Tirana bie në Ballsh, s’e rimerr dot kreun. Bylisi, premio 500 USD për kokë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2012 | 10:45

Tirana bie në Ballsh, s’e rimerr dot kreun. Bylisi, premio 500 USD për kokë

BYLISI – TIRANA  1-0
GOLI: Teqja 11’
BYLISI: Frashëri, Idrizi, Adigun, Shoshi, Ristevski, Teqja, Xhon, Meto (Kule 91′), Popoviç (Korreshi 67’), Xhafa (Olalekan 86′), Abazaj; Trajner: N.Shansoji
TIRANA: I.Lika, Sina, Dushku, Kalari, Ferraj, Taku, Karabeci, K.Duro, G.Lika (Tushe 72’), Cikalleshi (Aziri 62’), Morina. Trajner: H.Rubio
KARTONË TË VERDHË: Teqja 40’, Olalekan 94′ / Sina 30′, Dushku 33′, Morina 94′;
KARTON I KUQ: Dushku 70′
I DELEGUAR: Hito Hitaj (Tiranë)
VËZHGUES: Besnik Kaimi (Tiranë)
GJYQTARET: L.Alla, D.Koreshi (Lushnjë), G.Koka (Lezhë)

MINUTAT
6′ Popoviç i rrëmben topin Gilman Likës në mesfushë, depërton mes dy-tre lojtarëve të Tiranës dhe pason për Fjodor Xhafën. Ky i fundit gjuan, por jashtë.
11′ Olsi Teqja ka kohë të kontrollojë topin, gjuan fuqishëm me një gjysmëparabël dhe topi përfundon në trekëndëshin e portierit Ilion Lika.
19′ Xhon Huan kroson për Popoviç, i cili godet, por Lika edhe pse në vështirësi pret, duke larguar rrezikun.
37′ Rasti i parë për Tiranën, Klodian Duro lëshon një predhë, e cila pritet me vështirësi në dy kohë nga Frashëri.
50′ Xhafa tenton nga distanca, por topi përfundon mbi tra.
51′ Xhon Huan merr topin nga mesfusha, pason për Popoviç, ky i funti gjuan, por pret Lika.
72′ Goditje dënimi për ballshiotët, ekzekuton Ristevski, por jashtë.
74′ Xhon provon tokazi, goditje kjo që nuk e shqetëson Likën.
76′ Idrizi kroson në zonë për Xhafën, i cili godet bukur me kokë, por Lika është i vëmendshëm dhe largon rrezikun.
77′ Abazaj kthen në zonë një top për Xhafën, i cili gjuan me të majtën, por Lika pret sërish.
85′ Xhon Huan gjuan nga larg, grushton portieri i Tiranës.
87′ Rast i artë për miqtë, Aziri kthen një top për Morinën, që e dërgon atë në duart e portierit Frashëri.
92′ Tushe pason për Morinën, i cili nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë me kokë, por anësori Korreshi e anulon golin për pozicion jashtë loje.

