Tirana cinike, mposht 1-0 Dinamon. Bushiç abonohet me golat në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2015 | 16:32

Tirana cinike, mposht 1-0 Dinamon. Bushiç abonohet me golat në miqësore

tirana - dinamoBushiç vazhdon ta nderojë Tiranën, duke dëshmuar se është “njeriu i miqësoreve”. Falë golit të sulmuesit, bardheblutë kaluan me sukses provën e fundit kundër Dinamos. Miqësoret rikthyen derbin e kryeqytetit, ndonëse prej vitesh të dy ekipet militojnë në kategori të ndryshme. Edhe pse një takim testues, interesi i tifozëve ishte i madh në “Skënder Halili”, duke shtuar dozat e entuziazmit. Ndeshja përqendrohet në mesin e fushës, ku janë bardheblutë ata që diktojnë lojën. Pak raste të pastra për shënim, ndonëse nuk mungon dëshira për t’i ndryshuar shifrat.
Pjesa e parë Magani hodhi në fushë formacionin “tip”, atë që pritet të luajë edhe kundër Apolonisë më 24 janar. Edhe pse me mungesa të kushtëzuara prej dëmtimeve, skuadra dëshmoi se po kalon një formë të mirë, ndonëse dje hasi vështirësi, kjo edhe për meritë të kundërshtarit. Mehmeti nuk ka në dispozicion sulmuesin Daniel Xhafaj dhe në majën e sulmit ishte Turdiu ai që udhëhoqi blutë. Tirana e nis mirë lojën, duke qenë superiore në fushë, teksa Muzaka, Morina dhe Bushiç kanë rastet e tyre, por pa gjetur dot rrjetën. Në të 12-ën minutë Sefa asiston për Muzakën një top në qendër të zonës, por portieri Lamellari bllokon gjithçka. Në të 22-ën bardheblutë ishin aq pranë golit, pas një goditje dënimi të Kalarit. Fillimisht topi përplaset në mur, më pas goditja e dytë e mbrojtësit bardheblu pritet mjeshtërisht nga portieri dinamovit. Kundërpërgjigjet Turdiu në të 26-ën, por topi i diskutueshëm largohet nga portieri Stivi Frashëri. Kur pjesa e parë po shkonte drejt fundit, në minutën e 56- të konkretisht Bushiç, i ndodhur në zonë, gjuan bukur dhe e kalon në avantazh Tiranën.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis ndryshe, me një ritëm më të ulët, kjo si pasojë e ndërrimeve të shumta në të dy kampet, si dhe terrenit të rënduar. Tirana hedh në fushë Ndikumanën e Bakajn, si dhe rikthen në fushën e lojës Dorian Kërçikun, i rikuperuar tashmë pas dëmtimit në gju. Por, edhe me këto lëvizje asgjë nuk ndryshoi në rezultat. Është një ndeshje ku blutë përfitojnë edhe nga aktivizimi i disa lojtarëve të rinj të bardhebluve, duke krijuar edhe ata rastet e veta dhe vënë në siklet. Në të 58-ën Dinamo rrezikon nga këndorja, por portieri Edvan Bakaj shpëton kuadratin duke grushtuar. Rast për t’u shënuar është edhe ai i të 71- ës minutë, teksa Tirana zbret rrezikshëm në sulm dhe është Morina që godet, por topi përplaset te këmbët e Kërçikut që ishte në pozicion jashtë loje. Mbyllet kështu ky 90- minutësh, i cili përmbyll me sukses miqësoren e fundit të bardhebluve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"