Xhalil Abdul-Basi.

Pas një fillimi të ekuilibruar, ekipi i Blokotehnas nuk humb kohë dhe shkë- putet në mesin e periodës së parë, 13-9, 18-11, 20-14. Vendësit kanë gjithçka nën kontroll duke përfituar edhe nga gabimet e bardhebluve. Kështu perioda e parë mbyllet me fitoren e maqedonasve 24-16.

Me rikthimin në parket, Tirana ndryshon disi në lojën e saj dhe ngushton shifrat në -6 pikë, pas dy gjuajtjeve të lira të Hysenagollit. Por ky sulm zgjat shumë pak për Tiranën që më pas lë shumë hapësira në mbrojtje dhe lojtarët e Blokotehnas rikthejnë avantazhin në +12 pikë pas koshit të Mladenovikj. Tekniku Dukas sinjalizon për “time out” për të shkundur të tijtë, të cilët janë totalisht jashtë loje.

tirana basketboll1

Por, as kjo frymëmarrje nuk shërben, pasi skuadra e tij, edhe pas rikthimit në parket,l është inekzistente. Maqedonasit fitojnë edhe më tepër terren deri në 48- 32 (diferenca më e thellë për momentin). Shumë gabime në sulm nga Tirana, Blokotehna shkon në pushimin e ndeshjes nën epërsinë 54-34, ndërsa e fitoi këtë periodë 30-20. Më pas ndeshja kthehet më tepër në një seancë stërvitore për vendësit përballë një kundërshtari totalisht të shpartalluar 64-38.

Blokotehna krijon një avantazh të pjesshëm të frikshëm 29-9 dhe ai total 84-45. Kështu, perioda e tretë nuk ka histori që përfundon 30-9 në favor të Blokotehnas. Ndërsa verdiktet ishin dhënë me kohë, në periodën e katërt skuadra maqedonase e ul ritmin e lojës dhe e sheh veten në disavantazh të pjesshëm 0-10, falë kontributit të trios Lasku-Shima-Hysenagolli.

tirana basket

Me gjithë presingun e Tiranës, për kundërshtarin nuk ka vend për panik, pasi administrojnë me qetësi ndeshjen 93-61. Tirana është superiore në këtë pjesë loje, por që është kujtuar vonë pasi koha është e pamjaftueshme për të besuar te mrekullia e një përmbysjeje të mundshme.

Dy pikët e shënuara nga gjuajtjet e lira, nga amerikani Duejn Benjamin kapin kuotën 100 për Blokotehnan. Tirana e fiton periodën e katërt 23-16 që vlejti veçse për statistikë. Më i miri për Tiranën dhe gjithë ndeshjen ishte Endrit Hysenagolli. Qendra kryeqytetase kontribuoi me 33 pikë dhe 7 topa në tabelë, ndërsa Gerti Shima shërbeu me 11 pikë dhe 5 asiste.

Nga kampi vendës, Benjamin regjistroi 25 pikë dhe 9 topa në tabelë, ndërsa Goran Glavçev i shtoi 21 pikë dhe Marjan Mladenovikj 15 pikë dhe 5 asiste.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"