Tirana bie në Ballsh dhe humbet shansin për të rimarrë kreun. Një supergol i Olsi Teqjas u ka mjaftuar ballshiotëve për të marrë një fitore të artë dhe njëherësh për të ndalur djemtë e drejtuar nga Hulian Rubio. Me shumë mungesa në mbrojtje dhe pa pykë, kryeqytetasit u shndërruan në një “pre” të lehtë për vendësit e drejtuar nga kosovari Shansoji, të cilët kanë qenë superiorë gjatë gjithë 90 minutave. Kryeqytetasit u zgjuan vetëm në minutat e fundit të takimit, por kaq nuk mjaftoi për të ndryshuar shifrat. Me këtë disfatë, e treta në total për 24 herë kampionët e vendit, lufta për titull bëhet edhe më e vështirë, pasi ata tashmë janë të dytët, me pikë të barabarta me Teutën. Nga krahu tjetër, Bylisi me këtë trepikësh sistemohet në mesin e tabelës, më konkretisht në të gjashtin, duke qenë më i qetë në 8 javët e mbetura të këtij sezoni.
Pjesa e parë Ndeshja nis me ballshiotët më të rrezikshëm, të cilët ushtrojnë presion që në minutat e para. Me një Tiranë “të arnuar” në prapavijë, për shkak të mungesave të rëndësishme, goli nuk vonon. Në të 11-tën kryeqytetasi Olsi Teqja, me një goditje të fuqishme jashtë zone, e dërgon topin me një gjysmëparabël në trekëndëshin e portierit Ilion Lika. Ky moment i sjell në vete bardheblutë, që nisin të shtojnë aksionet, mirëpo e kanë të pamundur të finalizojnë. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për vendësit, të cilët dalin në kundërsulme të shpejta falë shpejtësisë së Abazajt dhe Xhafës. Minuta e 35-të sjell momentin e parë kritik në portën e mallakastriotëve, teksa Duro godet në distancë, por Frashëri edhe pse me vështirësi pret në dy kohë. Janë minuta këmbënguljeje nga kryeqytetasit, që nuk pajtohen me disavantazhin. Nga ana tjetër, ballshiotët bien në sy për lojën e fortë, në disa raste mjaft të ashpër, çka e detyron kryesorin Alla të akordojë disa goditje dënimi në favor të 24 herë kampionëve të vendit, por pa rezultat. Me shifrat 1-0 mbyllen 45 minutat e para, duke e çuar Tiranën me shumë presion në dhomat e zhveshjes.
Pjesa e dytë Pjesa e dytë nis pa ndryshime në formacionet e të dyja skuadrave. Dy trajnerët duket se u besojnë titullarëve, ndonëse Rubio është i detyruar ta bëjë këtë, pasi nuk mund ta kthejë kokën nga stoli, sepse nuk gjen dot zgjidhje për të qenë aty. Bylisi e rifillon lojën në sulm, teksa nigeriani Xhon dhe Xhafa rrezikojnë, ndonëse pa mundur të gjejnë portën. Minuta e 51-të sjell një gjuajtje të Popoviç, por gardiani Lika, i gjendur në pozicion, zotëron topin i sigurt. Vihet re që Bylisi është më i kujdesshëm në mbrojtje, duke filluar që në mesfushë, ku Teqja e Meto nxjerrin jashtë loje duke fituar duelet me ta Karabecin dhe Duron. G.Lika mundohet të zgjidhë diçka me veprime individuale, por mbrojtja vendëse është një barrikadë e pakalueshme. Cikalleshi është inekzistent në fushë dhe kjo e detyron Rubion që ta zëvendësojë me kosovarin Aziri, i cili sjell një tjetër frymëmarrje në fushë. Mirëpo minuta e 68-të është fatale për Tiranën, sepse Dushku, në tentativë për të ndalur Abazajn në aksion, shkakton faull dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, e rrjedhimisht me të kuqin. Bardheblutë mbeten me një lojtar më pak, duke krijuar kështu boshllëk më të madh në mbrojtje. Spanjolli i pankinës mike bën një tjetër lëvizje, duke nxjerrë Likën jashtë për të futur Tushen, ndërsa Taku spostohet në qendër të defensivës duke zënë vendin e Dushkut, i cili doli me të kuq. Në këto momente, kryeqytetasit kërkojnë me ngulm golin dhe rrjedhimisht janë më aktivë në fushë. Minuta e 87-të është e artë për vendësit, që mund të barazonin, por pasimi i Azirit nuk shfrytëzohet siç duhet nga Morina, që e dërgon topin në duart e Frashërit. Në të 92-tën Morina arrin të shënojë, por anësori Korreshi anulon gjithçka për pozicion jashtë loje. Kontestime dhe tension pas këtij rasti, por ndeshja mbyllet me fitoren minimale të Bylisit 1-0. Tirana humbet shansin për të rimarrë kreun e renditjes, që mbetet ende “pronë” e korçarëve.

MË I MIRI
Olsi Teqja ishte pa dyshim lojtari më i mirë në fushë, pasi bëri diferencën në 90-minutëshin e luajtur dje në Ballsh. Mesfushori kryeqytetas i Bylisit, me golin e tij spektakolar të realizuar në të 11-tën, i dha trepikëshin e artë skuadrës ballshiote dhe u hoqi shansin bardhebluve që të rimerrnin kreun. Pas nuk mbetet as nigeriani Xhon Huan, i cili me inkursionet e tij i dha shumë frymëmarrje skuadrës vendëse.

MË PAK AKTIVI
Renaldo Kalari ishte ndër lojtarët më pak aktivë në fushën e Ballshit. Në mungesë të Pishës mbrojtësi luajti në qendër, por në këtë pozicion ai nuk bëri thuajse asgjë. Madje edhe në rastin e golit të pësuar, ai mund ta evitonte po të ishte treguar pak më i kujdesshëm. Edhe Cikalleshi ishte hija e vetvetes. Mesfushori me tipare sulmuese në 62 minuta lojë ishte inekzistent në fushë, çka solli edhe zëvendësimin e tij.

