Tirana bën ‘nxehmje’ para Pogradecit, tremb gjendja e Maveje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2017 | 11:17

Tirana bën ‘nxehmje’ para Pogradecit, tremb gjendja e Maveje

Tirana gjen golat para Pogradecit. Bardhe blutë kanë fituar 4-0 dje kundër ekipit B të drejtuar nga Krenar Alimehmeti. Për të mos testuar grupin me një lojë brenda llojit, Ze Maria zgjodhi që të zhvillonte një miqë- sore të mirëfilltë, e cila i shërbeu për të parë edhe prurjet e reja. Kjo miqësore nisi me rezervat dhe u mbyll me titullarët, duke krijuar kësisoj një ide më të qartë edhe për 11-shen që do të zbresë të dielën në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.

maveje tirana

Ndëshkimi për Albi Dokën duket se po shkon drejt fundit dhe, me shumë gjasë, këtë javë ai do të jetë pjesë e organikës dhe jo në tribunë. Por, për stafin teknik nuk ka vend për qetësi. Ai që tremb, është Toni Maveje. Mesfushori, një ndër më të mirët e këtij fillimsezoni, mori një goditje 5 minuta para fundit, çka e detyroi që të largohej nga fusha i dëmtuar. Gjendja e tij pritet që të verifikohet sot, pasi të bëjë edhe kontrollet e duhura.

SHTERPËSIA

Pjesa e parë nisi me një formacion ku dominonin të rinjtë. Trajneri brazilian aktivizoi emra si Shehri, Nuriu, Bishaj, Becka, Çelhaka, Basha, Qilimi, Halili, Greca, Ahmetaj dhe Levendi. Lojtarëve iu deshën disa minuta që të futeshin në “lojë”, ndërsa vetëm në të 8- ën minutë vjen “ngacmimi” i parë prej Qilimit, por tentativa e tij shkon mbi tra.

Tirana stervitje 2

Me kalimin e minutave, skuadra u shfaq e paqartë në fushë, mungonte kontrolli i topit, pasimet e sakta dhe mbi të gjitha rastet për gol. Edhe ato përpjekje të Grecës në të 40- ën dhe Levendit në të 45-ën nuk sollën asgjë. Ky fraksion u mbyll pa gola.

SHPËRTHIMI

Titullarët, pasi ndoqën pjesën e parë nga tribuna, zbritën për të bërë “nxehmje” dhe, më pas, u përfshinë në formacion. Çali, Kërçiku, Turtulli, Uellison, Hoxhallari, Daja, Maveje, Karabeci, Doka, Sentamu dhe Ngoo zunë vendin e 11-shes së pjesës së parë. Skuadra ndjeshëm ndryshoi pamje dhe rrjedhimisht pati jo vetëm aksione të bukura, por edhe gola. Shifrat i zhbllokoi Sentamu në të 52-ën, pasi shfrytëzoi më së miri një top të marrë prej Karabecit në zonë.

tirana vs tirana

Pa kaluar as 3 minuta, Maveje tregon klasin e tij, me një gjuajtje potente, por portieri i Tirana B ishte në lartësinë e duhur. Insistimi i ekipit të madh bëri që në të 67-ën edhe anglezi Ngoo të gjente rrjetën. Edhe pse skuadra e Alimehmetit u mundua dhe bëri paraqitje në kompleks të mirë, u ndëshkuan edhe dy herë.

Doka në të 77-ën arrin që të gjejë golin personal, pasi kaloi portierin në zonë, ndërsa “vulën” e vendosi Ngoo pa kaluar as një minutë. Kishte vend edhe për një kryevepër të Hoxhallarit nga goditja e dënimit, por topi përfundoi vetëm pak centimetra larg portës.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"