Shansoji: Me Tiranën mund të fitojë çdo ekip
Numri një i pankinës së Bylisit, Naxhi Shansoji, është parë mjaft i kënaqur pas fitores me Tiranën. “Lojtarët e kanë realizuar gjithçka sipas udhëzimeve që unë u pata dhënë. Tani them me plot bindjen se çdokush mund të fitojë me Tiranën, edhe pse duket e vështirë. Bukuria e kësaj fitoreje qëndron në faktin që, në 90 minuta bardheblutë nuk kanë krijuar një rast të mirëfilltë goli dhe nuk kanë shënuar. I gjithë opinioni shqiptar priste që mbrëmë Skënderbeu të fitonte, po ashtu dhe Tirana të fitonte sot, por këtu qëndron bukuria e kampionatit. Të gjithë ata që kanë qenë skeptikë për futbollin shqiptar, tashmë le të mendojnë ndryshe. Bylisi e meritonte totalisht këtë fitore, e cila tashmë na largon nga zona e ‘playout’- it. Askush të mos e çoj ndërmend që ne do të rrezikojmë rënien nga kategoria, pasi ky ekip di të bëjë diferencën në fushën e lojës. Ne do të qëndrojmë në atë vend ku kemi qëndruar gjatë gjithë kampionatit, këtë ta keni të sigurt. Për sa i përket gjykimit, ka qenë i rregullt dhe ka dhënë vendimet e duhura”, – është shprehur kosovari.

Rubio, i zhgënjyer: Ishte një ndeshje e çuditshme
Spanjolli nuk ka pasur shumë fjalë pas kësaj humbjeje minimale në Ballsh, por që i hoqi shansin ekipit të tij për të rimarrë kreun e renditjes. Ndonëse pritej që pas ndalesës së Skënderbeut, Tirana të rimerrte kreun, ballshiotët nuk e lejuan një gjë të tillë. Tashmë, trajnerit pas ndeshjes i kanë mbetur kaq pak fjalë, duke u shprehur se mungesat dhe terreni nuk e lejuan ekipin e tij të dilte në lojën e vet. “Një fushë e vështirë, sepse sot (dje) vetëm futboll nuk kemi luajtur. Në rezultat na kanë ndikuar edhe mungesat dhe loja nuk mund të zhvillohej në mënyrën e duhur. Ishte një ndeshje e çuditshme. Për gjykimin nuk mund të flas, sepse unë asnjëherë nuk i komentoj vendimet e marra nga gjyqtarët”, – ka thënë tekniku i Tiranës, i cili në dy takimet e fundit është ndalur, duke humbur kështu mundësinë të ruajtur vendin e parë. Megjithatë, duhet thënë se numri një i pankinës, Rubio në këtë ndeshje pati shumë mungesa, duke llogaritur këtu 3 në mbrojtje dhe një të rëndëishme në sulm.

Bylisi, premio 500 USD për kokë
Fitorja minimale kundër Tiranës nuk ka pasur vetëm vlerën e trepikëshit për Bylisin, pasi ajo u ka mbushur edhe xhepat lojtarëve. Ka mjaftuar një supergol i Olsi Teqjes, për të çuar në delir një Ballsh të tërë. Pas përfundimit të 90 minutave, futbollistët janë shpërblyer me nga 500 dollarë për kokë, në total 10 mijë (përafërsisht). Kreu i klubit mallakastriot, Besnik Kapllanaj, përpara se të fillonte ky takim ka shkuar në dhomat e zhveshjes dhe u ka thënë të tijve se në rast suksesi ata do të shpërblehen edhe financiarisht. Madje, nga sa mësohet, ai ua ka lënë vetë në dorë protagonistëve që ta vendosnin shumën që do të donin të merrnin. Ka qenë kapiteni Shoshi ai që ka vendosur një shifër, 500 dollarë për kokë, në rast triumfi. Një shumë e majme kjo, që sigurisht ka ndikuar edhe në motivimin e ekipit, i cili jo vetëm fitoi, por zhvilloi dhe një ndeshje shumë të mirë. Presidenti Kapllanaj nuk e ka për herë të parë këtë taktikë, pra që shpërndan shuma të majme, pasi po të kujtojmë barazimin në Peqin kundër Shkumbinit, lojtarët përfituan nga 150 euro për kokë, ndërsa në rast se do kishte qenë fitore, do të merrnin dyfishin e saj. Kjo është një mënyrë e gjetur nga ballshiotët, të cilët për çdo fitore brenda shpërndajnë premio në bazë të rëndësisë që ka ndeshja. Me këtë rezultat, mallakastriotët nuk i kanë bërë nder vetëm vetes, duke blinduar vendin e shtatë, por edhe pretendentëve për titull, Skënderbeut dhe Teutës. Tani korçarët janë ende të parët, ndërsa durrsakët e shohin veten të tretët, me 40 pikë, po aq sa bardheblutë e vendit të dytë. Kur kanë mbetur edhe 8 javë nga mbyllja e sezonit, mallkastriotët ndonëse kanë dalë nga objektivat, kanë si qëllim që të paraqiten denjësisht.

Tension në fushë, ja çfarë ndodhi në Ballsh
** Rreth 50 tifozë fanatikë të Tiranës e kanë mbështetur skuadrën e tyre në “Adush Muça”, por në momentin e anulimit të golit nga kryesori Alla dhe ndihmësi i tij Korreshi, ata kanë hedhur shishe birre në fushë.
** Në minutën e tretë, në qendër të fushës, mesfushori kavajas i Tiranës, Cikalleshi, është përplasur kokë më kokë me Olsi Teqjen dhe të dy janë shtrirë në fushë. Ndihma mjekësore ka ardhur menjëherë, por është dashur ndërprerja e lojës 3 minuta për të qartësuar gjendjen.
** Kapiteni Elvis Sina pak minuta para mbylljes së pjesës së parë revoltohet në fushë dhe drejtohet nga pankina kryeqytetase, por edhe te delegati i ndeshjes, duke iu ankuar për terrenin e rënduar që nuk lejonte që të luhej.
** Mario Morina në dyluftim me mbrojtësin Hektor Idrizi humbet topin, por bashkë me të edhe qetësinë. Debaton ashpër me vlonjatin e Bylisit, duke shkaktuar për një moment trazira në fushë. Është dashur ndërhyrja e kryesorit që të rinisë loja.
** Në fundin e takimit nxehet situata në të dyja kampet. Mario Morina debaton me nigerianin Olalekan, duke përdorur madje edhe duart. Në këtë rast, kryesori i ndëshkon të dy lojtarët me karton të verdhë.
** Ende pa përfunduar koha e rregullt e pjesës së parë, drejtori teknik i Tiranës, Alban Tafaji, debaton ashpër me delegatin dhe vëzhguesin e takimit. Ndërhyrja e forcave të rendit dhe gjyqtarit të katërt qetësuan situatën në këtë çast.
** Pas pësimit të golit në minutën e 92-të, por që u anulua nga gjyqtarët, kapiteni Mariglen Shoshi debaton ashpër me mbrojtësin. Por, më pas gjithçka qetësohet, sepse goli nuk është i rregullt.

Tribuna VIP
Interesi për këtë përballje nuk ishte vetëm nga tifozët e thjeshtë, por edhe personalitetet dhe drejtues të të dyja skuadrave. Në tribunën qendrore të stadiumit kanë qëndruar disa drejtues të Bylisit, por edhe ata të Tiranës, të cilët këtë herë kanë qenë të shumtë në numër. Nga pala e miqve ishte prefekti Keltis Kruja, ish-presidenti Refik Halili, si dhe administratori Salih Tagani. Ndërsa për vendësit në këtë tribunë ka qenë i ulur presidenti Besnik Kapllanaj dhe prefekti i Qarkut Fier, Artur Shehu.

FSHF
Federata Shqiptare e Futbollit, vetëm pak minuta para se të fillonte ndeshja e djeshme mes Bylisit dhe Tiranës, ka njoftuar drejtuesit kryeqytetas se futbollisti i tyre Leventi nuk mund të luante për shkak se kishte plotësuar numrin 3 të kartonëve të verdhë. Lojtari i marrë nga ekipi U-19 i bardhebluve ishte në planet e Rubios, mirëpo ata nuk e dinin se ai ishte i pezulluar. Kësisoj, trajneri spanjoll është detyruar t’i ndryshojë planet në limit.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"